BABAI
Isha fëmijë,
Atë ditë q’pashë atdheun në hartë,
Dhe e mbulova me mollzën e gushtit tim aq të vogël,
E seç më shtrëngoi brinjët e holla.
Vendosa të mos rritesha më,
Të mos u zija frymën
vëllezërve të mi të shumtë,
motrave të mia,
Kisha shumë frikë
se aq pak vend
mund të mos na nxinte.
Ne në Epir
Na zihet fryma!
* * *
Mendimet mi priste si brisk mendimi,
Supit të brishtë m’i hidhte krahët trishtimi,
S’më lodhte më uria, më dukej si lodër,
I vogël ish atdheu, po pse kaq i vogël?!…
Të gjorin gisht me inat e shihja,
Me zë e qortoja ai veç dëgjonte,
Pse ish aq i madh, e vogël Shqipëria,
Atdheun si arriti t’a mbulonte!
* * *
Nuk di si dëgjoi im atë,
“Biri im mos vër lëngatë,
E duke qeshur mu afrua…,
“…nesër do të vish me mua!”
* * *
Dhe të nësërmen,
Im atë më mori me vehte në Tiranë,
Ik e ik e s’kish të mbërritur,
Të gjithë si fidanë të fishkur mbi kolltuqe rranë,
Unë hapje sytë, e shihja , shihja i çuditur!
Mendja mu mbush isha rrëmbyer,
I madh ish atdheu, i gjerë e i gjatë,
Gishti e kish fajin që më kish gënjyer,
E mora dhe më shumë inat!
* * *
Kish kaluar kohë e gjatë,
Prapë më gjeti im atë tek guri nën rrap,
Zogjtë vallëzonin me qenin mbi sofat,
Unë nuk bëja shkap!
“Ç’ke, më përqeshi, ke rënë në lloji,
Çfarë hata tjetër ka ndodhur tani?!…”
Unë, hëm… unë i thashë ulur sytë,
O ba, shokët më kanë sharë “evgjit”!…
Desha t’a pyesja por ai ndryshoi,
Sikur mes për mes plumbi i kaloi,
Desha të vazhdoja por ai e humbi,
Me shpullë më qelloi me shpejtësi plumbi.
Unë gjë s’po dija, veç e pash në sy,
Sy më sy shkëndija u pamë të dy!
* * *
Tani babai nuk është më,
Lisin ende s’ja kamë mbjellë,
Tufat e zogjve ulen përmbi të,
Kur kalojnë andej çdo të dielë!
Tani babai nuk është më,
Dhe jam i vetëm ndënë rrap,
Sa nevojë e kam një shpullë,
Po pres të ngrihet të ma jap!
…
(Vijon)
