Baskim Saliasi-Dy fjalë për lexuesit


DY FJALË PËR LEXUESIT

Në librin “Ne, ishim pesë shokë…” (Shënime të një emigranti),  përshkruhet jeta e pesë emigrantëve, në vitet 1991-1994, kohë të cilën e përjetova dhe unë. Jam munduar që t’i sjell lexuesit një vërtetësi, të cilën e jetova dhe e provova vetë. Pashë nga afër se si trajtoheshin emigrantët shqiptarë, kur  u mundësua lëvizja “e lirë” në vendin tonë fqinj,  siç është Greqia dhe që thuhet se ka një shtet demokratik. Të gjithë ata refugjatë shqiptarë u detyruan ta braktisin vendin tonë, për shkaqe të ndryshme subjektive dhe të shkonin në vendin e Plantonit, ku lindi dhe u rrit dikur demokracia e lashtë. Por, fatkeqësisht, ata provuan në kurrizin e tyre torturat më çnjerëzore, nga policia dhe ushtria greke.

Era e demokracisë, që fryu në Shqipëri, e gjeti popullin tonë të papërgatitur për një hapje të tillë. Turma njerëzish të pakontrolluar, që shkatërruan me duart e tyre atë çka kishin ndërtuar në 50 vitet e mbretërimit të pushtetit totalitar, të etur për pasuri ose mbijetesë, morën rrugën e emigrimit  edhe në këtë vend fqinj.

Hapja e ambasadave dhe më pas e kufijve mundësoi që turma të papërgjegjshme të marrin rrugën e emigracionit, pa ditur se ku shkonin dhe çfarë fati i priste. Një ndër ta, isha dhe unë, që u përfshiva në këtë vorbull dhe vuajta, në trupin  e në  ndërgjegjen time, të gjitha padrejtësitë e ultësitë,  që mund t’i bëhen një njeriu.

Pas sorollatjeve të mundimshme në ambasadën e Tiranës dhe në konsullatën e Gjirokastrës, ku ëndrra e sigurimit të një vize nuk u bë realitet, disa herë shkela tokën e Greqisë me këmbë, nga mali dhe nga deti. Edhe kur munda të siguroja një vizë turistike, kundrejt pagesës, nuk ndjeva siguri, sepse ne shqiptarëve na shikonin si “njerëz me bisht”. Ndërrimi i detyruar i emrit nga ana e emigrantëve, pra dhe nga unë,  ishte një poshtërsi, që u bëhej njerëzve të vendit të lirë fqinj, me dijeninë e shtetit nga fqinji, që i priste këta mjeranë.

Por ne e përjetuam, në mënyrën tonë atë kohë, me të këqijat e të mirat e saj, falë njerëzve të thjeshtë  grekë. Ata na pritën e punësuan, na lanë e ndërruan, pa marrë parasysh ligjet e shtetit të tyre. Popujt janë të gjithë njësoj dhe e respektojnë njëri-tjetrin. Mendoj se politika, që atje bëjnë shteti dhe kisha greke, mbetet për t’u dëshiruar.

Unë vetë e përballova atë sfidë, falë përgatitjes për jetën, pasi më kishte rënë shorti të stërvitesha për t’u përballur me kushtet e një jete të vështirë. Nëpër librat e lexuar, kisha mësuar se vetëm “diversantët”,  që hidheshin në vitet e para pas çlirimit, kanë provuar të flenë në male, të kalojnë lumenj e dete dhe nuk dihej a ktheheshin të gjallë nga atje, ku ishin nisur.  I mbetur i papunë dhe i nxjerrë në asistencë, më takoi që të përballesha  me vuajtjet, në shi e breshër dhe deri në kalimin e detit, me një dyshek komerdare plazhi.

Kur tani shikoj fëmijë, kur shkoj në plazh, flas me vete: “Pse, unë kam qenë ai, që kam hipur në ata lloj dyshekësh dhe kam përshkruar kanalin e Korfuzit?” Por, deshi Zoti që, pas 56 orësh, të mbetur pa ujë dhe ushqim, arritëm të mbijetonim!

I detyruar për të mbajtur familjen, mora në sy rrezikun dhe nuk pyeta më, nëse do kthehesha i gjallë ose jo. Mos t’u duket habi, se shumë djem e vajza, të cilët kanë humbur pa adresë, janë nga ata, që udhëtuan rrugë e pa rrugë, në gjetjen e shpresës për jetën dhe sot nuk dihet, nëse janë gjallë ose jo.

I lindur në fshat dhe i larguar, që në moshën 15-vjeçare, në qytetin e Fierit dhe më vonë në atë të Shkodrës, isha i stërvitur për t’u përballur me situata të vështira në jetë.

“Njeriut, – thosha me vete, – nuk duhet t’i mungojë besimi në vetvete dhe të mos dijë se ç’është entuziazmi. Ai duhet ta kundërshtojë çdo përçapje, që do ta rrezikonte sadopak. Ai  nuk duhet t’i trembet shiut me gjyma ose breshrit; të mos ketë frikë nga qentë në përgjithësi, të vegjël ose të mëdhenj qofshin;  të mos jetë i prirë që t’i bëjë bisht çdo gjëje të guximshme; të mos tregohet indiferent ndaj mësimit të notit… Jeta nuk ecën si në vaj dhe nuk është e shtruar me dafina, por është një rrugë e gjatë e  pa krye dhe, po nuk dite ta trajtosh, bie e thyen kokën.

Njeriu nuk duhet të humbasë për asnjë çast besimin te Zoti, që e ka sjellë në jetë. Të lexosh dhe të nxjerrësh mësime nga përvoja e njerëzve, që kanë vuajtur, është një vlerë e paçmuar, që fiton në jetën tënde. Besimi në vetvete është një gjë e madhe, që të bën të guximshëm dhe të mos jesh frikacak. Jeta nuk shikohet bardhezi, por në kolor, me të mirat dhe të këqiat e saj”.

Në vitet, kur qëndrova në Greqinë fqinje, pash me sytë e mi keqtrajtimin, që u bëhej shqiptarëve nga ushtria dhe policia greke. Të detyruar të jetojmë e të flemë në kushte mjaft të vështira, përjetuam strese dhe ankthe të forta, duke menduar se,  mirë që po biem për të fjetur, po a do të zgjohemi të gjallë, ditën tjetër.

Sa e sa djem nënash humbën pa ndonjë shenjë dhe nuk dihet se ku e kanë as varrin. Në një nga ditët e korrikut të vitit 1991, nga ora gjashtë e mëngjesit, dolëm nga shinat e trenit në Rio për të kërkuar punë dhe midis shinave pamë një kufomë, të cilës i ishte prerë koka. U larguam të tmerruar dhe nuk na shqitej nga sytë trupi i masakruar, në atë mëngjes. Ngjarje të tilla në Greqinë fqinje nuk ishin të rastësishme, por ato ndodhnin vazhdimisht, si në zonën kufitare dhe brenda mjediseve të saj.

 Në këtë libër, lexuesi gjen tema të aktualitetit, të cilat janë përjetuar jo vetëm nga unë, të cilat i kam përshkruar me  mundësitë, që më jepet për të shkruar, por dhe ngjarje të ngjashme, të përjetuara nga emigrantët, jo vetëm në ato vite, ashtu dhe në ditët tona.

Njëri nga lexuesit e librit “Ne, ishim pesë shokë…”, ende pa u publikuar, është nipi im, Fitimi. Ky e provoi emigracionin në Greqi dhe më pas shkoi në Angli. Më ka treguar se si emigrantët, që kishin hequr mënjanë disa kursime, kur filloi të hapej rruga e transportit klandestin për në Angli, lanë Greqinë dhe u hipën mauneve, duke provuar torturat më çnjerëzore dhe duke i kryer të gjitha nevojat brenda në karroceri! A nuk të kujtojnë ngjarjet me skllevërit e kohëve të vjetra, që ne i lexojmë në libra ose i shikojmë në filma, analoge me ato që provuam dhe po provojnë sot, në ditët tona, emigrantët e kudogjendur  shqiptarë, nga trajtimi antinjerëzor, që u bëhet në shtetet, ku janë të detyruar të gjejnë vetveten.

“Një ndër ‘ta isha dhe unë,-më tregon Fitimi.-Kur zbrita në Londër, thashë me vete se paska Zot. Sepse, nga çasti në çast, mund ta shihje veten në fundin e detit”. Nuk është vetëm ky nip i imi, i cili,  kur e  lexoi librin, m’u shpreh se të gjitha, sa kam përshkruar në këtë libër, ai i ka hequr në kurrizin e tij. Një ditë, kur m’u desh që ta printoja dorëshkrimin në një qendër Interneti, djali që punon aty, më tregoi se ka qenë emigrant në Greqi. M’u lut që ta ruante në kompjuterin e tij dhe ta lexonte librin, që printova. “Me kënaqësi”, i thashë atij. Kur shkova prapë aty, pas dy javësh, që ta printoja atë përsëri, sepse e kisha korrektuar, ai më tha me sinqeritet: “Të gjitha ato, që ti ke shkruar, më kanë ndodhur dhe mua”.

 Tiranë, janar 2011                                            AUTORI 

About Post Author