Në pasqyrë e pashë, kish zënë vendin tim, babai.
Ngriva. Po kjo ç’të ishte?… S’e mbaja mend kështu.
Sa do të doja ta shihja kaq të ri, dy fjalë me të t’i ndaj.
Një zë sesi më doli po, dhe ai, në çast, u kthye flu…
Sa të kam dashur, s’ta kam thënë qoftë dhe një herë:
Për ç’ke bërë e ç’nuk ke bërë, gjithçka, ti s’ke harresë.
E dija, për mua heshtja jote kishte më shumë vlerë,
Ndaj do të doja bashkë kafenë ta pinim këtë mëngjes.
Me heshtje t’ma forcoje ç’kisha ndier tek ti tërë jetën:
Dinjitetin, zemrën e madhe por edhe të vërtetën.
Baba! S’do ta ndërroja pirjen e kafesë me asnjë tjetër.
Pata fat që të pashë. Fjalët e tua si të ishin fjalë shërimi…
Vërtet, më flisje kështu, me fjalë të asaj kohe të vjetër,
Apo mua m’i sillte vetiu kujtesa si pjesë ëndërrimi?…
“Bir! Ideali i ngjan yllit të mëngjesit, lajmëron agimin.
Provoje ta mbërrish atë, a mundesh dot? A ma provon?…
Po, dhe në s’mundesh, bëju marinar dhe ndiq betimin.
Ёshtë ai yll që si busull dhe në terr rrugën të tregon…”
Të rënda peshat në kurriz, baba, dhe s’u përkula kurrë.
Brenda tyre drita e diellit, ndaj kurrë zemra s’m’u tkurr.
