At-Mëmëdheu Im-Leonard Pipa
AT-MËMËDHEU IM
Unë e dua
At-mëmëdheun tim,
pa kushte!
ashtu siç e do ime më.
Ashtu siç e donin
gjithë para ardhësit e mi mesdhetarë.
Unë jam shqiptar,
njësoj si ata!
I papërkryer
por i papërkulur.
I papërlyer
por me të meta plot.
Asnjëherë se kam shitur,
se kam tradhëtuar,
se kam lënduar At-mëmëdheun tim!
As unë,
as paraardhësit e mi,
as fara dhe soji im!
E duan pa kushte,
pa bujë,
në qetësi…
Zjarri i dashurisë për të
asnjëherë nuk u shuhet në shpirt,
në shpirtrat e tyre gjithë plage nga hallet e mëdha.
Unë e dua
At-mëmëdheun tim!
Askush nuk më tha
se duhej ta bëja
sepse dashuria per të
lind pa lindur,
është dashuri përpara dashurive!
E dua
At-mëmëdheun tim
dhe si çdo i dashuruar
unë jam shërbetor i tij,
ushtar i tij,
adhurues i tij!
Dhe keshtu do të jenë,
dhe femijët e mi,
nipërit, mbesat,
ata që s’kanë lindur akoma,
kurdo dhe kudo që të lindin…
gjithë fara e fisi im!
Unë e dua
At-mëmëdheun tim!
Dhe ligji juaj nuk ma bën dot pis dashurinë për të!