BISEDOJ ME TY
Sapo zbret muzgu,
ndjehem e frikësuar, i dashur!
Më parë frikësohem me frikë,
të ndarë në copëza të vogla frike,
gjersa më në fund e marr veten
duke ecur nëpër shtëpi
majë pantoflash prej pellushi të zi.
Pikërisht, edhe për këtë gjë
ti, i dashur, e kishe frikë ikjen tënde…
Dikur, bëja punë krijuese gjatë natës dhe ti
më quaje “mbretëresha e natës”,
kur të gjitha orët e gjumit mi vidhte muza,
më quajte “hajdutja e natës” dhe unë
kështu e titullova librin tim të fundit.
Tani që jam pa ty,
kur vjen nata,
e cila s’lëviz nga vendi,
më ngre mure pa dyer
që i rrëzojnë vetëm tërmetet;
suvaja e natës
u ka rënë vende-vende mureve.
Nata,
më sjell me vete të gjitha frikërat
që nuk i ngjajnë njëra-tjetrës;
dëgjoj zëra të shurdhët paartikulim,
frymëmarrje të thellë ankthcioze,
herë-herë jehona të mbytura që gjurmojnë
në vrimat misterioze të veshëve,
shikoj silueta të zeza që lëvizin pa drejtim,
fatkeqësisht i kam besuar pabesisht vetvetes.
E tmerrshme!
Tanimë,
nata ime plotpjestohet
me copëza drithërimash
kur zemra është një ecejake
prej të rrahurave që e mbajnë peng zemrën
në një zemër të madhe të papjestueshme.
