Berzat Sadiki:Mbin akull zemrave


MBIN AKULL ZEMRAVE

Ai

yll i çalë (thanë kaldeasët)

pështyn mbi Hënën,

kurse mallkimet e saj

e sollën dimrin dhe verën

nëpërmes birës së gjilpërës.

Heshtje. Heshtje që vret

sikur ta bartësh qiellin mbi supe.

Të gjithë veprojnë si fëmijë dhe si filozofë.

Gjigantë janë të gjithë,

përveç pirrhanëve pa forma fizike.

Mbretëria qiellore s’është gjë për njerëzit

që e duan urinë sikur Noa të vërtetën.

Fjalët janë të pakapshme në prani të Neandertalit,

mbase ai,

në këto çaste përpiqet ta zbulojë Marsin.

Numrat fluturojnë si shifra magjike,

e përbirojnë jetën si shoshë.

Kazani valon me mendje të kthjellëta.

Anekënd ka humbur kuptimi ndaj galaktikave.

Shtrydhen grushtat për hiçgjë,

sepse nuk e dinë kuptimin frymëmarrjeve të tyre.

Përdridhen mustakët për nder të fitoreve të përhumbura,

prandaj

mbin

akull

zemrave.

About Post Author