ATA
Kalonin urës me parmakë hekuri të ndryshkur
Ku s’kishte kaluar prej kohësh njeri
Diku në këmbë të saj u ndalën, u puthën
Dhe lanë ca shënja buzësh aty.
Dikush përhapi fjalë se kishin parë hije
Qimiteri ishte pranë, një vrap pele larg
Dikush përgjonte pishave në korije
Çifti ishin të gjallë apo fantazmë.
Hijet çdo ditë nxinin dhe pastaj faniteshin
Dritës së zbehtë si fjollë në muzg
Kodrës së bregut gurë të murmë rrokulliseshin
Dhe ata puthitur tretnin makthin nën urë.
Kishin dëgjuar ata zemërvluar
Se urat sjellin shumë fat në jetë
Sa kodra e brigje lumenjsh kishin bashkuar
Sa valë të tërbuara përcollën ato në det.
Ai vend i rrallë mund të sillte magji
Dhe sekrete dashnorësh të mbante nën zë
Të tjerë mund ta merrnin rrugën për aty
Muzgu kur binte larë me pak hënë.
Dhe ashtu te urë e vjetër bregut nën korije
Hijet po e vizitonin vendin më shpesh
Legjendat me fantazma filluan të shuheshin
Qimiteri natën po flinte i qetë.
