Bija e Shebenikut në Myzeqe-Sheqere Sina


Atë ditë të parë të shkollës, na shoqëruan edhe dallëndyshet, qe po largoheshin për në vende të ngrohta. Vërejta qiellin dhe i thashë mësuesit:

-Po këto dallëndyshet, do të shkojnë në shkollë?

Mësuesi qeshi dhe tha:

– Po, do shkojnë, pasi të ikin në vende të ngrohta…

-Po neve, o mësues, pse rrimë në këtë vend të ftohtë?

Ai qeshi përsëri. Rruga ishte e gjatë dhe dëgjova pëshpëritjet e fëmijëve:

-Nuk t’u mbyll goja!- më tha Ana, që ishte më e madhe. Unë vara turinjtë. Mirëpo mësuesi vuri re ndjesinë time, më shtrëngoi dorën dhe më tha:

-Ne do rrimë në këtë vend plot lule e zogj dhe do na lindë frymëzimi. Do mësojmë dhe do thurim këngë për të tjerë…

Unë u lumturova, fjalët e tij më dhanë energji që në klasën e parë, të ecja mirë me mësime, për të mësuar të gjitha shkronjat…

Mbërritëm te shkolla njëkatëshe, me tjegulla të kuqe në formën e një lugu, që tregonin formën e vargmaleve. Oborri i shkollës ishte mbushur me fëmijë nga fshati Peshtan, dhe Kunji i Ozunëve. Të gjithë fëmijët e klasës se parë, ishin të shoqëruar nga prindërit e tyre. Aty takova edhe kushërinj dhe kushërira.

Mësuesi i takoi të gjithë të pranishmit me radhë. Atë dite fshatarët kishin organizuar një festë, për fillimin e vitit shkollor. Në majë të shkollës valëvitej flamuri shqiptar. Të gjithë fëmijët kishin mbledhur lule dhe ia dhuruan mësuesit. Ai i përshëndeste buzagaz, duke u thënë nxënësve: “Mësojeni mirë gjuhen shqipe, është gjuha më e bukur në botë! Shkronjat i kanë sjellë mësuesit paraardhës, duke i larë me gjak.” Të gjithë njëzëri ne u përgjigjëm: “Do mësojmë, do ruajmë gjuhën e traditën, do ruajmë flamurin!”.

Pastaj të rreshtuar sipas klasave, u futëm në atë ndërtesë, të ndërtuar nga daja dhe babai im, që ishin ustallarë dhe punuan me bujari, që ne të mësonim të lumtur. Të gjithë fëmijët dëgjoheshin nëpër klasa si zogj. Zhurmat e para dhe emocionet, krijua ndjesitë e veta te fëmijët.

Përgatitja e zogjve për fluturim në vjeshtë nëpër pemët, na jepte frymëzim dhe energji. Duke shtrënguar abetaren në duar, takoheshim si engjëj dhe përqafimin e parë të mësuesit, s’kemi për ta harruar… Ai të gjithëve na puthi në ballë… Kur na vuri të thërrisnim njëzëri shkronjën “A”.

“Thërrisni Albania! – tha mësuesi, – Kjo është nëna e zemrës sime!” Të gjithë kënduam njëzëri. Ai na porositi: “Abetaren mbajeni me kujdes, se pas jush do vinë të tjerë!”.

Një djalë nga fshati Kunj e pyeti mësuesin: “Ç’është Albania?”. Kushërira ime çapkëne, e mprehte nga goja, iu përgjigj: “Kokë tul, na fëlliqe!…” Dhe plot krenari tundi bishtin e flokut. Mësuesi i tërhoqi vërejtje, e quajti ofendim dhe ajo i kërkoi falje djalit. Mësuesi vazhdoi me qetësinë dhe dashurinë shpirtërore, duke shpjeguar: “Albania është Shqipëria, është një mbretëreshe fisnike e bujare dhe ju fëmijë do t’ju krahasoj me pulëbardhat, që ngjiteni lart në agim, për të fluturuar bashkë me shqiponjën Shqipëri!”

Mësuesi na dhuroi buzëqeshje, gjatë gjithë kohës dhe dita u bë më e gëzueshme. Orën e fundit e kishim këngë. Kënduam këngën e flamurit, për të mos harruar trimat që luftuan për atdheun, ndërmjet tyre ishin edhe dy gjyshërit e mi, Zyber Ozuni dhe Salë Omeri, që kishin qenë baza për të luftuar dhe për strehim.

Nëpërmjet bisedave unë i thashë mësuesit, se kisha si krenari të tregoja se edhe babai me xhaxhanë tim u kishin çuar ushqim partizanëve. Të vegjël ishin në atë kohë, por nuk u trembej syri dhe kur i pyesnin diversantët, ku do veni? u thoshin jemi me dhi në stan, kemi bukë për barinjtë dhe iknin shumë shpejtë për të gjetur rrugën. Kur largoheshin qeshnin me të madhe, që ua kishin hedhur… Ora e këngës u kthye në bashkëbisedim.

S’mund të harroj mësuesin tonë të parë edhe kur shfletuam fletën e dytë, ku ishte shkronja “B”. Mësuesi na dhuroi besimin, duke buzëqeshur e duke shtrënguar duart tona të njoma dhe shkroi “Besa-besë”. “Të gjithë së bashku, ju do të mësoni 36 shkronjat, që do t’ju shtojnë mendjen dhe stërvitur dorën tuaj, për të ecur përpara, për të ndritur këtë vend me vlera njerëzore dhe dituri, për natyrën, historinë për të bukurën Shqipëri, për dijet e mijëra trashëgimtarëve të brezave që do vinë…”.

Mësuesi vazhdoi të tregonte: ”Ja, këtu në Tresenik, është një vend përrallor ku lindin trimat heroikë!”…

Pasi mbaruam mësimin, ikëm për në fshatin tonë të gjithë bashkë, duke na shoqëruar mësuesi. Kur zbritëm një lartësi të madhe, u ulëm te burimi i Shkallafit dhe hëngrëm bukën me byrekët, që na kishin dhënë nga shtëpia me vete. Dikush kishte gjizë, ose reçel, dikush djathë e vezë të zier. Pastaj pimë ujë, se kishim për të ngjitur edhe një copë rrugë, të vështirë një orë në këmbë.

Zakonisht ngriheshim në mëngjes, kur nëna në sobën e drurit kishte ngrohur ujin për të larë sytë, që ne të ndrisnim si bora. Më pas ajo përgatiste përsheshin me gjalpë, për mëngjesin. Kur ecnim, rruga ishte nga të dy anët me bush, që zanatçinjtë e përdornin për kallme, palare dhe kupa druri. Rrugës, duke zbritur, Shkallafin, kishte lule të shumëllojshme dhe manaferra. Kur na merrte uria, shpërndaheshim si kecat dhe mblidhnim manaferra e i hanim me grushte.

Në Shkallaf ndodhej dhe një burim, ku ndalonim për të pushur, se ishim të vegjël për të bërë një orë rrugë. Kjo shkollë ishte ndërtuar aty për dy fshatra, Peshtan dhe Kunji i Ozunëve. Kush e shihte atë vend përrallor, ndjente çlodhje shpirtërore. Në atë livadh, ne bënim orën e fiskulturës. Mësuesi na shoqëronte, se banonte në shtëpinë tonë.

Lënda që mësoja më mirë, ishte matematika dhe leximi. Mësuesi më diktoi prirjen time, që në klasën e parë, sepse unë bëra për të qeshur klasën, ai erdhi te banka dhe më vështroi i habitur.

-Dil para klasës! – më tha. Dola pa dëshirë dhe po e vështroja në sy, çfarë do me thoshte. Ai më tha: – Zana, do bësh imitimin që bëre në bankë!…

U stepa, pastaj mora guximin, dhe imitova duke përqeshur një nxënës me mbiemrin Omeri. Ishte kushëri, por më dukej si urith, se hapte e mbyllte sytë… Ato gjeste bëra dhe unë… Mësuesi na pajtoi me nxënësin që kisha emituar dhe bëri një shaka, pastaj tha: “Jeni të gjithë motra dhe vëllezër”.

Më pas ne ikëm duke qeshur, dorë për dorë dhe do shkonim të uritur, për të ngrënë ushqimin e drekës.