ASAJ QË NE I THEMI JETË
Është mëngjes, është frymë
që zakonshëm e shohim herët, sapo lind
që sjell në vesh një pëshpërimë të lehtë:
A u gdhive?
Është mëngjes, është si një gjethe
e këputur në nyje nga derti i thatë
që ulet në pezull të dritarës e lutet përbindshëm asisoj:
Dua të jetoj! Dua të jetoj!
Është mëngjes,është sajdisje
shtruar mbi një tryezë me mysafirë të rinj
që pret të të sjellin veç lajme pa brima
ditëve që shkojnë e vijnë si vetimë.
Është mëngjes, është larje borxhi
janë shkruar të gjitha e zeza mbi të bardhë
Gjithë pasurinë mund ta vësh peng
Me shpirt ti mbete borxhpalarë!
Është mëngjes,është përshëndetje
shpirtësi hyjnore bekuar nga zoti
Të ngjethur lumturisht jemi që na fali
e udhët kemi shtruar prej gazi e loti…
Është mëngjes, është frymë…
Deri kur mëngjes?! …
Deri kur frymë?!…
