Bibë Doda një protagonist në zhvillimet politike shqiptare të viteve ’30-70 të shekullit XIX-Dr. Nikollë Loka


Bibë Doda një protagonist në zhvillimet politike shqiptare të viteve ’30-70 të shekullit XIX

Dr. Nikollë Loka

Bibë Doda ka lindur në vitin 1820 në Orosh. Kishte shoqëruar babanë e tij në luftërat kundër rusëve në vitet 1828-1829(Faverial, 2004: 443). Pas vdekjes së Dodë Prengë Lleshit në derën e Gjonmarkajve plasi sherri për trashëgiminë e sundimit. Biba, të cilit i takonte, ishte i vogël. Në ato kushte, Valiu i Shkodrës caktoi si sundimtar xhaxhain e Bibës, Nikollë Prengë Lleshin, i cili do të kujdesej për qeverisjen e vendit në bazë të Kanunit, deri sa të burrërohej. Bibë Doda për disa kohë u tërhoq në Shkodër. Në moshën 13 vjeç ndodhet në një nga reaprtet e specializuara të ushtrisë osmane në Shkodër dhe në moshën 17 vjeç, kur I kishin dhënë gradën “Major”(Martini, 2012:71-75) menduan ta nisnin për në Mirditë, duke I dhënë një ndihmës. Valiu Hafiz Pasha deshi t’i jepte një bylykbash turk, me të cilin do të ndante pushtetin. Kreu Gjonmarkaj bëri sikur e pranoi dhe, pasi lajmëroi popullin e tij, u nis për në Orosh bashkë me bylykbashin Jusuf Abdyllah Beun. Me të marrë lajmin për nisjen e tyre, mirditasit u ngritën të gjithë, morën armët dhe marrshuan drejt grykës së Kreshtës, prej nga ishte porta hyrëse për në malet e Mirditës. Kur mbërritën aty, mirditasit i thanë Kapidanit se nuk do ta pranonin bashkë me Jusuf Beun, të cilin do ta vrisnin, nëse do të bënte vetëm një hap përpara. Jusuf Beu u kthye në Shkodër bashkë me zaptijet që e shoqëronin. Në vijim të kësaj ngjarje, mirditasit u mblodhën në kuvend dhe vendosën mos të pranonin kurrë ndonjë bylykbash, meqenëse deri atëherë Kapidani u kishte mjaftuar si drejtues i vendit(Tozer,2004: 227-228). Një përpjekje e dytë për të sjellë një bylykbash osman në Miridtë ishte bërë në vitin 1843, por mirditasit kishin kundërshtuar me të njëjtën vendosmëri. Me një popullsi liridashëse që refuzonte çdo ndërhyrje osmane në çështjet e saj, Kapidan Bibë Doda pati mundësi të ndiqte një politikë të vetën, pa iu bindur verbërisht Portës. Kështu, në shtator të vitit 1839, popullsia e Prizrenit e dëboi mytesarif Ismet Pashën. Valiu i Rumelisë i dha urdhër Kapidanit të Mirditës që ta ndihmonte mytesarifin që të rikthehej në pushtet, por Kapidani nuk pranoi dhe, meqë Guvernatori nuk kishte forca të mjaftueshme, qeveria u tërhoq dhe nuk i ndëshkoi rebelët(Ulqini, 2003: 24).

Pavarësisht se në horizonte kërkonte lirimin prej tutelës otomane, Biba I qëndroi përgjithësisht korrekt marrëveshjes me osmanët. Ai pranoi të luftonte kundër kryengritësve toskë të udhëhequr nga Rrapo Hekali e Zenel Gjoleka në vitin 1844(Hecquard, 2008: 243-245), si dhe në shtypjen e kryengritjes në Tetovë e Shkup, ku ishte mbledhur një ushtri shqiptare prej rreth 10 mijë vetësh. Me këtë rast Serasqeri i fali Bibës një kordhë nderi e një çift pisqollash(AQSH, F.10, D.1, fl.5). Kapidani mirditas u tregua I gatshëm të luftonte kundër malazezëve, në krah të ushtrive osmane të komanduara nga Omer Pasha. Forcat e Mirditës u morën krahët malazezëve dhe mbrojtën shpinën e ushtrive turke në tërheqje, ku kishte rënë në sy guximi dhe gjakftohtësia e Bibë Dodës, teksa forcat e tij mbulonin tërheqjen e një pjese të ushtrisë turke. (Loka, 2017:74). Ende pa e marr veten nga disfata me Malin e Zi, Perandoria Osmane në aleancë me Anglinë dhe Francën, u gjet përballë rusëve. Nga krerët shqiptarë, thirrjes së Sulltanit për luftë iu përgjigj vetëm Bibë Doda, i cili me 20 nëntor 1853 organizoi me krerët një kuvend në Shpal(Harapi, 1931: 229). Në fillim të vitit 1854, taborët e Bibë Dodës mbërritën në brigjet e Danubit dhe u rreshtuan përkrah forcave të Omer Pashës që drejtonte luftimet në atë front. Pashai turk e urdhëroi Bibë Dodën t’i kalonte forcat në anën tjetër të Danubit. Dhe, kur lufta ishte në favorin e rusëve, vetëm trimëria dhe kurajo e forcave të Mirditës i siguroi ushtrisë osmane fitoren(Harapi, 1931: 233). Kur Seit Beu i Matit në vitet 1859-1860 ngriti krye, ushtria turke që shkoi për ta shtypur rebelimin u ndihmua edhe nga pashallarët shqiptarë, në mes të cilëve Bibë Doda.(Loka, 2017: 75-76).

Për merita në luftë, më 1837, Divani i Armatës Mbretërore, me anën e një bujurlldie dhe sundimtari i Dukagjinit Izet Pasha me një letër drejtuar bajraktarëve të Mirditës i pohuan privilegjet e Mirditës dhe pozitën e Bibë Dodës si Kapidan i saj(AQSH, fondi 121, dosja 73, fl.1) Në vitin 1949, Kapidanit Bibë iu dha titulli Pasha. Dhe në vitin 1854 u gradua colonel e në vitin 1856 Gjeneral Brigade. Ishte kërkesa Dukës Maîakoff, që sulltani Abdyl Mexhiti t’i jepte urdhërin “Mexhidie” të klasit III, të shoqëruar me rrogë dhe shumë shpërblime.(D.D.F., 1871-1914. 2e série, 1901-1911. Tome 11:1036).

Bibë Doda u bë Pashai i parë i krishterë i Perandorisë. Në Mirditë pati bërë përshtypje jo të mirë pranimi prej tij i titullit “Pashë”, si dhe pranimi për ngritjen e një xhandarmërie në Orosh, që do të paguhej nga Stambolli(Nikaj,2003: 19). Nga ana tjetër, aristokracia evropiane ia njohu titullin “Kapidan” dhe e vlerësoi Bibën, duek e pare si udhëheqë të një lëvizje politike antiosmane. Me 16 prill 1844 Papa Gregori XVI i dha Bibë Dodës titullin “Kavalier i Urdhërit Civil të Shën Gregorit”, pas të cilit Kapidan Biba u pranua në shoqërinë e këtij urdhëri. Ndërsa Perandori Napoleoni III i Francës, në shenjë mirënjohje për angazhimin në luftën e Krimesë, i dhuroi “Shpatën e argjendët” dhe premtoi se do ta merrte nën mbrojtje Mirditën në arenën ndërkombëtare.

Pasuria e një Princi

Fillimisht e gjithë pasuria e Bibë Dodës ishte e përqendruar në Orosh, në vendlindjen e tij, aty jetonte familjarisht dhe përbëhej kryesisht nga blegtoria, që sipas Tozer shkonte “në 800 gjedhe, 1300 bagëti të imta dhe një numër kuajsh”(Tozer, 2004:310). Kishte dhe një sasi toke. Me tokën dhe blektorinë e tij merreshin disa banorë kundrejt pagesës. Me fitimin e titullit Pashë, Biba projektoi përfshirjen brenda krahinës së drejtuar prej tij edhe të trevave fqinje. Në funksion të kësaj ambicie, ai u vendos me shtëpi në Kallmet, ku ndërtoi sarajet e reja dhe gjatë viteve 1858-1866 bleu toka në Kallmet dhe Dajç të Zadrimës dhe dy dyqane në Lezhë(AQSH, F. Bibë Doda, dosja 8, dok. Nr.1 dhe 2). Në një dokument shitblerje në Lezhë shkruhet: “Katër personat e quajtur Ndrekë Palë Mëhilli, Mëhill Kola, Mark Zefi e Lazër Jaku deklarojnë se i shitën Kapidan Bibë Dodës së Mirditës një dyqan që ata kanë në tregun e Lezhës për vleftën 12 500 grosh. Nënshkrimi është bërë me dëshirën tonë”(AQSH, Fondi Bibë Doda, Dosja15, fl.18).

Synimi i Bibë Dodës ishte që të vendosej me banim në Shkodër, ku të njihej si I pari I të gjithë katolikëve të Shqipërisë, shumica dërmuese e të cilëve ndodhej në vilajetin e Shkodrës. Pas marrjes prej tij të titullit “Princ dhe Urdhërit te “Shën Gregorit”, u shtrua për diskutim vendosja e tij ne qytetin e Shkodrës dhe ne lidhje me këtë problem ka disa letërkëmbime. Meqenëse do të vendosej në pjesën e krishterë të qytetit, banesa do të gjendej nga ky komunitet. Sipas dokumenteve del se autoritetet osmane kishin bërë presion për lirimin e një shtëpie të ndonjë shkodrani të kamur për Pashën e Mirditës, që kishte sjellë dhe kundërshtimin e katolikëve shkodranë. Sipas dokumenteve arkivore “të krishterët e Shkodrës ishin detyruar me force, sipas urdhrit të që Reshid Pasha I kishte dhënë Valiut Ismail Pasha në Shkodër, që t’i gjendej një shtëpi për banim Bibë Dodë Pashës. Në atë document vijonin firmat e shumë qytetarëve shkodranë(Fondi Bibë Doda,dosja3,fl.7) Pas këtij kundërshtimi, Valiu i Shkodrës i shkruan qeverisë osmane për protestën e komunitetit katolik që kundërshtonte dhënien falas te një shtëpie banimi për Bibë Dodën, megjithëse sipas tij ai është katolik dhe premton një qeverisje të mirë”(AQSH, Fondi Bibë Doda,dosja3,fl.1)

Pasi u vendos me banim në Shkodër, Biba bleu toka në atë qytet. Në një kontratë të lidhur midis vëllezërve Gurakuqi dhe Bibë Dodës bëhet fjalë për shitjen e një toke në qytetin e Shkodrës(AQSH, Fondi Bibë Doda, Dosja15, fl. 1). Në një letër të datës 17 dhjetor 1861, Valiu i Shkodrës i shkruan Ipeshkëvit të Shkodrës një shkresë, ki I kujton përgjegjësitë e tij në lidhje me problemin në fjalë: “Qeveria s’ka qit e as qet peng për t’i gjet shtëpi Bibë Dodë Pashës, por asht vetë komuniteti që s’i gjen shtëpi(AQSH, Fondi Bibë Doda, dosja3, fl.4). Në ato kushte, Ipeshëkvi i Shkodrës detyrohet t’i jape pallatin Ipeshkëvnor dhe vetë u vendos te Katedralja.

Pallati i Bibë Dodës ishte ndër ndërtesat më imponuese në Shkodër. Në periudhën e rrethimit të Shkodrës nga malazezët, gruaja e konsullit Zambaur dhe fëmijët e tij u strehuan aty, pasi i përballonte më mirë bombardimet se Konsullata e Austro-Hungarisë(Zambaur,2006: 62).

Politikan realist dhe pragmatist

Megjithëse ishte i gatshëm të luftonte për turqit, Biba pas vitit 1849 vendosi kontakte me përfaqësues të principatave serbe dhe malazeze, me të cilët nëpërmes Abatit Gaspër Krasniqi përfundoi një besëlidhje për bashkërendimin e veprimeve kryengritëse kundër ushtrisë osmane në Ballkan(Harapi, 1931: 229). Njëkohësisht ai mbajti lidhje me përfaqësues të Francës, Austro-Hungarisë dhe Vatikanit. Nëpërmjet Malit të Zi kishte vendosur lidhje edhe me përfaqësues të Rusisë cariste. Bibë Doda ishte treguar I gatshëm që në rast të një konflikti të Francës me Perandorinë osmane të luftonte në krah të francezëve(Martini, 2012:124). Në kuadrin e lëvizjeve nacionaliste që shpërthyen në Evropë, intelektualët shqiptarë shikuan mundësinë për të organizuar një kryengritje, sipas shembullit të revolucionit italian. U mendua të krijohet një zonë të lirë, që do të shërbente si bërthamë e shtetit të ardhshëm shqiptar, siç kishte shërbyer Piemonti për Italinë. Këtë rol duhet ta kryente Mirdita, duke patur parasysh se ishte një krahinë e vetëqeverisur, ku ideja e lirisë kishte mbijetuar edhe disa shekuj pas pushtimit osman. Fillimisht Bibë Doda pranoi ta udhëhiqte kryengritjen dhe mori pjesë në organizimin e saj, por pastaj u tërhoq nga projekti për luftë, meqenëse ndihmat e premtuara nga Italia nuk kishin ardhur(Loka, 2011: 49-52). Por mirditasit, të padurueshëm për të luftuar kundër turqve, nuk iu bindën Kapidanit dhe, në kundërshtim me traditën e tyre, u mobilizuan për luftë nën udhëheqjen e Abat Krasniqit, që hoqi veladonin e priftit dhe rrëmbeu pushkën. Në gjyqin e organizuar me këtë rast, Bibë Doda ia faturoi organizimin e kryengritjes Abat Kresniqit dhe vetë doli I pafajshëm, por Abat Krasniqi u strehua në Konsullatën franceze në Shkodër dhe i shpëtoi arrestimit.(Martini, 2012:143-144). Bibë Doda, I vendosur ën Orosh ishte shkarkuar nga Valiu, por mirditorët kishin kundërshtuar që në vendin e tij të emërohet Kapidan Mark Doda(Martini, 2012:154). Pas pak kohe, Bibë Doda ishte ftuar në Shkodër dhe ishte pritur me respekt. Pas përçarjeve të brendshme, që shoqëruan dështimin e kryengritjes së Mirditës, Bib Doda nuk u njoh si Kreu i Mirditës nga Qeveria osmane dhe u ftua në Stamboll për të dhënë sqarime. Por, me kërkesën e Ambasadorit të Francës, De Moustier, ai u rivendos përsëri në Mirditë në vitin 1864, pasi kishte qëndruar 17 muaj në kryeqytetin perandorak. Në fillim të marsit 1863, Biba u nis për në Stamboll, i ftuar nga Porta e Lartë, ndërsa i përzgjedhuri i Portës, Kapidan Mark Doda bëri përpjekjen e rradhës për të zënë vendin e tij në Orosh, por mirditorët e mirëinformuar e pritën me pushkë, duke plagosur tre nga shoqëruesit e tij. Pas tij, autoritetet osmane të Shkodrës emëruan Mehmet Sokolin prej parisë myslimane të Shkodrës, por as ai nuk u lejua ta merrte detyrën e Bibës. Pas një qëndrimi prej 17 muajsh, Bibë Doda kthehet në Shqipëri, i konfirmuar si kreu I Mirditës edhe nga autoritetet osmane(Martini, 2012:158-160).

Pavarësisht se dështoi, kryengritja e Mirditës e viteve 1862- 1863 ka rëndësi në planin mbarëkombëtar, pasi për herë të parë u hartua një projekt për një principatë autonome ose të pavarur, si bërthamë e shtetit të ardhshëm shqiptar. Kjo çasje e re politike në marrëdhënie me osmanët nuk pati sukses edhe për shkak të ndikimit austro-hungarez që ishte angazhuar në ruajtjen e status quo-së(Loka, 2011, :49-52).

I kontestuar dy herë nga krerët e Mirditës

Në fund të vitit 1854, ndërsa Bibë Doda ishte kthyer në Mirditë për të mbledhur ushtri të re, Omer Pasha, duke gjetur si shkak thyerjen e disiplinës, komanda e ushtrisë turke në luftën e Krimesë e shpërndau repartin e mirditasve në njësitë e ushtrisë së rregullte dhe një pjesë të tyre që u gjykuan të paaftë u çarmatosën dhe u lanë të lirë të ktheheshin në Mirditë. Në relacionin që konsulli Balarini I dërgon Baronit Von Bruck, ambassador I Austro-Hungrisë në Stamboll shkruan: “Kapidani është kthyer në amlet e veta, por bashkatdhetarët e tij të hidhëruar nga poshtërimi që u është bërë, nuk deshën ta njohin më për kryetar. Nga ana tjetër, mirditorët pushtuan Zadrimën dhe u përgatitën për luftë, duke shmangur Kapidanin e tyre që e konsideronin “tradhëtar” (Martini, 2012:104-105). Mirditorët kishin rrethuar edhe shtëpinë e Pashës dhe për ta shpëtuar Bibë Dodën, me 12 janar 1855 u mblodh Komisioni i Pajtimit në Orosh, i përbërë nga Komisari i Portës, konsujt e Francës dhe të Anglisë me qendër në Shkodër dhe Ipeshkëvi i Lezhës(Hecquard, 2008: 243-245).

Kur Bibë Doda deshi të rekrutonte ushtarë që do t’i çonte në kufirin e Malit të Zi, shpërtheu një revoltë. Populli e akuzonte se në fushatat ushtarake të mëparshme kishte përvetësuar rrogat e luftëtarëve dhe se tani ai po i dërgonte drejt vdekjes. Me 23 tetor 1962, Bibë Doda u kthye në Shkodër, ku jetonte që prej një viti, ndërkohë që kundërshtarët e tij brenda Miridtës, në shenjë urrejtje i sulmuan pronat dhe i vunë zjarrin rezidencës së tij në Kallmet(AQSH, fondi 133, dosja 107,f.6). Lëvizjet e tilla dëshmojnë se Princi I Mirditës, pavarësisht pushtetit shtetëror që gëzonte, për të qeverisur në Mirditë duhet të mbështetej vetëm ën pushtetin kanunor, që e përcaktonte sit ë parin ndër të barabartët, duke e bërë të përgjegjshëm për çdo veprim të tij. Nga ana tjetër, ishte dhe një sinjal për Portën e Lartë se garantët e autonomisë tradicionale të Mirditës ishin krerët e vendit që e kishin trashëguar atë detyrë brez pas brezi dhe nuk kishin ndërmend të bënin lëshime.

Personalitet me ndikim në zhvillimet politike

Tregues i fuqisë së Bibë Dodës është edhe fakti se sekretar pati disa nga intelektualët e shquar shqiptarë të kohës. Për kohën e qëndrimit në Stamboll pati sekretar Pashko Vasën, një personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare, që më vonë u bë “Pasha” dhe Guvernator i Libanit. Kur qëndroi në Stamboll, prej 25 qershorit të vitit 1856 deri më 23 korrik 1857, Bibë Doda i ka dhënë Pashko Vasës, përveç pagës, edhe 13 mijë grosh shpërblim. Të njëjtën pagë ua kishte dhënë edhe sekretarëve të tjerë: Gjon Melgushit e Loro Gurakuqit(AQSH, Fondi Bibë Doda, dosja 8, dok. Nr.1 dhe 2).

Kur në Rrafshin e Dukagjinit filluan presionet ndaj katolikëve për kthimin e tyre në myslimanë, ndryshe duhet ta linin vendin(Korespondenca të konsujve fringe, 2011: f. 65), Bibë Dodë Pasha në krye të forcave të Mirditës shkoi në Prizren, por mytesarifi i Prizrenit, Nazif Pasha deshi ta injoronte, por me ndërhyrjen e Konsullit francez, u detyrua t’i organizonte një pritje zyrtare(Korespondenca të konsujve fringe, 2011: f.58). Vetë Biba, në marrëveshje me autoritetet osmane u ndalua në Prizren bashkë me forcat e tij, ku kishte qëndruar disa muaj, ndërkohë kishte dërguar Marka Gjon Kapidanin, zëvendësin e tij, në fshatrat e Gjakovës, për ta ndjekur nga afër situatën. Në atë situatë kishte ndërhyrë konsulli autro-hungarez, I cili bashkë me autoritetet osme e kishin zgjidhur situatën, e cila mund të kishte shpërthyer në një luftë vëllavrasëse me pasoja ndër shqipptarë.

Emri i Bibë Dodës u bë i njohur në kancelaritë e rëndësishme europiane. Princi i kishte kërkuar Konsullit të Francës në Shkodër që t’i përcillte Perandorit Napoleon III dëshirën që të bëhej kumbara në krezmim i djalit të tij të vetëm. Perandori i Francës pranoi dhe kjo ngjarje familjare do të bëhej burim shqetësimesh për autoritetet osmane në Shkodër, të cilat kurdisën planin për të penguar lidhjen e kësaj kumbarie që do të kishte pasoja të drejtpërdrejta në marrëdhënjet që Mirdita do të kishte me Francën.

Vdekja e Bibë Dodës

Në ato ditë, pashallarët e Shkodrës, në një rast festiv organizuan një gosti ku qe thirrur edhe Bibë Doda. Mbas gostisë Kapidani ndjeu dhimbje në gjoks. Në fillim mjekët nuk i dhanë ndonjë rëndësi, duke menduar se kishte çrregullime në tretjen e ushqimeve, por pastaj e deklaruan të sëmurë me idropizi. Brenda tri javëve vdiqën të gjithë shoqëruesit e Bibë Dodës. Kur ishte në shtratin e vdekjes, Princi thirri Konsullin e Francës dhe i tha: “Ja im bir, ja dhe paret e mija. Po ti besoj ty. Gjithçka më takon mua është në rojën tënde…”.

Bibë Doda vdiq më 28 korrik të vitit 1868(Faverial,2004:440) Ja çfarë shkruan Dom Ndoc Nikaj: “Në varrimin e tij morën pjesë konsujt e Francës, Austrisë, Rusisë dhe Italisë. Shërbesa e përshpirtëshme iu bë nga Arqipeshkëvi katolik, Monsinjor Poten. Kortezhit të përmotshëm me trupin e pajetë të Bibë Dodë Pashës i prinin dy pashallarë, pastaj vinin xhakoj e priftërinj që thonin uratë përshpirtënie e mbas tyne prifti i famullisë. Më mbrapa vinte Arqipeshëvi i Shkodrës me dy meshtarë. Mbas tyre vinte arkivoli i të vdekurit i mbajtun para duarsh nga djemtë e Mirditës. Mbas arkivolit vinin kapidanat e Mirditës me krenë e pari, të gjithë me xhurdi të zi e me kapele të lëshuara përpara e me pushkë të gjata nën krah me gryka përdhe(Nikaj, 2003: 81-82) Dhe më poshtë vazhdon: “Mbas varrimit të Bibë Dodës, armiqtë personal të tij, që për së gjalli nuk patën fuqi ta përballnin, natën shkuan dhe i çelën dhe i muerën rrobat e pashnisë. Nuk ishte qëllim vjedhje, por patën shndërrim që deshën ti banin mbas vdekjes. Porsa u muer vesh një shënim i tillë, Konsulli i Francës vrapoi tek Pasha i vendit dhe i dha lajmin telegrafik Ambasadorit të Francës në Stamboll dhe Ministrit të Jashtëm të Francës. Ashtu banë edhe Konsulli i Austrisë. Të dy pashallarët e Shkodrës shkuan në varreza dhe dhanë urdhna të forta për të zbuluue fajtorët. U muer urdhni prej Stambollit për ta rivarros Bibë Dodën me nderime të mëdha e me ba një varr monument, ku ishte shkruar në latinisht: Bibë Doda Oroshas, për trimni, drejtësi e fe në ma t’parët. Nderime Kreut e Princit të rritun n’madhni, që me t’turrmet në Kosovë, në Prishtinë, në Prizren, në Mal të Zi e dnër tjera vende bashkë, me ma t’naltat fuqi mbretnore shtypi anmiqt kah kaloi e n’lumin Ister (Danub) në luftë të rusve turiti ushtrina të panjehne. Jetoi 48 vjet. Diq në Shkodër më 1868 me 18 korrik. U prehtë në paqe(Nikaj, 2003:82).

Pas vdekjes së Bibë Dodë Pashës, autoritetet kujtuan se më në fund erdh momenti i duhur për ta likujduar autonominë tradicionale të Mirditës. Në një letër që Elena Gjika, vëzhguese e kujdesshsme e zhvillimeve në Miditë, i dërgon Jeronim De Radës, e njofton se “nëna e Bibë Dodës dhe djali i tij i vogël u dërguan në Stamboll(Sauku-Bruçi :2004 :146), ndërsa në një letër tjetër, duke i përcjellë të rejat e fundit nga Shqipëria, Princesha Gjika i shkruan: “Djali i Bib Dodës, Princit të Mirditës është gjithmonë i burgosur në Konstadinopojë, ku gjyshja e tij e internuar me të ka vdekur”(AQSH,F, 24,D54/1,fl. 197-198). Edhe në vitet që pasuan kujdesi i qarqeve atdhetare dhe i diplomatëve të huaj për familjen e Bibë Dodës qe i madh dhe tregon peshën reale që kjo familje kishte në zhvillimet politike që priteshin të ndodhnin në Shqipëri.