Atje ku fillon qielli-Vladimir Muça


Vladimir Muça

Atje ku fillon qielli,

Në Ostrenin e largët,

Pa dritare, e pa parvaze

Plot erbare shtëpitë.

Unë rri e pres netët e kthjellta,

Në vendlindjen e babait,

Të kundroj yllin e karvanit

Mes të besuarës dritë.

Mbi qepallat e shtëpive

Zgjas dorën, marr dritën e yllit,

Ndez zjarr në shtëpinë e tim Eti,

Syri i Gollobordës të shndrisë.

Atje dhe bokërrinat

Puthen me qiellin e shtatë,

Duke sfiduar me krenarinë e vendit

Dhe malet më të lartë,

Më të thellat lugina,

Me Dragalicën si fjongo nusërie

Lidhur bashkë.

Retë e mbështjellin Ostrenin,

Si napa e bardhë e gjyshes time,

Unë shqyej cfakën e merimangës,

Endur keqas

Nga mijëra largime!…

E DASHURA IME MES TË SËMURËVE

E dashura ime mes të sëmurëve,

Kur hija e vdekjes troket te pragu;

Shpresa, shpresa ,armë e mrekullueshme

Në sy e zemra vrapojnë sëbashku.

Atje ku ndjesitë e lumtura lakmojnë

Për të lajkatuar shpresat e reja,

E dashura ime me mëkim i zgjon

Me frymë jete nga vetëvetja.

Aherë qielli me yje shprese

E mbart jetën në pika djerrse,

Në kupën qiellore, mbi buzëqeshje,

Fjalë e mjekes në zgjime pranvere.

1972-2023

SOLIDARITET

Çdo ditë mes dhimbjesh

Takohemi Ukrainë.

Ti përballesh nër beteja

Me shpirt ndër dhëmbë.

Mbi agresionin rus sulesh si Gjergji ynë,

Kafkën pushtuese e përdhos nën këmbë.

Stinët ndërrohen mes turbullirës,

Dhimbja bulon nga bisqet e njoma;

Në arat e djegura mes dhimbjesh piqen

Tanke, parashutë, kufoma, drona

Me ju ne rendim në shpërthime bombash,

Shpirti merr plagë, digjemi në napalm,

Përleshemi me Katallanin e ri,

Ne jemi me Ty

Gjer në vdekje Ukrainë!…

2022