Sheqere Sina Ozuni
Në atë dhjetor, unë kisha ditëlindjen. Atë ditë erdhi motra dhe më solli një kek, që kishte gatuar vetë, të qerasja shoqet e dhomës, për atë ditë të shënuar. Kur u ngjita lart, shoqet më pritën duke kënduar dhe dhoma ishte mbushur me tullumbace. Mbi komodinën time ishte vendosur një bllok dhe një stilolaps i bukur. Atë natë u gëzova shumë, që festova me shoqet dhe i ëmbëlsova me kekun që më kishte dërguar motra. Kështu atmosfera e dimrit u kthye në një pranverë të vogël. Ishte hera e parë që festoja në konvikt më shoqet e dhomës. Shoqet e mia ndezën një qiri dhe sa mbaruam këngën, unë u bëra gati të fryj qiriun e ndezur, Emineja më tha: “Mendo cila është dëshira jote?”. O zot të shërohet nëna, dhe mos më lëngojë në shtrat, thashë me vete. Pastaj u ndava nga një copë kek të gjitha shoqeve e u dhashë edhe gocave të zooteknikes.
Atë natë zysha kujdestare e konviktit, na lejoi të këndonin. Nuk kaloi një orë, kur shokët e klasës, më sollën një libër dhe një tufë me lule. Në të ishte shkruar: “Ia dhurojmë shoqes tonë, me ëndrra shumë”… Në 10 dhjetor kishin ditëlindjen edhe dy djem konviktorë dhe zysha kujdestare, bashkë me nëndrejtorin dhe kujdestarin e konviktit, organizuan një mbrëmje vallëzimi.
Në atë mbrëmje, nuk mungoj orkestra, duke bërë të mundur, të kërcenim valle popullore dhe foks. Atë natë kërceva me të gjithë shokët e klasës dhe e shijuam atë mbrëmje si dëfrimin më të bukur. Pasi mbaroi mbrëmja, shkuam në dhomat tona për të fjetur. Unë mora bllokun dhe shkrova kujtimet e asaj nate.
Kur u ngritëm në mëngjes, bora kishte zbardhur vendin kudo. Bëmë nga një foto, duke lozur me topa bore. Dhe vrapuam në bankat, ku do zhvillohej mësimi. Atë ditë u ndjeva tepër e lumtur. Motra ime, Ana, më kishte blerë një xhup ngjyrë ari dhe një palë këpucë. U gëzova tej masës. Ishte fundjave dhe i mora leje kujdestares, të shkoja te shtëpia e motrës, e cila po priste të festonim së bashku.
Motra ime, bashkë me familjen bujare Mojsja, atë ditë më bënë surpriza, që kanë ngelur në kujtesën time. Dhoma ishte mbushur me tullumbace. Më dhuruan një radio dhe një bllok shënimesh. Eh, sa u gëzova, sepse në konvikt nuk kishim radio. Familja e motrës kishte shumë përkujdesje për mua. Tavolinat ishin mbushur me ëmbëlsira dhe nuk mungonin pulat e pjekura. Babai i Verit, Arif Mojsija, ishte një burrë i rrallë me taban dhe kishte një grua fisnike me duar të shkathëta. Ajo familje nuk më ndau nga fëmijët e vet.
Unë lumturohesha, që ata edhe motrën time e respektonin dhe e donin shumë. Sjellja e saj e mirë me vjehrrin, vjehrrën, kunatat, kunetërit i bënte edhe ata të ndjeheshin mirë, ndaj më respektonin edhe mua të gjithë pjesëtarët e shtëpisë. Sa mbaruam drekën, unë u bëra gati të ikja për në konvikt. Por menjëherë më ndalën dy motrat e Verit: “Dale ku do shkosh? Ne kemi vendosur, që të gjithë të rinjtë e fisit, të vemi në kinema. Ka ardhur një film Turk, “Shami kuqja”. Do vemi ta shohim të gjithë bashkë!”… Eh, sa u lumturova atë ditë. U veshëm bukur dhe dolëm. Kur mbaroi filmi që na pëlqeu shumë, motra më çoi në konvikt te shoqet.
* * *
Në ato ditë dhjetori, mësues Zeneli, na kishte lajmëruar, se tre orët e fundit, do të bënim praktikë. Dhe orët e punës do t’i zhvillonim në fermën e Librazhdit. Shkuam me nxitim në konvikt, ndërruam rrobat. Do bënim krasitjen e pemëve frutore, si përgatitje profesionale. Sepse vendi kishte nevojë për specialistë të kësaj fushe. Aty edhe terrenet kodrinore ishin bëtë tarraca, çdo pëllëmbë tokë, ishte futur në punë. U nisëm përkrah shoqeve tona. Unë me dy shoqet e mia, isha prapa dhe dëgjova njërën që më thirri:
-Zana, çfarë pret ti?…
-Për çfarë e ke fjalën? – e pyeta.
Ajo më tregoi me kokë shoqen tonë Erën, që ishte kapur dorë për dore, me nxënësin kujdestar të klasës. Gjatë ecjes, ai i prekte flokët dhe Era qeshte me të madhe.
-Lëviz, hidhu edhe ti!…
-Unë jam akoma mollë e papjekur. Ja, sot do mësojmë shartimin, të krasitem mirë e të rritem, pastaj hahet kokrra e mollës sime…

Qeshëm, por çifti i 16- vjeçarëve ra në sy atë ditë, se faqet e Erës ishin skuqur. Ne të tria i kishim prindërit fanatikë. Gjatë bisedës po vinte çifti tjetër. Të dyja shoqet me emrin Era, kishin kapur për dore djemtë më të mirë. Ne nuk u folëm këtyre. Unë u thashë shoqeve:
-Po çfarë mendoni ju, se do përfundojnë ato?…Të dyja janë interesaxhie, se i gjejnë gati ushtrimet dhe problemet, duke kopjuar!
Këto fjalë i dëgjoi Era e dytë.
-Moj, po ç’ju duhet juve me ne?… Ne hamë kumbulla, juve u thartohen dhëmbët!- tha ajo dhe iku flakërimë.
Mua më kishin mësuar motrat, të mos gaboja dhe i vura pikë atij muhabeti.
Rruga ishte pak e gjatë, kaluam edhe urën e Spatharit, ku ishte pemëtaria e shkollës. Kishin ardhur të gjitha klasat në vjeljen e mollëve. Atë ditë mësuesi na mësoi mënyrën e krasitjes së pemëve. Duke kafshuar mollë, me zjarrin e brendshëm rinor, shkuan te burimi dhe i hidhnin ujë njeri- tjetrit për tu freskuar.
Kur vajtëm në konvikt, dëgjuam shoqet e zooteknikës, që po u thoshin dy vajzave me emrin Era, shkoni si shokë, mos i teproni gjerat të bini në sy, se po e mori vesh drejtoresha e konviktit, ju përjashton!… Kur hymë ne në dhomë, ato të dyja, qëndruan serioze. Kujtuan se u tregova unë. Por atyre u ishin errësuar sytë, se i panë të gjithë nxënësit. Edhe kjo ditë mbaroi si të tjerat mezi po prisnim mbrëmjen e konviktit.
Por pas ditës së praktikës në fermë, ku hëngrëm mollë të kuqe, pa ditur se mollët ishin spërkatur me helm, të gjithë nxënësit e klasës përfunduam me serum në spital, për helmim nga ushqimi. Pra, na ndodhi e kundërta, të gjitha të qeshurat, na u kthyen në hidhërim.
Kështu, atë natë dhjetori, kur flokët e borës kishin mbuluar trotuare, ne si klasë, ishim në spitalin e Librazhdit. Në kujdesin për ne, ishte dhe mësuesi i frutikulturës. Fytyra e tij ishte nxirë, ndonëse na kishte thënë të mos këputnim mollë, se ishin të spërkatura. Por ne ishim të rinj dhe nxitoheshim të shkujdesur. Ky gabim na bëri të mendojmë, se duhet të ishin më të kujdesshëm, duke i dëgjuar të rriturit.
Pasi morëm serumet, u përmirësuam pa ndonjë rrezik. Kur dolëm jashtë, vumë re se dëbora kishte mbuluar malet dhe pallatet kishin marrë pamjen, sikur ishin mbuluar me pëlhurë të bardhë. Shtëpitë njëkatëshe, dukeshin tamam si kërpudha të bardha Ndërsa nga oxhakët e pallateve të qytetit, dilte tymi i drurëve të ahishtës, që ngrihej lartë në qiell.
Atë ditë të mundimshme, patëm 6 orë mësim. Në dy orët e para, kishim provime në ekonominë e përgjithshme dhe në fizikë. Në mbarim, dola pak jashtë dhe po vështroja portën, se kisha një parandjenjë. Kur te dera erdhën motrat e mia të martuara, të shqetësuara. Ato kishin marrë vesh për helmimin tonë dhe ishin bërë merak. U gëzova shumë dhe i putha me mall. Ato më qortuan me kritika pa mbarim. Ana nuk i kurseu fjalët gjithë inat: “Po ta dija, do t’ju kisha sjellë mollë në konvikt, moj, po çfarë betë, si ato dhitë që futën në pyll të uritura për gjeth?”
Unë u shfajësova: “Presori na tha kini kujdes, se janë spërkatura, po ne nuk na durohej, i fshinim me dorë e i hëngrëm!” Nejse u bë ajo dhe iku… Po tani afroi mbarimi semestrit, ne morëm përfundimet e notave dhe nesër do ikim në shtëpi nesërmen. U thashë motrave, meqë erdhët ju, të vij edhe unë?
Ato thanë njëzëri, eja të ngjitemi të pesta, se kemi edhe sebep. U thashë të më prisnin, sa të merrja leje dhe ika me vrap. Por te dera kishte ngrire akull dhe u rrëzova U ngrita menjëherë, nuk pyeta se u vrava, por pashë djemtë që filluan të qeshnin. Ashtu e skuqur, u futa në derën e drejtorisë. I thashë zyshës me një frymë, se më kishin ardhur motrat dhe do doja të ikja që atë ditë. E pyeta: “Bëhët gjë për një ditë?”. Ajo buzëqeshi dhe më tha: “Ik zemër, por ju keni mbrëmjen e fundit të semestrit!” Por mua më kish marrë malli për shtëpinë dhe i thashë: “O Zysh, do kemi edhe mbrëmje të tjera më vonë!“
Kështu e falënderova, mora rrobat dhe disa libra e u nisa. Kishim pushimet 12 ditë. Përshëndeta shoqet dhe ika me motrat e mia, të shtëpia e dashur, ku kisha lindur. Në atë momente u ndjeva aq mirë, sa nuk tregohet. Falënderova motrat që kishin ardhur për mua dhe u ngjitëm përpjetë të gëzuara.
Ishte pasdite dhe frynte një erë e ftohtë, e shoqëruar me flokë dëbore, që na binte mbi flokët e zinj. Në trupin tim u krijua një padurim malli, për nënën dhe babanë. Po nxitonim nëpër malore dhe shihja kurorat e pemëve përqark rrugës të mbuluar me dëborë, që dukeshin si nuse me vello në nusërim. Nuk dëgjoja cicërima zogjsh. Mendova mos vallë çdo gjë kishte ngrirë në atë dimër të acartë?!…
Me çizme deri në gjunjë, çava borën, përkrah motrave, për të marrë puthjen e nënës, për t’i dhuruar energjinë dhe dashurinë time, për të shkrirë atë akull në majë të Shebenikut. Kur ecja rrugës shihja shtëpitë e rralla të mbuluara me dëborë, ku prej tyre dilte tymi i oxhaqeve, si shtëllunga leshi të bardha.
Kur hyra në shtëpinë tonë, atë dhjetor dimri të akullt, brenda në vatër gjeta pranverën. M’u duk sikur kishte zbritur një yll i zjarrtë nga qielli dhe po flakëronte në oxhakun me dru lisi. Përqafova me mall të përvëluar nënën dhe shpirti im flakëroi. Përqafova vëllanë me nusen e tij dhe shkova menjëherë të shoh yllin e tyre të vogël në shtrat. Bebja i bukur flinte. Unë u lumturova nga gëzimi, që u bëra hallë për herë të parë… Pas këtij gëzimi kaq të madh, dimri në fshatin e lindjes m’u kthye vërtetë në pranverë. Gjumi më zuri në ngrohtësinë e vatrës familjare, pranë nënës dhe babait të dashur.
Ishte Viti i Ri, në mes të asaj dëborë që kishte mbuluar fshatin dhe dukej si një fushë e pjerrët, pa përrenj, e pa kodrina. Atë natë të gjatë dimri, u mblodhën miq e të afërm të fisit, sa u mbush konaku plot. Kishim dy gëzime, lindja e djalit dhe Viti i Ri. Kishin ardhur edhe prindërit, motrat dhe vëllezërit e nuses, me njerëz të muhabetit e të dollisë. Nuk mungonte mishi, lëngu me arra dhe bakllavaja. Genti i vogël na solli beharin në atë konak të ngrohtë.
Në qoshen e oxhakut ndodhej, krushku, babai i nuses, sipas radhës dhe babai me xhaxhanë, ishin ulur përballë. Në prushin e oxhakut vlonte xhezvja prej bronzi që e priste tabakaja me filxhanë për miqtë. Në anën tjetër të qoshes, babai kishte vendosur miqtë e vajzave të tij. Zeqir Omeri, ishte një burrë i rrallë, fjala i zinte vend në muhabet. Ardhja e Sabri Ozunit, shtoi lezetin e muhabetit, si kryetar i zonave Qukës Skroskë, Peshtan, Kunjë e Pishkash, që ishte. Por ky mik, ishte dhe i biri i nunit tonë dhe kishte një vend prindëror në familje.
Në konak nuk mungonte nëna ime. Babai e mbante pranë dhe krenohej se kishte marrë bijën e një trimi bujar. Nëna ime shkonte edhe pranë grave, duke i shoqëruar me muhabet për respekt, bashkë me nusen e xhaxhait. Ne ishim të ndarë me ta, por kur kishim sebep gjendeshim të gjithë bashkë, në atë vatër bujarie.
Unë, si më e vogla që isha, qëndroja në këmbë, për t’u dhënë ujë, me gotat kristal nga burimi i ujit të Gurit. Vëllai, shpesh herë ngjitej e zbriste nëpër shkallë, shikonte Gentin e vogël dhe sytë e tij kishte shkëlqim të pa shuar. Motrat, bashkë me nusen e vëllait, ndenjën deri vonë.
Afër mëngjesit fjetëm a s’fjetëm një orë gjumë. Të nesërmen, u ngritëm të shohim përjashta. Në kodrën tonë kishte depërtuar dielli verbues. Rrezet e tij i kthente bora, si një pasqyrë vigane, që të pengonte të shihje më tutje.
U gëzova, se doja të shkoja me motrat e mia në Skroskë, të takoja fëmijët e motrave, që ishin moshatarë me mua. Më kishte marrë malli për ta. Dy motrat më mbanin si bijën e tyre. Ishin pushime dhe doja të dilja nëpër njerëzit tanë. Por vura re syrin e tretur të nënës… Ajo nuk donte të largohesha dhe e gjeta duke lotuar për ikjen time. Dhimbje e saj e ndjeva thellë dhe nuk u largova, ndenja për të shuar mallin e nënës.
Dëgjova nënën, që po më thoshte: “Bija ime dua, të çmallem me ty, se je akoma në fluturim. Kam net të gjata pa gjumë, kam pritur edhe duke lënguar në shtrat, që të rritesh e lumtur. Mos u largo, dua të të kem pranë! Më janë mbledhur plagët, vetëm ju bijë më shëroni O zemër, ti je doktori më i mirë për shërimin tim!”. Nga fjalët e saj, ndjeva dhimbje dhe sytë m’u mbushën me lot. Vura kokën te prehri i saj, se më kish marrë malli për përkëdheljet e fëmijërisë.
Në fshat bëhej një dasmë në mes të dimrit. Vajta me vëllanë dhe kushërirën. Në atë dasmë takuam shokë e shoqe të tetëvjeçares dhe kujtuam ngjarjet e fëmijërisë. Pastaj ngriheshim dhe kërcenim vallen e bukur të Rrajcës. Të rinjtë vallëzonin pa pushim. Fshati Peshtan i Skroskës, ishte zemra e embrionit tim. Aty kisha lindur, isha rritur dhe të gjithë i kisha si vëllezër e motra, ishim të lidhur e shkonin në çdo sebep. Malli u shua në dimrin në egër, të cilin njerëzit e mirë, e kthenin në pranverë. Takova kushërinj, nipër, mbesa, që më kujtuan rrugët e gjata, kur shkonim në shkollë!…