Atje kanë festë-Llesh Gjoka


Atje, në ajrin e ftohtë janë, përjashta

nën cipën e hollë të një mjegulle mëngjesi

Një ditë, kur as dimri s’ka roitur

as pranvera s’po piplon

Ata, një tubë fëmijësh

Kanë ngritur një skenë

për botën e tyre të harlisur

që nis të shpërfaqet

si një ishull drite dhe gëzimi.

Në duart e njoma

tundin shami të kuqe, të mëndafshta

dhe festojnë shpenguar

Sepse veç ata e ndjejnë

Se qielli atë ditë do të ketë fytyrën e tyre

Mjegulla do të jetë e humbur

Pemët e reja do të kërkojnë me ta të përdridhen

Gjithçka do të njëjtësohet me ta

Në ritmin hip hop të festës së tyre.

Atje kanë festë

Kur pranvera akoma s’është lëçitur

Dhe ftesat akoma i mban mbyllur çuditërisht

në disa sirtarë të rëndë, të heshtur

Në pritje që do të zgjasë

derisa diçka e nëndheshme të bumbullojë

E fort të ndihet tundimi

i përtëritjes që vjen nga rrënjët

Ta shkundë këtë letargjí të gjatë kukulesh

dhe i bukur të buzëqeshë zgjimi.

Veç Shën Jozefi

Nuk e harron ditën e bekueme

Dhe fëmijët nuk harrojnë të festojnë

Të tjerët si një lukuni

Hedhin hapa pa ritëm, kuturu.

Pa e ditur nga vijnë

Pa e menduar ku shkojnë.

Atje kanë festë.

Atje kanë

Festë

Fëmijët.