Beteja e Dibrës, 3-11 prill 1941-Nga Sakip Cami


Beteja e Dibrës, 3-11 prill 1941,
sipas studiuesit italian Gian Carlo Fusco dhe e vërteta e zhvillimeve në terren

Nga Sakip Cami

Citojmë në fillim variantin e Gian Carlo Fuscos:
“Beteja e Dibrës e prillit 1941, ndonse e lënë në heshtje nga historiografia zyrtare shqiptare dhe më gjërë, u zhvillua nga 3 deri më 11 prill të vitit 1941 në luginën e Drinit, në zonën ndërmjet Zerqanit dhe qytetit të Dibrës.
Kjo luftë shkaktoi jo vetëm me qindra të vdekur nga të dy palët, italianë dhe jugosllavë, por shkaktoi dëme të shumta në njerëz e materiale ndër popullsinë shqiptare këtej e andej kufirit.
U zhvillua me urdhër të Musolinit vetëm për t”u treguar gjermanëve se sa i aftë është ai dhe ushtria e tij edhe pse ushtria gjermane po marshonte nëpër Jugosllavi me ritme të përshpejtuara dhe pa hasur asnjë pengesë.
Me urdhër të Musolinit me 1 prill 1941, Divizioni Italian “Cuneense” që po organizohej për të sulmuar Këlcyrën, u transferua me urgjencë në Zerqan, me objektiv zyrtar për të mbyllur luginën e ngushtë të Zerqanit në rast sulmi nga ana jugosllave drejt Tiranes. (Linja blu e hartës).
Me 3 prill trupat italiane të këtij divizioni, batalionet “Pieve di Teco” me makina dhe ” Ceva” e ” Mondovi” në këmbë mbërritën në Zerqan.
Me 8 prill 1941, dy ditë pasi Gjermania i kishte shpallur luftë Jugosllavisë dhe po marshonte kudo pa hasur rezistencë, trupat italiane të sapo ardhura së bashku me divizionet “Firence” dhe “Puglie” u vendosën në formacione luftimesh në formë pince (dare) nga Qafa e Prevallit e deri në Pocest.
Me 9 prill trupat italiane të ndara në dy kolona, njëra nga veriu e tjetra nga jugu marshuan drejt qytetit të Dibrës. (2 linjat e kuqe të hartës).
Kushtet klimatike shumë të këqija, reshje të shumta dëbore, acar dhe dhe mjegull e dendur që pengonte shikimin, vështirsonin tej mase ecjen përpara.
Ndonse trupat gjermane ndërkohë kishin marrë qytetin e Prilepit, vetëm 85 km në vijë ajrore në lindje të qytetit të Dibrës dhe po marshonin pa pengesë drejt qytetit te Dibrës nga lindja, trupat italiane për 2 ditë mbetën të bllokuara nga ushtria jugosllave dhe zjarri i artilerisë dhe nuk arritën të bënin asnjë hap përpara.
Me 11 prill 1941, me kapitullimin e ushtrisë jugosllave nga ushtria gjermane dhe ndërprerja e luftimeve, ushtria italiane mundi të hynte në qytetin e Dibrës.
2 ditë luftime të kota, thjesht nën moton e Duçes ” Do i thyejmë kockat armikut dhe do i tregoj Hitlerit se kush është ushtria italiane”!
Ushtria Italiane e përgjysmuar dhe e demoralizuar pas 6 muaj humbjesh me ushtrinë greke, i shpalli luftë Jugosllavisë, duke sulmuar në Dibër dhe në Koplik.
Në Koplik u thye dhe trupat jugosllave arritën deri në Vrakë dhe rrezikuan Shkodrën, kurse në Dibër nuk bënë asnjë hap përpara, por rrezikuan thyrjen dhe lënien e lirë të rrugës për Tiranë.
Përparimi në mënyrë të përshpejtuar i ushtrisë gjermane nga Prilepi në Dibër të madhe, solli kapitullimin e trupave jugosllave dhe shpëtoi italianët nga thyerja e plotë.”
(Harta e marrë nga libri italian)
( Gian Carlo Fusco, Guerra d’Albania )faqe 88-90, Milano, 1977
Sikurse duket nga harta, vijat e kuqe, divizioni pasi përqëndrohet në Zerqan, marshon në dy krahë, të majtë dhe të djathtë që synojnë Dibrën e madhe. Brenda kësaj dare janë fshatrat Strikçan, Lubalesh, Viçisht, Pasinkë, Çerenec, Shupenzë, Topojan, Bllatë e epërme, Maqellarë.
Aksioni luftarak i prillit 1941, kundërveprimi ndaj fashistëve, dëshmorët e parë
(Nga libri im “Lufta Nacional Clirimtare në Dibër, faqe 155-156)
Në ditët e para të prillit, italjanët shtrinë forcat e Divizionit “Firence” në vijën Maqellarë–Shupenzë-Miresh-Klenjë e deri në Librazhd. Në brezin e dytë që fillonte nga Smolliku në Strikçan-Zerqan-Fushë-Bulqizë-Mali i Bllacës-Katër Grykët qe vendosur Divizioni Alpin “Brenero”.
Atdhetarët dibranë bënë planin për t’u nisur në dy drejtime: Haxhi Lleshi, Ahmet Cami dhe Ymer Lleshi me 200 veta u nisën në krahun Sebetovë, Tërbaç, Çerenec, Viçisht. Aqif Lleshi me Hamdi Lleshin me 100 pushkatarë në Bllatë, Reshan e Maqellarë.

(Harta është marrë në Muzeun Historik të Dibrës) Sic shkruhet në krye të hartës, atdhetarët dibranë me insistimin e tyre luftuan kundër trupave fashiste në vijën Miresh, Sepetovë, Vicisht, Cerenec, Bllatë, Kllopcisht.
Më 6 prill filluan veprimet luftarake dhe në befasi të plotë u morën postat kufitare të Ostrenit, Mireshit e Viçishtit dhe erdhën deri në kodrat e Gjoricës.  Forcat e komanduara nga Aqif Lleshi morën postën e Bllatës. Gjatë luftës u bashkuan shumë fshatarë me luftëtarët kundër pushtuesve. Armiku la shumë të vrarë e të plagosur, sidomos në Miresh ku u godit një batalion i Divizionit Firence dhe u vranë 50 oficerë dhe ushtarë italianë, u zunë shumë armë, municione, veshmbathje, e ushqime që ju shpërndanë luftëtarëve.
Ranë dëshmorët e parë Abdurahim Lleshi e Vebi Jashari në Zonën e Maqellarës. Në kodrat e Çerenecit u vra mësuesi patriot Fasli Cami duke kryer detyrën e korierit. Më vonë italjanët vranë Musa Camin, Ejup Camin e Mexhit Lezin. Mbetën të plagosur Sefer Prapaniku nga Prapaniku dhe Xhelo e Hysen Jashari nga Kovashica. (LANÇ në Dibër Faqe 388)
Pas kapitulimit të Jugosllavisë, Italia fashiste dërgoi forca të mëdha në Dibër të Madhe. Ku filluan raprezaljet, internimet e masat e tjera shtypëse kundër luftëtarëve që përgjakën ushtritë pushtuese më 6 prill. Në këto kushte u bë e vështirë lëvizja prej 300 e ca vetësh, prandaj ato u shpërndanë pranë familjëve me qëllim që të vazhdonin veprimtarinë antifashiste në forma të ndryshme. , të gatshëm në kohën e rioganizimit, të kujdesshëm edhe ndaj mashtrimeve. Në pabesi” burgosën Ahmet Camin, disa Came të tjerë, Murat Bashën, Sali Llanin, Jashar Lelën, etj. Pëllumb Lleshin, Lutfi Lleshin, Shaqir Skukën, Nuz Majtarën i zbuluan dhe i internuan në Peqin, Kavajë e gjer në Itali”. ( Haxhi Lleshi ,Vite, Njerëz, Ngjarje, Tiranë, 1996 fq 43).
Autori italian e quan këtë luftë një luftë të kotë, një kapricio të Musolinit, por lufta e beteja të kota nuk ka sepse vriten njerëz e ushtarë nga të dyja palët. Dibranët i mbrojtën me gjak trojet e tyre, ndonëse të pakët në numër e me armatim të pakët.