Berzat Sadiki-Fjalët janë të gjalla


FJALËT JANË TË GJALLA

(Ekzekutimi i fjalëve)

Gjurmët gjithmonë do të mbeten.

Ato kërkuan të mbeteshin lule.

– Po ky,

që e mba barrën më të madhe se kodrat,

kush është?

– Ky është i përzgjedhuri,

i cili, më në fund, do të triumfojë.

Nëpërmes tulipanëve shfaqet Vidasusi duke kërkuar

t’i përkëdhelte venusianët dhe uranët.

Me kallëzi të freskët në dorë

Bedas i shfaqet Nidaba,

por ai e refuzon, pasi i duhej Rea

(vetëm për nder dhe respekt ndaj Zeusit).

Pasurohuni me dashuri.

Shembull e keni Diellin që prodhon dritë dhe ngrohtësi.

Që shpirti të marrë frymë, e ushqeni me aromë lulesh.

Fjalët janë të ndezura, të gjalla.

Përreth janë ogurët që lexohen me shkronja flakësh,

për të qenë lajmëtar,

duhet të kesh frymë druide.

Fjalët janë të gatshme.

Vetëm e presin radhën për t’u nisur te goja me shifër të caktuar –

për t’u ekzekutuar: si urrejtje,

apo

si

dashuri.

About Post Author