Biri i Harresës!?-Vaso Papaj


Biri i Harresës!?

(Marshi i të përndjekurve)

Thonë s‘kam emër, as mbiemër

Biri i harresës jam.

Po m’ka mbetur thellë një zemër

Dhe të heshtjes bijë s’e kam.

Ndaj një ditë heshtjen e shemba,

Se vazhdon zemra të rrahë.

Manushaqe dhe ndër gjemba,

Me pranverën krah për krah.

Nga Olimpi s’ka rrufera,

Heshtje ka, edhe harresë.

Por ta dini unë kam vlera,

Zemrën time kurrë s’e shes.

Zemra ime e marrosur,

Të vërtetën prapë do të ngas.

E plagosur, e fashqosur,

Veç nuk di një herë të vras.

Kur i shoh nëpër ekrane,

Po ata e po ata…

Them: Moj bota jonë mjerane,

Të përjetshëm… po këta?

Atë kohë që shkoi helmuan

E vazhdojnë prapë të helmojnë.

As nuk heshtin, s’u penduan,

Bëjnë sikur dhe Zot besojnë.

E kujtdo që më sheh shtrembër,

Ia kthej qetë në kafene:

Kam dhe emër dhe mbiemër,

Rrënjëthellë e kokë mbi re.