Begu Davë-Të fluturoj hapsirash…


Të fluturoj hapsirash…

Sot mëngjesi i freskët vjeshtak

vjen e m’puth ëmbël sytë e përgjumur,

e m’prek të gjith trupin e lodhur

prej mundimesh t’mia.

Vjen e më zgjon pa më pyetur mua

e un që dua të fle akoma,

akoma, më shumë sot,

i them ik të lutem ik…

dua të rri në shtratin tim, në të dielën me diell,

të pushoj e t’thelloj mendimet,

dhe të kujtoj pak, ëndrrat që pash në natë

që më çuan larg, larg, po shum larg…

Dua të fluturoj me mendimet e mia të rrëmujshme,

nëpër hapsirat e kozmosit

atje ku qetësia ulet bashk me mua,

atje ku rrëfehem lirshëm dhe mendohem qetësisht,

e të nis të vë rrëmujën në vijë.

Të qëndroj në krahët horizontit e t’qiellit blu,

atje në lartësinë e universit ku s’të rëndon asgjë,

atje ku gjen paqen dhe tretet zemërimi.

sy mbyllur në imagjinatën e fluturimit,

me mendjen hapsirave qiellore, që të mbushin shpirtin me frymë,

aty ku rifreskohesh, dhe të hapen sytë e përgjumur,

dhe të nis të rikujtoj ëndrrat që m’u shfaqen në natë,

ndoshta njëra nga ëndrrat do t’jetë e bukur,

ndaj dua ti rikujtoj ato prap, prap e prapë.!

Begu Davë !

4 / Shtator/ 2022.!

About Post Author