Berzat Sadiku:Dashurisë së madhe


DASHURISË SË MADHE

Sa dhimbjeve
u përballova për t’i thënë
vetëm dy fjalë të çmuara,
të cilat me guxim dhe trishtim
i shkruajta shkurt
edhe mbi asfalt me dy shkronja,
me të cilat
e dëshmova dashurinë ndaj teje.

Luaja me hanën.
Të shihja në fytyrë të saj
dhe me yje
e hartoja shtatin tand
me fustan kuq e zi,
që ta pëlqeja shumë,
ngase e kisha shkëndijë
të ngulitur thellë në shpirt,
ku më bënte dritë,
ma mbante ndezur
dashurinë për Ty.

Sa shumë kisha dëshirë
të ishim bashkë
në ato stinë,
që ishin stinë
të Dashurisë së Madhe.
Por këto stinë
ishin edhe stinë ankthi,
ku ajo dashuri dënohej
me grila dhe me gjak.

Për hir të emrit tand
i harroja ditët me diell,
e harroja rrjedhën e lumit
edhe shiun e futa në kangët e mia
së bashku me vuajtjet.

Janë kangë të paharruara,
të skalitura shpirtit
me vuajtje dhe dashuri.

E flijova dashurinë e vogël,
të gjithën,
me përqafimet,
me ëndërrat,
me lulet,
ia fala Dashurisë e Madhe.

Ah, sa doja
që dora e saj e bekuar
të zgjatej mbi ne
sikur dora e nanës
që i përkëdhel fëmijët jetimë.

Mbi dorë të nanës sime
të binte ajo dorë,
që e kisha Dashuri të Madhe.

Ajo ishte, ajo,
që e doja me jetë përjetësisht.

About Post Author