Atë mëngjes Shën Mjegulla…Razielda Hitaj


Razielda Hitaj

Atë mëngjes Shën Mjegulla nuk i shqitej lumit.

E ndonëse lumi vazhdonte rrjedhën e tij, ajo i rrinte mbi krye. Sa harmoni krijonte gurgullima e ujit tek kapërcente ndonjë gur kryeneç. Ishte ende herët, ende s’kishte dal vetulla e parë e mëngjesit, megjithatë ajo tablo më plotësonte.Përdit lundroja në mendime aty buzë lumit, siç lundron atje tej ajo varkë e vjetër e peshkatarit Sanço.

-Si nuk u lodh ajo varke,-mendoja me vete,-përherë në të njëjtin vend.

Vetëm se tashmë peshkatari plak nuk dilte më, sëmundja e tumorit i kishte marrë kujtesën, mezi ngrihej nga shtrati.

Më kujtohet kur isha e vogel, plaku Sanço ngrihej herët në mëngjes, mbushte ujë në lumë,

aty kishte një burim ku vashat mbushnin bucjelat, trimat e fshatit pikasnin vashat me flokun më të bukur, atë më të turpshmen, atë që nuk e kishin parë kurrë në sy.

-Çudi!-do thoshit ju.

E ndërsa rrjedha vazhdonte, sytë më çuan tek troftat të cilat shkonin kundra rrymës.

Sa kënaqësi të shikoje tek lodronin mbi ujë e hidheshin njëra më lart se tjetra.

Lumi dhe troftat, dy rryma të ndryshme.

Po, njësoj si unë. Nuk e di sesa gjatë ndenja duke dëgjuar fëshfërimën e gjetheve, a thua se me to do krijoja një simfoni ?

E gjendur aty mes troftës dhe lumit, dy kahe të ndryshme, dy aspirata të kundërta, e megjithatë më duhej të ndiqja njërën prej tyre.

E vendosur me shpatulla pas murit, të dyja i admiroja, i shihja me ëndje, ditë të tëra, mëngjese të kaluara pranë tyre, përshtjellim emocionesh, frymëmarrje të rënduara.

-E megjithatë më duhet të zgjedh, dhimbje më të madhe nuk kishte.

Zgjohem ujë në djersë, jashtë dielli ndriçonte, zëra që buçisnin, makina, njerëz që shkonin tutje-tëhu; çdo gjë duket e rëndomtë kur përkthehet në shifra.

Në qytet syri të shihte vetëm njerëz që nxitonin, lakmitarë, servilosje për dy kacidhe më shumë, kafenetë gumezhinin nga thashethemet që vërtiteshin sa nga një kah në kahun tjetër të qytetit.

Ashtu befas, tek ndiqja këtë tablo në të cilat mendimet e mia vazhdonin të përshtjelloheshin kuptova se tashmë, e kisha bër zgjedhjen…

©ᴀʟʟ ʀɪɢʜᴛꜱ ʀᴇꜱᴇʀᴠᴇᴅ by Razielda Hitaj