Berzat Sadiku:Alfabeti – diell mbi atdhe


Berza Sadiku:Alfabeti

Alfabeti është diell mbi atdhe,

është fillim pa mbarim;

alfabeti është dritë mendjeje,

është raketë në fluturim

Alfabeti është shkronjë,

alfabeti është Abetare;

është fjalë e ëmbël – mjaltë,

alfabeti është rreze në dritare

Alfabeti është betim,

është manifestim;

alfabeti është besë

nëpër shkolla – notë pesë

*

Alfabeti është dashuri,

buzëqeshje dhe gëzim;

alfabeti është lumturi,

është valle pa mbarim

Alfabeti është ninulë,

është këngë që jehon;

është shpirt i pavdekshëm,

që atdheun e përparon

*

Alfabeti është qiell i kaltër,

është yll që nuk bie;

alfabeti është kripë,

që bukës i jep shije

Alfabeti, është bimë në mugullim,

është lule në lulëzim;

është shqiponjë në fluturim,

është zog në cicërim

*

Alfabeti i nëm tradhëtarët,

i ka miq: punëtorët, dijetarët;

alfabeti është flamur,

që nuk zbehet kurrë

Alfabeti është gjuhë e shenjtë,

është margaritari më i shtrenjtë;

alfabeti është popull besnik,

që s’e mposht asnjë armik

*

Alfabeti është Samiu dhe Naimi,

Gurakuqi, Fishta dhe Sotiri;

alfabet është Manastiri,

po edhe Marigona dhe Ismaili

Alfabeti është paqja,

është e dashura – liria;

alfabeti rron, jeton,

aty ku lulëzon shqiptaria

About Post Author