Bija e Shebenikut nè Myzeqe-Sheqere Sina


Lushnja nga fshati Pirrë, mbante 15 minuta me makinë. Kur zbritëm, qyteti ishte plot diell. “Po çfarë qe ai tufan, dje? – i thashë. – Mbase për të larë te këqijat tona,” tha ai me shaka dhe më shtrëngoi dorën. U ngjitëm në katin e 6, ku kishim hyrjen dhe na dolën para komshijet e na uruan martesën. Hyra në dhomë, nxora llokumet, që më kishte dhënë vjehrra dhe i qerasa.

Po afronte nata dhe si do shkonte halli, se nuk doja ta lëndoja, Fanin tani që isha gruaja e tij. Si do të flinim në atë krevat të vetëm. Luajtëm një copë herë me gocën dhe e futëm në mesin tonë. Unë ndjehesha si ajo lulja më rrënjë, që i kishin rënë gjethet. Por ai tha, se më ndjeu të freskët, si lule mali.

U ngrit, na puthi të dyja me vajzën dhe iku të interesohej për punë. “Kujdes vajzë dhe veten!” më tha. Në atë moment, u ndjeva më e mbrojtur se kurrë. Fani ishte paraqitur në zyrën e këshillit, kryetari e kishte pyetur ku banon dhe pasi e mori vesh që ishte martuar me mua, i kishte thënë: “Bëj kujdes, për të, ne e ndihmuam, i dhamë dhomë me urdhër të kryetarit. Shko bëj celebrimin dhe merr largimin nga Pirra!” Pastaj ai i kishte dhenë një urdhër pune për në fabrikën e tullave. Fani tha se atje paguanin mirë.

Atë ditë dolëm në qytet bëmë celebrimin, dhe ndonëse me shumë halle në kokë, u kapëm të dy dorë për dorë, e me vajzën në krahë, shkuam bëmë regjistrimin. Ai e mori përsipër rritjen e vajzës, por atësia dhe mbiemri vajzës nuk iu ndryshua, se kur ajo të rritej ashtu si djali, do kishin mbiemrin e vet. Kështu ne u bëmë me dy fëmijë. Mosha më e madhe e tij, na ndihmonte të hidhnim hapin me maturi dhe unë e dëgjoja, si fëmijë.

Të nesërmen ngritëm të dy, ai mori Besën në krahë, e çuan në çerdhe dhe u nisëm për në punë. Kur u ktheva nga puna, ai e kishte marrë vajzën dhe pasi kishte bërë gati ushqimin, kishte ushqyer Besën e po bënte gati ushqimin tim. Me këtë mënyrë ndihme, unë u lumturova shumë dhe m’u kthye buzëqeshja përsëri… Kështu ditët kalonin dhe në atë copë dhomë, ne ndjeheshim shumë pranë njëri-tjetrit.

Nuk zgjati shumë, erdhi babai im bashkë me nënën, të na shihnin. Fani u gëzua, kishte marrë rrogën e parë dhe e mbushi dollapin me ushqime. Por edhe babai u gëzua shumë, nga ky fat që më dhuroi zoti, pas ndarjes, të merrja një zotëri, që kishte nevojë për familje e më zgjodhi mua. Babai tha të bëheshim gati, se do shkonim te krushku atë të shtunë. Nëna më shikonte e nuk ngopej dhe tha: “O shyqyr që zoti të zhyti, por nuk të mbyti!”

Gjetëm një makinë dhe shkuam në fshatin Pirrë. Ku na priti po ajo bujari këndshme myzeqare me këngë, me iso, dhe disa lloje mezesh. Vjehrra theri një bibë, bëri tre copë byrekë dhe bakllava. Babai u kënaq dhe tha se kishte të përzemërt këtë miqësi. E donte Braçen, babanë e Fanit, se ishte bujar, punëtor dhe i mençur. Por sistemi i kishte ulur kokën.

Ishte vendosur demokracia, fshatarëve u dhanë toka sipas frymëve dhe bagëti, pasi kishin vuajtur edhe për të ngrënë. Kurse tani e kishin marrë veten mirë. Unë i thashë nënës së tyre, dua ta shikoj djalin e Fanit. Ajo tha: “Do kesh kohë bijë, do ta njohësh, e kam rritur nëna me këto dy duar!” dhe i krisën lotët.

Na përcollën buzagaz e na dhanë sende ushqimore me vete. Nënën e mbajta ca ditë në pallat që të çmallej, duke sajuar një shtrat provizor. Babai iku i kënaqur, se tashmë isha mbështetur te një njeri i mirë. Edhe nëna u kënaq, se e pa që Fani bënte shumë për mua. Ai mori mish dhe nëna, atë natë gatoi me dorën e saj edhe një zog të freskët, që ma dha vjehrra, kur erdhëm nga Pirra.

Ato tre ditë nëna ndjehej mirë, ndonëse nuk ishte mësuar në pallat. Tha se ishte rehatuar, por donte të flinte në klimën e Librazhdit, se ishte e sëmurë. E përcolla deri te treni dhe Fani nuk e la vetëm, e përcolli deri në shtëpinë e saj në fshat.

Tani zgjoheshim në flladet mëngjesore dhe iknim dorë për dore për në punë. Shpirti im ishte ringjallur dhe në sytë e Fanit shikoja dritë. Kësisoj iknin ditët dhe muajt. Lodhjen e Fanit dhe thinjat e tij, i ndjeja në trupin tim dhe përpiqesha të gatuaja me shije e të mbaja shtëpinë sa më mirë. Por kuptova, Fani ishte strikt, e donte çdo gjë shpejtë, ashtu si kishte ecjen, nuk duronte zvarritjet. Ai ishte i shkatërruar nga jeta dhe unë përpiqesha t’ia plotësoja të gjitha, që nga ushqimi, deri te pastërtia e rregulli. “Jemi në një dhomë, – i thoja, – duhet pak durim!” se ishim tre familje, me një banjë e një korridor. Ujin e mbaja ujin me dy kova që kisha blerë, për të mos bërë shumë rrugë. Rrobat i laja në dhomë, që mos kishim debate me komshijet. Në Atë dhomë gatuaja, mbaja fëmijën e nuk e nxirrja në korridor. Por edhe në banjë shkonim me radhë.

Pas pak kohësh unë mora asistencë, se ndërmarrja u u prish e u shkatërrua. Fani u bë copë, derisa solli familjen në Lushnjë. Duke menduar që unë të ndihesha më afër me njerëzit e tij. Ai mori në qytet edhe njërin nga vëllezërit që ishte i ndarë. Unë desha të kishim edhe një copë tokë në fshat dhe i thashë Fanit të mos e shiste tokën e tij, mbase do na duhej për fëmijët, se ne nuk do rrinim gjithmonë aty. Mund të iknim edhe jashtë, si shumë të tjerë, të nxirrnim ndonjë lekë dhe të ndërtonim shtëpi. Ai iku pa pyetur njeri, kishin shitur shtëpinë, tokën të gjithë dhe erdhi në shtëpi buzagaz.

Fani i kërkoi vëllait të vogël, nga pasuria në fshat, paratë e pjesës së tij, se dy të tjerët ishin të ndarë nga prindërit. Por ai nuk ia dha, duke nxjerrë justifikime. Babai i tij filloi të qante: “Or bir, nuk më pyetën, ma bëj hallall!” Edhe nëna e tij filloi të qante, që djalin e vuajtur e lanë pa gjë. Aq më tepër, Fani kishte një djalë, i cili ishte në moshën që kërkonte mbështetjen tonë. Vëllai i vogël erdhi te Fani dhe tha: “O vëlla, më fal se më humbën lekët!” Fani i tha “Shyqyr që nuk paske humbur kokën!” dhe habit me gënjeshtrën e tij, të cilën e vërtetuan me gojë edhe dy vëllezërit e tjerë, që lotuan për Fanin.

Fani m’u drejtuan mua:

-Kemi dalë nga një bark, por atij duhet të mos i flasësh fare me gojë, ta lësh vetëm si qen…

Dy vëllezërit e tjerë thanë: “Allah, allah, do vemi nga plaku, mos i gjendet ndonjë qindarkë!”

Fani u mërzit, i erdhi shumë inat.

-Dhe ajo shtëpi që gjetëm, u shit! -më tha, -dua të përkrah djalin, që më rri në shtëpi të botës!

– Po le të vijë, o Fani!- i thashë unë.

-O Zana, atëherë do shikosh, çfarë djali kam. Po nuk vjen këtu, se jemi me një dhomë! Ashtu më tha kur e takova . Prandaj desha të largohem prej këtu. Ai tani ka nevojë dua të mos e lë të gabojë!

Fani përsëriste fjalët: “O zot, çfarë do thonë fshati për ne, ia shiti vëllait tokën e na uli kokën!”. Nuk po gjeja fjalë për ta qetësuar dhe ia kapa kokën ia afrova në gjoks.

-Pse mërzitesh, çdo thonë bota, kur të dinë çfarë zemre ke!

Ai në atë kohë mori Besën në prehër dhe u gjendëm të përqafuar të tre. Kur pa pritur troket dera. Dola me nxitim. Nuk thonë kot, kujto mikun dhe bej hazër petanikun… Ishte një djalë i gjatë, i bukur, me sy të dashur dhe gati vajtues. Vura re ngjashmërinë me të atin:

-Mos je djali i Fanit? – e pyeta dhe e fërkova sytë.

-Po, unë jam, erdha të takoj babin. Po ju kush jeni?…

-Unë jam nusja e tij!- i thashë dhe i dhashë dorën.

Surpriza ishte shumë e bukur. Ai ishte dielli që erdhi e na gjati ne. Fani kërceu në çast përpjetë dhe u gjendëm të tre të përqafuar. Djali i Fanit mori Besën dhe e puthi.

-Kjo është motra ime vogël!- tha dhe nxori nga xhepi çokollatën. – Pastaj i tha të atit: -Babi, unë nuk shkoj më atje, se më është nxirë jeta… Do të tregoj, por të qetësohemi pak.

Fani më pa mua, se ishim me një dhomë.

-Këtu do rrish, me neve, o Sokol!- i thashë unë, -Të kemi edhe ty njësoj si Besën…

Sokolit i ndritën sytë. Fani u ngrit të dilte me djalin e tij. Sokoli mori edhe Besën me vete.

Ata u kthyen në perëndim të diellit. Ajo dalje u kishte bërë mirë, se dukeshin te çelur nga fytyra. Besa sapo u kthye, filloi të fjalosej me kukullat, që i kish blerë i vëllai. Unë kisha përgatitur darkën, zarzavatet me mish dhe fruta, që këtu në Lushnjë, nuk na mungonin. Besa nuk e lëshonte nga dora kukullën që i dhuroi i vëllai dhe recitonte vjershat që i kisha mësuar unë.

-Ne kemi ngrënë te nëna, – tha Fani, -megjithatë po marrim diçka që mos ta kthejmë dorën ty, se dy të ngrëna nuk bëjnë dëm. Sokoli nuk deshi, po unë iu luta që të hante .

-Vajta çova djalin te nëna, – tha Fani, -se e kishte marrë malli dhe shtrova problemin e shtëpisë e të tokës që shiti vëllai…

-Më mirë ta lëmë këtë muhabet, nuk do ta fusim në halle edhe Sokoli, se është i vogël!- i thashë, – Po tani duhet të mbështesim këtë djalë, se ka shumë nevojë.

Sokoli nuk fliste, po vetëm dëgjonte. Pasi mbaruan së ngrëni darkën, ndenjëm pak me biseda të përgjithshme. Erdhi koha të flinim, unë mendova, meqenëse djali ishte i rritur, të flinin në krevatin dopjo me Fanin dhe unë me Besën, te divani. Dhe ashtu bëmë, por kuptova nga sytë e djalit, se nuk i erdhi mirë që na ndau.

M’u dhimbs qëndrimi i mërzitur i Sokoli dhe e pyeta se çfarë e mundonte shpirtin e tij të pastër. Ai pohoi se po t’i kishte prindërit bashkë që në fillim, nuk do kishte vuajtur aq shumë shpirtërisht. Ai vazhdoi të më tregonte se në atë kohë, kur babanë e tij e arrestuan, mamanë ia martuan dajat me zor. Ajo donte të rrinte në shtëpinë e gjyshes me djalin, se edhe xhaxhallarët e respektonin si motër e ia dhanë mbështetjen. Por dajat e kishin marrë natën, në dhomën, ku ai flinte me mamin, sepse dajat ishin me teser partie dhe i vriste opinioni, prandaj e martuan pa dëshirën e saj.

Ai tha më tej:

-Mua më mbajti gjyshja, po ajo e shkreta vdiq shpejt dhe unë ngela tek një dajë, që më thënë të drejtën, ishte katil… Unë nuk dua ta shaj e ta hedh poshtë, por nga mënyra si u soll, nuk dua t’ia dëgjoj emrin. Nuk flas për dy dajat e tjerë, ata vinin të më shihnin, ishin ndryshe. Daja zemërkeq, donte të më ndryshonte mbiemrin, po unë nuk dëgjova, se e mbaja mend babin tim dhe dashurinë që më dhuronte. Mamaja, atje ku u martua, gjeti një tufë fëmijë, nga gruaja që i kish vdekur njerkut dhe atyre u bënte hyzmet derisa i rriti . Dhe vjehrra e saj, ishte shpirtligë e zemërzezë, nuk më linte të shkoja në shtëpinë e saj. Mua më merrte malli shumë për mamin. Ajo dilte çdo ditë kur shkoja për në shkollë, më përqafonte fshehurazi dhe më jepte ndonjë një copë bukë me gjizë. Ajo kurrë nuk foli keq për babin, thoshte se ishte i drejtë po e hëngrën në besë. Pas arrestimit të babit, kur veja në shkollë, më shikonin me sy tjetër, bile shokët dhe shoqet më thoshin, biri i kriminelit për të më ulur dhe largoheshin me frikë nga unë! Ndjehesha i vetmuar, rrija vetëm me dy shokë, që e dinin mirë historinë e babai tim. Kurse gocat ishin më ndryshe, më flisnin. Unë u shqetësova, nga ca që më shanin dhe i rraha. Më thirrën në drejtori dhe më përjashtuan nga shkolla. Rrugës ku kaloja, kisha shtëpinë e mamit, doja të takoja, se më merrte malli, po vjehrra e saj shpirtzezë, linte të zgjidhur në oborr qenin e madh si ujk…

Duke dëgjuar këto pohime të tij, unë e përqafova fort dhe Sokoli lëshoi lot.

-Më fal, – tha, -se e lashë fjalën përgjysmë.-Unë mora guxim një ditë dhe u sula të takoj mamin, Po qeni sa më pa, m’u hodh përsipër dhe më kafshoi këmbën. U shtriva përdhe e më plasi gjaku. Doli mami, sa dëgjoi të qarat e mia, e shtyu vjehrrën dhe më mori mua, më mjekoi plagën. Doli dhe burri mamasë, por vjehrra i foli, se ajo bënte ligjin dhe të birin nuk e pyeste fare në atë familje. Qau mami shumë dhe u tha se do shkonte te i vëllai dhe më mori mua e për gjithë natën shkuam në Pirrë te shtëpia babit, fshehurazi dajave. Por ata e kishin marrë vesh dhe në mesnatë dërguan policët. Por nëna e babit u dol para, e u tha, unë djalin nuk e jap, se ma ka bërë qeni copë. Mama iku, unë ndenja në Pirrë me gjyshen, gjyshin dhe xhaxhallarët që më donin shumë. Kur m’u shërua plaga e qenit, xhaxhi me gjyshen më çuan takova babin dhe ia tregova të gjitha. Po çfarë do bënte ai, vetëm të hante veten me dhëmbë. Babi më dha një letër, t’ia çoja drejtorit të shkollës, ku i thoshte, se ai vit iku, po mos ikte dhe viti tjetër. Te gjyshja erdhi daja që më kishte marrë përsipër, më kërkoi të më çonin me dhi në mal, se fëmijët e tij i ruante mos ftoheshin. Unë qaja, por më morën me zor, më hoqën zvarrë e më nxorën në xhade. Babi nga burgu u çoi haber, mos më trajtoni djalin si skllav, se kur të vij do t’u shuaj të gjithëve. U hyri frika. Futesha mes misrit të madh të takoja mamin, ajo më lante me lot, por dhe të ikte prej tyre, nuk e linin. Vitin tjetër shkova në shkollë, ku prapë rrija i veçuar, nga babi që kisha në burg. Dënimin më të madh e mora unë, se vuajta shpirtërisht. Nuk më dhanë bursë, kur mbarova shkollën ngaqë kisha mbiemrin e babit. Nuk më harrohet shiu dhe këmbët zbathur, kur shkoja me dhi e më jepnin vetëm një copë bukë, ta haja jashtë si qeni. Nuk më harrohet bluza që më solli gjyshja nga fisi i babit. Ata nuk ma dhanë. Shkoi gjyshja i takoi e u tha, njerëz të fëlliqur, pa zemër, pse u ia keni dhënë bluzën, unë i mblodha lekët nga gjaku im, për djalin e shpirtit tim. Po nusja dajës, ia kishte veshur djalit të saj. Kur e mora vesh, ia hoqa nga trupi dhe e vesha, të ndjeja erën e babit. Po ishte e madhe dhe ia dhashë prapë. Mu nxi shpirti, nga ajo jetë, zemra më është plagosur. Prandaj erdha këtu te babi, dua që të më ndihmojë…

I fërkova kokën sikur të ishte vëllai im i vogël, se m’u dhimbs shumë ai djalë aq i vuajtur. Dhe i thashë: “Mos u mërzit, do të ndihmojmë ne dhe do të rrish këtu me ne!.”

Vura re se Fani i kishte me lot, sytë e mbyllur për gjumë. Ai i kishte dëgjuar të gjitha.

Ditët kalonin po ashtu dhe muajt. Te Besa vëreja zgjuarsinë dhe dashurinë. Ajo na e bënte më të gëzuar jetën, kur e shikonim të lumturuar. I blinim rrobat më të bukura, e çonin te këndi i lojërave dhe nuk i ndahej Lali Sokolit, se edhe ai, lekët që i jepnim, nuk i prishte pa motrën e vogël. I blinte çokollata, biskota dhe fruta. Ajo mezi priste të shikonte babi Fanin dhe vëlla Sokolin. Sa vinte në shtëpi nga kopshti, u hidhej në qafë e qeshte me shumë gëzim dhe gjendeshim të katër të përqafuar. Fanit i thoshte, “Babi ynë është më i miri në botë.”

Në qytet ishte rrëmujë, ishte ndryshuar sistemi, por as që merrej vesh se çfarë bëhej. Unë vajta takova shoqen time, Aidën lushnjare, që punonte në arsim dhe i thashë të më ndihmonte për shkollën e Sokolit. Ajo tha: ”Do vij tek ti sot e do flasim. Atë e takova në shkallë, ishte goxha djalë i sjellshëm dhe i bukur, ngjet me babanë e vet.”

Kështu e lamë dhe me ndihmën e Aidës, e regjistruam Sokolin në gjimnazin “18- tetori”. Sokoli sa nuk fluturoi nga gëzimi. Filloi të shkonte çdo ditë në shkollë dhe mësonte si nxënës i shkëlqyer e me një edukatë shembullore.

Unë fillova punë në rrobaqepësi private, si provizore. Sokoli me Fanin merrnin çupën nga kopshti. Kështu kalonte koha, Besa po rritej e gëzuar dhe në atë dhomë festuan ditëlindjen kur mbushi 4-vjeçët. Atë ditë ajo dhomë e vogël u mbush plot, erdhën dhe vëlla im me motrat si dhe prindërit e Fanit me vëllezërit. Sokoli mbante Besën në krahë dhe unë u ndjeva nëna më e lumtur në botë. Në darkë edhe njerëzit e mi, shkuan te prindërit e Fanit, për t’i respektuar. Meqenëse erdhëm, kishte thënë vëllai, t’ i urojmë edhe për shtëpinë e re në qytet. Sokoli i tha të atit t’u thoshte, mbase pranonin, të paktën të flinte në kuzhinë se ishte i rritur tani. Fanit i pëlqeu ky mendim dhe shkoi bisedoi me vëllezërit. Ata i thanë se pleqtë ngrihen natën dhe duan qetësi, por arsyeja kryesore ishte se nuk donin gratë e tyre. Atëherë i morëm djalit një dhomë me qira afër nesh, se donim të mos e largonim, ta kishim në vëzhgim teksa të vazhdonte shkollën. Unë kujdesesha për ushqimin dhe për larjen e rrobave. Fani i qëndronte pranë që të mësonte.

Kur Fani ishte në turnin e tretë, unë ngrihesha herët të përgatisja ushqimin. Rrobat që kisha tharë me hekurin e hekurosjes, i lija mbi karrige t’i vishte Fani. Dhe ai ikte me kokën nga dritarja, ku unë e ndiqja deri larg. Pastaj e prisja të vinte nga turrni i tretë, se në atë kohë nuk kishte celularë dhe rrija me zemër të ngrirë, derisa ai të kthehej në mëngjes.

Një ditë, kur ai u kthye nga puna i lodhur, shkoi më bleu byrek të ngrohtë dhe erdhi në rrobaqepësi. Dola te dera dhe e pyeta pse kish ardhur.

-Çova Besë në kopsht dhe erdha të solla byrek të ngrohtë, që ti të punosh e qetë!

-Sa i mirë që je!- i thashë dhe desha ta puth, por isha me njerëz dhe ai e kuptoi.

Kur u ktheva brenda, një grua më tha: “Tani paske gjetur goxha burrë, jo si ai, që as ia pamë surratin”. Qesha dhe u ula në tavolinë. Kur kthehesha nga puna, bëja pazar nuk merrja mish, por kocka, këmbë viçi, kofsha pule, mish të grirë dhe perime. I kollandrisja për gjellë dhe burrit i shijonin. Shpesh shkoja në shpi e lodhur, po burri donte qefin e vet. Detyroheshim t’u përmbaheshim veprimeve, derisa të flinte vajza, se ajo ishte kompjuter, i regjistronte të gjitha lëvizjet

Ngjarje nga “Romani Autenti “/Bija e Shebenikut nè Myzeqe /

Autore :Sheqere Sina /

Shqipèri /