Berzat Sadiku:Enkas për ty


Berzat Sadiku

Enkas për ty

Vitet vijnë e shkojnë.
Shkojnë e vijnë.
Unë e kam kohën time
në të cilën jetoj.

Koha nuk është vite.
As ditë e orë.
As nata e dita –
Ajo është çaste.
Çaste si mendime.
Si kujtime.
Si shikime.
Si prekje.
Si tinguj.
Si zë.
Si fërfëllimë.
Si aromë.

Jeta është çaste.
Çaste ëndërrimi.
Ëndërrime syçela.
Ëndërrime symbyllura.

Çastet janë meditime,
ku lundron mendimeve.
Fluturon kujtimeve –
bredh tyre.
Bredh tyre edhe fjetur.
Bredh tyre zgjuar,
për t’i ndier,
për t’i parë,
për t’i shijuar.

Çastet janë si dielli.
Si hëna.
Si yjet.
Si deti.
Si flutura.
Si bilbili,
Si trëndafili.

Çastet janë guaska,
guaska në fund të detit.
Perla në zemër të zemrave.
Këngë pëllumbash të bardhë.
Dëshira zanash.
Mbi farkë, shkëndija shprese.
Pika shiu mbi xhama.
Pika lotësh gazmore faqeve.
Ylbere lumenjve të zemrave.
Zemra drenuashave.
Fjolla bore pranverore.
Agimeve, gëzime, fat.
Qiellit, perla dëshirash, lutjesh.
Rrugëve, mbarësi.
Krahëve engjuj, fëmijë.
Jetës, paqe, dashuri.

Çastet janë ajër në krahëror.
Buzëqeshje nëpër buzë.
Fate në dorë.

Çastet janë rrahje zemre.
Mekulli në sy.
Janë përjetime shpirtërore –
enkas për ty

About Post Author