ATI, BIRI DHE BUKA


Sadik Bejko

1.

Ata nuk e dinin…. me kasketa të kuqe.

morën anijen me shkopinj gëlqerorë shtogu,

me shurrë bërë pellgut,

ngritën direkët e shalëve të tyre pa kocka.

…dhe ata nuk e dinin

se do të gjenin shtrat

në bark të zi

ligështirash prej ligate,

e në bark

shushunje të zezë.

2.

Tej një njeri mbillte farën në xhepa orësh

prej cohe marsi në erë.

Rrënjët e misrit i dilnin në mjekërr,

e kallinj bëheshin në vatër,

ku fëmijtë hanin bukën e ngrohtë

rritur në pak dhé krahësh

prej plaku të hollë.

Në darkën e fëmijëve,

aromës prej buke të valë

i shtohej avulli i frymës së plakut,

teksa edhe një herë në mëngjes

ai lindte, dilte nga kafazi i akullit –

shtëpia e tij e virgjër, e vërtet –

te rruga dimërore

ku kotej pak për nën gjumin e pluhurit.

Avullimi i bukës

rron rron edhe sot

me pluhurin e dheut të përjetshëm

në thesin e erës që shtjella e shpërndan,

e mbledh tog,

e flak tutje,

e bën sy e duar fëmijësh të trëndafiltë

në një oborr me kaçube

rrethake, të buta e të blerta si buka.

3.

Ata të tjerët, ata prej ligatës … kaq gjë nuk e dinin:

atin, bijtë… dhe bukën e përditshme.

Nga “Leter Hamurabit”, botuar me 1997

About Post Author