ATJE, KU JE VETËM ZOG
Çliro shpirtin, çliro mendimet!
Ato le të fluturojnë lirshëm
në paqe, në qetësi,
ku era e lehtë të çon atje ku do vetë,
atje ku shpirti është i qetë,
atje ku zemra nuk dhemb.
Sytë laj me lot!
Kur ata të shteren,
mbylli qepallat!
Sytë pushoi!
Merr frymë thellë
dhe kujto çastet e jetës së lumtur;
thellohu në arkën e fëmijërisë –
atje, tek ai sirtar i çmuar
i gjen fjalët e lira përplot ngrohtësi.
Kujto atë jetë kur vlerave s’u vure çmin,
ato vite që i kalove si melodi;
kur gjumin e bëje ëmbël,
kur zemra s’ta ka njohur trishtimin –
gjithmonë plotësuar me dashuri,
qeshur në fytyrë,
me shpirt të ledhatuar nga lumturia.
Sytë laj me lot!
Le të dalin mendimet e grumbulluara,
le të shpërthejnë,
le të thahen, të bëhen ajër,
le të bëhen erë
dhe kurrë të mos kthehen më.
Pasi lotët të të ishin shterur,
bëhu sikur zogu në pranverë –
hapi krahët dhe fluturo andej nga do vetë;
era lehtë-lehtë të të bart,
të çojë atje –
atje ku gëzimi e ka mbytur trishtimin –
atje, ku je vetëm zog.
