Baba Tomori
Po bie nata mbi trotuare, mbi to dhe dritat LED
E kushdo që të vjen përballë, sjell një fytyrë të zbehtë.
Bri kangjeleve të Portit, çmenden makinat, si në garë.
Mes këmbëve të ulërijnë qentë. Uria i bën guximtarë…
Guximtare ësht’ dhe kjo natë. Të gjitha mendimet m’i mori
Po, vë re:
Në errësirë ka mbetur ende kokëlartë vetëm Baba Tomori.
Gjyshërit e gjyshet, pa nipër e mbesa, ngulur në divan.
Ledhatojnë macet. Ndjekin të madhërishmin Sulejman.
Përleshen ushtri. Rrokullisen kuaj. Koka priten varg.
Dhe ata gogësijnë, dremiten, po gjumi u ka ikur larg.
Kujdestare edhe kjo natë. Të gjitha ëndrrat ua mori…
As që vënë re:
Përmes dritares së hapur, i heshtur i qorton Baba Tomori.
Po Baba Tomori, ç’bën, atje larg, gjersa ta fshehë nata?…
Më vjen në mendje ai dekor-horror që dje ma solli darka.
Dhëmbë të hekurt në ekran: dinamit, matrapikë dhe qysqi,
I çanin kraharorin. Ia shkulnin babëzisht brinjët-shkëmbinj
E, tek i shkelja ato në trotuare, të krisura, m’u ça kraharori…
S’u mbajta e thashë: si Zoti vetë,
I plagosur dhe prapë në këmbë për jetë ai, Baba Tomori…
