Berzat Sadiku
Kur nuk do të jem

(Më përkujto)
Një dite, kur nuk do të jem,
më kërko nëpërmes vargjeve,
mes fletëve të librave
Atje, më gjen, strukur mes shkronjash,
më gjen të mbyllur brenda kopertinave –
aty më gjurmo
Nëpër titujt e poezive, nëpër vargje –
e gjen edhe emrin tënd
edhe dashurinë time për ty
Në daç, puthe librin,
por mua nuk më takon;
do të zbulosh sa fuqishëm të pata dashur
Një dite, pasi nuk do të jem,
do të plakesh – e thinjur –
do të më përkujtosh me lutje.