At Zef-Vaso Papaj


At Zef*

At Zef,

Kur do të kthehesh përsëri?

(Me mallin për ty kjo zemër m’u ngi).

Dua të ta prek zemrën,

Të më mësojë të rezistoj,

Të më thotë dy fjalë nga ti.

Për flamujtë, At Zef,

Sepse asgjë s’ka ndryshuar në këtë Shqipëri:

Flamuj ndër xhepa, flamuj ndën xhaketa,

Flamuj lidhur ndën jaka si kravata,

Flamuj tregtarësh, me yll, me yje, me sopata…

Në histori çfarë nuk ndesh…

Për t’ na vrarë shpirtin

Dhe ti, me dhimbje, qesh, qesh,

Për t’ mos qarë, At Zef, vetëm qesh.

At Zef,

Ku shkoi flamuri mbi kambanore

Ditën e parë të “lirisë”?

E kuqja, ku u zbeh?

Shqiponja pse fluturoi mbi Cukal?…

Më mëso si të rezistoj, si të bëhem mal

Dhe vetëm një flamuri, vetëm njërit, At Zef,

Atij tëndit, valëvitjen mos t’ia ndal.

Kur do të kthehesh përsëri, At Zef

Të më thuash:

Bir, kjofsh bekue!

Mos tash është koha t’i valëvitim në dritë,

Ata që gjer dje i valëvitëm në shpirt?

Të pres, At Zef.

E kam mësuar lodhjen tënde nga ai rrëfim i gjatë

Po qeshja jote më bën dhe mua të qesh,

Udhëtimi i Atdheut nuk mbaron me kaq.

At Zef,

Ndaj ti do të kthehesh një ditë,

Dhe shpirtin tënd në shpirtin tim do ta ndjesh,

Forca jote e dashurisë është një mit,

Forcën time do ta rilindë,

Përpara do t’i shpjerë liritë.

He pra, më thuaj,

Kur do të kthehesh?

Ta rigjejmë të ardhmen e humbur, të dy,

Siç e rigjeti e mira jote mbi të keqen,

Po të thërras, At i shenjtë…

Po të thërras ty!…

Eja edhe pse, asnjë dyshkë nuk ke patur kurrë

Dhe nuk do të kesh.

Sill shpirtin, At Zef.

Drita e tij do ta verbojë të keqen

E do të ndrij midis nesh.

•At Zef Pllumit që “rrnoi për me tregue”