Atje, në vendin ku kam lindur-Llesh Gjoka


Llesh Gjoka

Atje, në vendin ku kam lindur

Atje ku bëjnë gjumin e rëndë kalatë

Troku i patkonjve tringëllon nëpër mjegull

e varret zgjohen sa bëhet natë.

Atje, në vendin ku kam lindur,

në tokën dardane me rrënjë pellazge

Lumenj të gjatë shtojnë rrjedhën e tyre

Sa herë njomet dheu me pika gjaku.

Atje, në vendin ku kam lindur,

rrugës së lashtë, tutje për Dodonë

Dikur deti nxinte nga anije piratësh

që vinin nga Mesdheu drejt detit Jon.

Njerëz të luftës, ushtarë të plagosur

Ndalonin në tempuj diku që të faleshin

Takonin orakujt dhe i pyesnin

Në cilën betejë heronj do të shpalleshin.

A janë rizgjuar atje lart perënditë?

Ç’thirrje e fortë tokën do ta dridhte?

Cili ishte ai, armiku i radhës,

Shpatat e nxehta t’ua nxirrte nga milli?

Atje, në vendin ku kam lindur

Erdh dhe një kohë tjetër për pushkë e penë

Nga tunele shekujsh si pishtarë u ndritën

Të gjithë ata që luftuan për atdhenë.

Atje, në vendin ku kam lindur

Ku krenaria shpirtin akoma mban peshë

Në jetë të jetëve do rrojë nderimi

Një Skënderbe, një Nënë Terezë!