Balada e Odisesë-Kristo Çipa


Ka një shekull e pak kur prita e tradhëtisë preu Kapedan Odise Kasnecin, anëtarin e Lidhjes së Prizrenit dhe trimin e lirisë Sulo Bolenën.

BALADA E ODISESË

Sonte shpirtin ndize zjarr!
Kapedan Kasneci ynë
Dil limanit! Ç’bën në varr?
Zgjoja bregut parësinë!

Në Prizren drejto dorinë!

Kapedan mbështille natën!
Lidh mohimin! Zgjidhe dritën!
Bëhu shkëmb e prite dallgën!
Përmbi sup ngarkoje Çikën!

Si përherë ta pres pritën

Shkrije plumbin e paguar!
Derdhur në porosi nate
Sulo trimin ta qëlluan
Ai vdekjes i tha- Dale!

Shko në njerëz ,jo në Male!

Mbi dy gjunjë si hone mali
U mbështet Sulo Bolena
Mbrapa ishte kapedani
Si kalaja me bedena

Pritej lumi dhe rëkeja

Pritej lumi i kombësisë
Që zbriste Akroqeranit
Dhe rëkeja e trimërisë
Nga Bolena matanë malit

Dy fatosat e vatanit

Prit pak!- i tha pabesisë
Odisea përmbi Vishë
Ju njoh të bijtë e ruspisë
Monedhën vishni këmishë!

Jini si djalli në kishë!

Unë jam Odise Kasneci!
Roj në sarajet me oda
Shpirtin e kam marr nga deti
Eshtrat kam nga malet tona

Zgjimin ma ka bërë shqiponja!

Unë për syrin e lirisë
Detet më këmbë i kalova
Gjysëm hënën e Turqisë
Në djep të saj e mbështolla!

Dheun tim të plot kërkova

Ju me zanatin e dhelprës
Si maminjat e intrigës
Nuk i bëni dot prit veprës!
Buzë përroit të Vishës

O korbat e kallogrinjës!

Le ta marrë vdekja trupin!
Shpirti do trëndafilohet
Juve varkë keni turpin
Në llum të gjolit fundoset

Udhë e territ, jo nuk soset!

Ranë ca piumba shurdh e verbër
Ç’u prenë lisat, ç’u prenë!
Dhe të prerë prap të gjelbër
Se e donin Mëmëdhenë!

Shekujt me lule u venë

Sonte shpirtin ndize zjarr!
Kapedanë Kasneci ynë
Vjen Prizreni të ta marrë
Amaneti në Janinë!

Amanetet s’merakosen
Shkrepëtijnë!
Tej pas ishujve fundosën
Pabesinë!