Berzat Sadiku
Kujdesuni për mendjen

Mirëmbani mendjen!
Kujdesuni për të
si kurrkush tjetër!
Mendja është pasuria
e vetme,
me të cilën mund ta kaloni
çdo pengesë.
Të tjerët,
u duan të jeni
sa më budallë.
Të mençurit
janë ajka e popullit,
janë diamantë
dhe thesari më i çmuar
i njerëzimit.
Kujdesuni për të mençurit!
Të tillët janë Dielli i jetës suaj.
Janë shija e jetës,
liria,
lumturia.
Në shpirt dhe në zemër,
të zënë vend të mençurit!
Ata të jenë dëshirat e juaja të para.
Të mençurit t’i doni
më shumë se buka dhe uji!
Për ta të jeni të etur
dhe të uritur,
sepse me ta,
do ta mbani ekuilibrin e jetës.
Kujdesuni për mendjen,
mëngjes e mbrëmje,
mbrëmje e mëngjes,
gjatë gjithë jetës –
ajo është strofulla
dhe pallati më i çmuar
i trupit tuaj.
Kujdesuni për mendjen,
të mos u krimbet!
Të krimbur ju do armiku
dhe satana.
Ju, të mençurit,
bëhuni tok,
sikur dielli!
Shpërndani mençurinë
sikur dielli rrezet e tij,
gjithkund!
Duart tuaja
të bien mbi çdo kokë,
sepse ju jeni magjia,
që e shfaros të keqen,
që e zhduk farën e mjerimit.
Kujdesuni për mendjen!
Atë ua duan sulltanët,
luanët dhe sorrat;
atë ua duan morrat,
horrat;
ua duan të tillë,
që t’ua hanë,
t’ua pinë,
duan të jeni të nënshtruar,
u duan sa më budallë.