Bashkim Saliasi-Shkolla, familja dhe komuniteti


Shkolla, familja dhe komuniteti

Nga Bashkim Saliasi

Modeli marrëdhënieve prind-mësues-komunitet bazohet në shkëmbimet reciproke të nohjeve në çdo aspekt të veprimtarisë shkollore.

Sistemi shkollor dhe ai komunitar ndërveprojnë me njëri-tjetrin, në mënyrë të tillë që të krijojnë mundësi për të përmbushur nevojat e komunitetit, si dhe mund të përmirësojnë përmes ndërthurjes së shkëmbimeve, cilësinë e jetës së qytetarve.

Rritja e dijeve dhe njohurive individuale brenda një komuniteti ndikon në shumë aspekte për të përmirësuar edhe cilësinë e jetës familjare. Përveç kësaj, shkolla shërben si faktor ndërlidhës midis familjes apo anëtarve të komunitetit, të cilët kanë nevoja të ndryshme për të përfituar shërbime sipas nevojave.

Shkolla, familja dhe komuniteti përbëjnë tre sisteme të dallueshme, por në të njëjtën kohë të ndërvarura nga njëra-tjetra. Në bashkëpunimin shkollë-familje-komunitet, së pari është e rëndësishme të përcaktohen raportet midis dy institucioneve sociale dhe më pas raportin e tyre me komunitetin, në mënyrë që të krijohet pamja e plotë e bashkëpunimit.

Gjatë kohës së bashkëpunimit, aktorët punojnë së bashku drejtë qëllimeve të përbashkëta, pavarësisht se janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Nëse aktorët bashkëpunues kanë vullnetin për të sqaruar në mënyrë të detajuar pikëpamjet e tyre dhe arsyet e të menduarit në një formë a në një tjetër, duke i bindur të gjithë se një zgjidhje është më konkurruese se një tjetër, atëherë mund të arrihet dakortësia.

Nevoja për të qenë në të njëjtën valë të të menduarit dhe të vepruarit, fillon që në përcaktimin e objektivave të punës së përbashkët, planifikimin dhe veprimtaritë konkrete. Në edukim është e nevojshme të flasim në të njëjtën gjuhë dhe të parashtrojmë të njëjtat kërkesa, si dhe të demostrojmë të njëjtën frymë, sidomos përpara fëmijve.

Me rritjen në moshë të fëmijës rriten edhe përgjegjësitë e tij si nxënës, kështu që është dhe lloji i bashkëpunimit ndryshon gjatë viteve të shkollimit. Mësuesit nuk mund të arrijnë të vetëm misionin e edukimit.

Prindërit dhe antarët e tjerë të bashkësisë janë burime të rëndësishme, të cilët kanë vlerat thelbësore për partneritetin. Prindërit janë edukatorët e parë të fëmijës dhe ata kanë njohuri për fëmijëte tyre, që nuk i di askush tjetër.

Fëmija është antar i familjes, po aq sa nxënës i shkollës dhe anëtar i komuniteteteve të ndryshme dhe pjesëtar i shoqërisë. Shkolla, familja dhe komuniteti, si dhe gjithë shoqëria kanë interesa dhe qëllime të përbashkëta mbi fëmijën.

Familja dëshiron një fëmijë të kompletuar, dhe shkolla ka si qëllim plotësimin e kësaj nevoje të familjes.

Edhe shoqëria ka nevojë për qytetar denjë dhe të devotshëm për ta çuar përpara atë dhe për të përmirësuar perspektivën shoqërore. Pjesëmarrja aktive e familjes në procesin e edukimit i ndihmon fëmijët të paisen me dije të qëndrueshme dhe vlera të qytetarisë demokratike.

Shkolla është mjedisi ku ndërtohet bashkëpunimi shkollë-familje-komunitet, ku qëndra e këtij bashkëpunimi është fëmija- nxënës, nevojat, dëshirat dhe aspiratat e tij dhe të familjes për realizimin e edukimit holistik të tij. Shkolla gjithashtu duhet të sigurojë një mjedis i cili afron dhe integron shërbime si për shkollën, ashtu edhe për familjen dhe komunitetin. Shkolla, familja dhe komuniteti bashkëpunojnë për të mbështetur, pasuruar dhe nxitur të nxënit e fëmijve formale dhe joformale, brenda dhe jashtë shkollës.

Shkolla integron programe dhe shërbime që mbështesin zhvillimin akademik të nxënësve dhe plotësojnë nevojat dhe interest e tyre. Gjithashtu Shkolla bashkëpunon me prindrit dhe partner të tjerë të komunitetit për të njohur, adresuar dhe përmbushur nevojat fizike, emocionale dhe sociale të nxënësve dhe për të garantuar zhvillimin e tyre të shëndetshëm.

Shkolla afron shërbime që ndihmojnë për zhvillimin e komunitetit dhe komuniteti është pjesë përbërse e aktiviteteve që organizon shkolla. Në këtë mënyrë nuk përfiton vetëm komuniteti nga shkolla, por edhe shkolla bashkëpunon me komunitetin për rritjen dhe përmirësimin e rezultateve të nxënësve.

Prindërit, komuniteti dhe stafi i shkollës janë partënerë të rëndësishëm dhe të barabartë në vendim marrje që ndikojnë në cilësinë e shkollës dhe arritjet e nxënësve. Përfshirja e prindërve nënkupton një lidhje bashkëpunuese midis familjes dhe shkollës për të përfshirë palët e interesuara në një sërë aktivitetesh edukuse.

Bashkëpunimi familje –shkollë është sistematikë, sepse ndërtohet në mënyrë të qëllimshme si një element themelor në përputhje me objektivat edukuse dhe arritjet e nxënësve. Familjet mbahen gjithmonë rreth programeve shkollore dhe progresit të nxënësve nëpërmjet veprimtarive të komunikimit shkollë-familje dhe familje-shkollë, aktiviteteve që përfshijnë njoftimet, memot, koferencat, botimet dhe mesazhet kompjuterike, internetin, dhe metoda të tjera inovative të komunikimit.

Prindërit vështirë se përfshihen në edukim, nëse ata besojnë se mësimdhënia u duhet lënë mësuesve apo se fëmija është i pari që ka përgjegjësi mbi edukimin e vet.

Perceptimi për rolin prindëror, si dhe ndjenja e të qënit i zoti për të ndihmuar fëmijën, përbëjnë dy faktor shumë të rëndësishëm të cilët ndikojnë në vendimet e prindërve.

About Post Author