Berzat Sadiku
Bëhu stoli e saj

Berzat Sadiku:Bëhu stoli e saj
(Koha është çasti)
Jeta matet me kohë.
Po s’e pate kohën,
S’e ke as jetën.
Koha është mendjemadhe.
Lazdrane.
Nazetore.
Asaj i afrohesh me lutje,
me përulje,
me përkëdhelje.
Koha nuk ka çmim.
Me urtësi dhe me dashuri
e ke falas.
Koha është e shpejtë.
Ajo s’të pret asnjëherë.
Në daç ta takosh,
dili përpara, prite!
Prite,
lute,
binde!
Koha, nuk është ora.
Nuk është as dita.
As nata.
As motet.
Koha është çasti.
Çasti është jeta.
Shiko atë,
preke,
shijo,
sepse vetëm atëherë jeton!
Në daç të jetosh,
kohën bëje gjerdan!
Jeto në rruazat e saj!
Bëhu stoli e saj!