Vullnet Mato

AURORA JONË KA AGUAR…
Ata që na njohin, kanë kuptuar,
se ne njëri-tjetrin duam shumë,
se aurora ime, tek ti ka aguar,
aurora jote, ka aguar tek unë.
Ata që na njohin, shohin se si,
ecejaket tona, vërshojnë si lumë,
kudo ku shkoj unë, gjendesh ti,
kudo ku shkon ti, gjendem unë.
Ata që të njohin, të shohin në sy,
dyshojnë, në retinë, ke fshehur mua.
ashtu si nën qepalla, kam fshehur ty,
e symbyllur, dukemi të dashuruar.
Ata që dëgjojnë, gjuhën tënde,
kuptojnë, kur ti ngec tek emri im
kurse unë pasi të rrotulloj në mendje,
të lëshoj mes tyre, pemë në gjelbërim.
Ata që na njohin, tashmë kanë kuptuar,
se ne të dy, nuk jemi thjeshtë miq,
se në zemrat tona, aurora ka aguar,
ndriçimin polar, na ka hedhur në shpirt.
Ndoshta tashmë, duhet të dalim hapur,
se jemi dy fjolla, të ndritshme aurore,
në arktikun e opinionit, të shkrijnë akujt
të na shohin të gjithë, dorë përdore!…