Berzat Sadiku

Absurdet komuniste dhe karrierat letrare
Shkrimtarët e periudhës komuniste gati se të gjithë shkruajtën vepra për ta lartësuar komunizmin, komunistët dhe ambientin komunist të kohës. Sapo e lexova një vështrim letrar të një autori të asaj kohe ku i paraqet tre autorë po të asaj kohe, dy tanimë të vdekur dhe një të gjallë, i quan postmodernistë dhe me fjalë të stilit letrar i lavdëron dhe i ngre në piedestal. Soji i këtyre është i njëjtë, shkruajnë për njëri-tjetrin që të madhështohen. Habitem se si këta “madhështorë” arritën të botonin në atë kohë të vështirë për fjalën e lirë të shkruar, a thua këta autorë nuk ishin të lidhur me pushtetin dhe shërbimet e tij? Në çfarë dimensionesh u frymëzuan dhe u motivuan për të shkruar këta? Padyshim se u frymëzuan nga Kardelat, Marksat, Titot, Enverat, Hasanat, Mugoshat, pra vërtet qenkan “madhështorë”!
***
Kur unë shkruaja, për çdo shkrim që botoja, më vinin policia te dera e shtëpisë dhe e shqetësonin babain tim, nënën dhe gjithë familjen, kurse mua si adoleshent më merrnin në pyetje në polici. Pyes: pse mua më ndiqnin dhe pse këta “madhështorët jo”?! A e dini pse? E dini pra. Sepse nuk isha në parti dhe nuk shkruaja për ta, për komunizmin (për partizanët dhe heronjtë e tyre të vdekur a të gjallë), shkruaja për dashuri dhe për liri.
Në rini, një libër në dorëshkrim e varrosa në tokë, një tjetër e dogja në stufë, po të isha “partiak dhe besnik” do të më kishin lejuar t’i botoj, madje edhe do më kishin dhënë poste dhe dekorata, banesa…
Ju, që botuat gjatë asaj kohe, pa përjashtime, vërtet paskëshit qenë “madhështorë”. Sot, po u lustruat pa hile, do të dilnit e dini vetë si.