Atdheu im, të dua!
(Dedikuar vendit tim,46 vjet nën diktaturën komuniste)
Atdheu im, a e di?,
Të tradhëtova, para se të të doja
Si Juda e putha Jezusin
Tej dritares me hekura, dritat vezullonin
Atje jashtë, dielli ngrohte deri në Perëndim…
Me copëza librash të mykur, zbukurova muret
Fshehtas e strehova “Zonja Bovarinë”
Tek mallkoja veten e tokën asokohe
Ndizja qirinjtë e tretur, deri në agim.
Aq shumë u dashurova me botën, atje jashtë
Sa të urreva ty, a e di?
I theva hekurat, me zemërimin e Titanit
e të thashë ika, lamtumirë!
Të përkulem në gjunjë, atdheu im
Me dashurinë e fëmijës,pas një faji
I mallkoj dogmat e çelësat me gjithë dryn
që mbajtën të mbyllura dritaret…