Boris Miska:Edhe Ajo si shoqet or Gjin!


Edhe Ajo si shoqet or Gjin!

2010-10-29 në orën 12:10.

Mbremë darkova me një mik, Xhim Gëllbert ia thonë emrin, studiues i dëgjuar në fushën e sociologjisë, jep leksione në disa vende të botës.

Këtu ishte ftuar nga një universitet privat, ka lindur në Çikago, por është me origjinë shqiptare, së paku nga i jati.

Unë e ngacmoj duke i thënë se të quajn Gjin, jo Xhim, Gjin Golloborda dhe i tregoj se je nga Dibra nga një krahinë ku janë shquar për ndërtues të zotët, punëtorë të mëdhenj, ustallarë që kanë ndërtuar kudo  në të gjithë vendin edhe pse shumë prej veprave tashmë nuk u gjinden as tullat.

Xhimi e kalon me të qeshur, po asnjëherë nuk e ka kundërshtuar ’zbulimin’ tim.

Tek bisedonim për sjelljet e shqiptarëve me nje sy në intervistën e një shkrimtari të shquar dhe një vesh mbi lajmet që vërtiteshin rreth kanaleve televizive me bollëk në monitorët e mëdhenjë që restoranti i kishte vendosur nga të kater anët, Gjini me pyet;

-Çdo bëjnë me Piramidën?

Me thënë të drejtën u zura ngusht, mbasi ishte e padiskutueshme që Xhimi e dinte vendimin për rrafshimin e ngrehinës, por mesaduket e hodhi si zar mbi tavolinë pikërisht në kulmin e debatit për atë temë që theksova më lart, sjelljen e shqiptarëve me veten, vendit e më gjërë.

U mendova ca, aq kohë sa i nevojitet gjithëkujtë të formuloj një opinion, aq me tepër kur përballë kisha një njeri të kënduar dhe njohës të mirë të psikologjisë sonë.

Pa u zgjatur shumë dhe pak i sigurtë brenda vetes i them;

-si çdo gjë tjetër edhe kësaj do ia nxjerrin themelet.

Kur shpreha fjalën prishje, nuk e pata vetëm në rrënimin fizik të  një objekti me pamje arkitekturore që tashmë veç simbolikës mbart mbi vete beton dhe lagështirë, por diçka më tepër, shumë më tepër se ajo që duket.

Xhimi, amerikani me origjine nga Golloborda, (kjo gjithnjë sipas meje, ai asnjëherë s’e ka mohuar), duke e parë përgjigjen në dy kahjet e veta, m’i nguli sytë me atë shikimin e butë e më thotë;

-Pse je kaq i sigurtë në atë që do ndodh!

Do mundohem ta shpjegoj, por duhet pak kohë, disa rrëfime, ngjarje e histori pa të cilat nuk mund të qullim asgjë.

S’ka problem më thotë, kush na ngut, jam shumë i interesuar të di opinionin tënd, çfarë argumentesh do me japësh për këtë që pohove.

Ok Gjin!

Po të tregoj diçka që më ka munduar që herët, në atë moshë kur çdo njeri fillon e arsyeton edhe pse mund ti vendosin përpara si me thënë të vërteta absolute.

Kam qenë në tetëvjeçare diku 12-13 vjeç, sipas një programi në lëndën e historisë së Shqipërisë bëmë si klasë një vizitë tek varri i Skënderbeut në Lezhë.

Nga tekstet shkollor mësuam se; ‘Gjergj Kastrioti vdiq në 1468 nga ethet në Lesh ( Lezha e sotme) dhe e varrosën po aty, në kishën e Shën Kollit….duke vazhduar me gjëmat e medha që i ranë mbi krye popullit shqiptar pas humbjes së prijesit të vet..etj etj’

I tregova se Lek Dukagjini shkuli lesht e kresë edhe pse ishte opozitar i deklaruar i Prijësit, se vete Sulltan Mehmeti u shpreh; luan të tillë s’ka parë bota, mjerë krishtërimi për shpatën që humbi… e këshu me radhë.

Të gjitha këto tema shoqëroheshin në imazhet tona me skena që i kishim parë në filmin e realizuar nga rusët, kuptohet edhe me emocione që ngjiznin në ndërgjegjien tonë kombëtare një lloj veshje që i bëhej murit  të edukimit partiotik.

Me këto ‘bagazhe’ në kokë udhëtuam drejtë Lezhës atij vendi që mbante (sa pa hyrë në qytet ) eshtrat e njeriut më të famshëm të kombit, Heroit tonë Legjandar.

Në atë kohë ekzistonte ende Lezha e vjetër e shtrirë ne anën veriore të qytetit, në fund të së cilit ishte një urë që të drejtonte nga Shkodra përmes rrugë së Gjadrit. Ndërtime gati një a dy shekullore jo më shumë se dy kate, ku shumica e tyre kishin dyqane poshtë, rrugica të ngushta, disa me kalldrëme të ç’rregullta e ca me asfalt.

Na ndalën poshtë një minareje, xhami jo shumë e madhe që dikur kishte qenë kishë, duket e konvertuar rreth shek 16-17, s’më kujtohet mirë, në pritje për ta vizituar këtë objekt historik.

E mbaj mend si sot ciceronin, një mesoburrë, pak i dobët dhe ekspresiv, tek e çelte me solemnitet atë dry që e mbërthente një derë prej druri të gëdhendur me mbishkrime arabe krejt të pa interesueshme nga ne si femijë.

Hapja dy kanatëshe e derës së xhamisë bëri që të përplasej mbi ne një lloj arome që ngjasonte shumë me ato të shajkeve të lëna gjatë në sëndyke prej druri, erë kjo e shoqëruar edhe nga lagështia që natyrshëm  mbarsin mbi vete mure të paajrosura prej ditesh.

Bashkë me dritën në ato kanata u dyndëm edhe ne duke e rrethuar ciceronin, burrë të dobët dhe me duar që nuk i mbante asnjëherë në një vend më shumë se dy-tre sekonda.

Më kujtohet si tani, ai ndali para disa rrasash guri të lëmuara, mori një shkop, mjet që do i duhej të na rrëfente historinë dhe e drejtoi diku, nuk kishte asnjë shenjë të tregonte se ç’kishte aty dhe me solemnitet na tha;

-Këtu prehen eshtrat e heroit tonë kombëtar!

Nuk e di si do i jemi dukur mureve të mykura të asaj xhamie, si të vetmet dëshmimtare të fiksimit të momentit të aqpritur, shoqëruar nga një zhgënjim që s’do më shqitet gjithë jetën.

Aty s’kishte varr, as gurë mbi krye, shenjë, kult, kryq..!

Më pas ciceroni me një pikëllim të dukshëm na hoqi mënjanë e na rrëfeu se menjëherë turqit e pushtuan trojet arbërore (kuptohet edhe Leshin, Lezhën e sotme) prishën kishat dhe ndërtuan xhami, u sulën mbi varr të kryetrimit, i nxorrën kockat dhe i bënë hajmali për fat në beteja.

Këtë e pata lexuar më pas edhe tek Barleti.

Sot që jam në moshë e kujtoj si një perrallë të frikshme gjithë atë vizitë në një xhami, krejt normale, të cilën regjimi e kishte mbyllur për falje, por e ruante si muze-varr të Skënderbeut.

Pak vite më pas mbi të Perëndia shkundi një tërmet në prill të 79-tës që i rrafshoi bashkë me muret edhe fjalët e ciceronit zevzek.

U ndala pak dhe e ngava Xhimin me nje trokitje gote, brenda të cilave kishte një lëng të kuq që quhet verë.

Për rastësi po pinim Kallmet, pikërisht nga ajo verë që kish shijuar shekuj më parë vetë kryetrimi jonë.

Ngaqë s’po fliste e kuptova se e kisha treguar bukur historinë time të shkollës tetëvejçare.

Shumë vite më pas, leximet, dyshimet, vezhgimet, ngjarjet e ndodhura së fundmi, kërkimi krejt legjitim i shkaqeve pse gjërat tek ne nuk funksionojnë siç duhet, e me konkretisht pse jemi kaq naive (s’po përdor fjalën barbarë) ndaj historisë tonë, vendeve, figurave, datave, objekteve, godinave, kontributeve, kulturës, trashëgimisë sonë, më kanë çuar në një hon poshtë të cilit janë hedhur pa mëshirë e pa as më të voglën përgjegjësi ndaj brezave shumë gjëra që në thelb janë identitet kombëtar.

Pa ia ndare sytë mikut tim i them:

-Gjin per mua varrin e Skenderbeut e kane rrënuar vetë shqiptarët!

Nuk e kam besuar e as pëlqyer kurrë rrëfenjën e Barletit dhe s’më ka bindur asnjëherë shpjegimi që i është bërë kësaj ngjarje nga historianët tanë.

Xhimi e uli gotën me lëngun e kuq në tavolinë dhe m’u drejtua.

-Në qoftë e vërtetë kjo është e rëndë, shumë e diskutueshme për një popull që e mban figurën e Skënderbeut si Hero të Kombit!

Unë mora gotën time dhe ktheva një gllënjkë me lëngun e kuq, më shumë për të njomur fytin që mu tha nga pohimi se sa nga nevoja për pijen.

Pa diskutim i them, ke të drejtë që e shtron këtë!

Por fatkeqësisht shumë ngjarje që do të rendis më poshtë do të shkojne në favor të këtij konkluzioni vërtetë të hidhur e ndoshta jo të vërtetuar.

Pa e zgjatur shumë dhe me frikën se mund të ftohej muhabeti i drejtohem me disa pyetje mikut tim amerikan, me origjinë shqiptare nga Golloborda e Dibrës, fakt të cilin ai s’e ka mohur kurrë.

-Gjin!

-Besoj e ke vizituar muzeun e Krujës!

Tundi pak kokën në shenjë pohimi dhe po priste se ku do të dilja unë.

-A e beson që ne nuk kemi asnjë objekt origjinal, as edhe një të vetëm të Skënderbeut!

Ai muze është një mrekulli më vete se brenda tij çdo objekt është riprodhim i përkryer, realizuar mjeshtërisht deri në besueshmëri.

-Nuk ka mundësi, më ndërpret miku!

Në s’beson, i them, pyet specialistët e fushës.

-Po faktin që ne ende s’e kemi gjetur ku ka lindur Gjergji e beson!

Ca thonë në Rrajcë të Librazhdit, të tjerë në Dibrën tënde.. e kërkojnë edhe sllavët nuk heqin dorë as grekërit.

Eshtë disi e çuditëshme, një lloj sjellje me dy kahje!

Xhimi tundte kokën…

Terhiqemi më pas në kohë.

-Xhim, i drejtohem!

Para do kohësh u transmetua një emision që e kish përgatitur mjaft bukur gazetari Tos Baxhaku.

I ra i ngrati djalë fshatit të Aliut, Ali Pashë Tepelenës, poshtë e lart po e gjeti thua ti një gurë që tregonte ku e kishte truallin ‘Luani i Ballkanit’!

Disa bashkëfshatarë këmbëngulnin se është këtu, duke treguar grumbuj gurësh avllie, ndërsa ata të përtejmit e kundërshtonin, është këtu, aty e atje.

Edhe pala tjetër matanë lumit po ca ‘gurë avllie’ afronte për arkeologji.

Me një fjalë e mbylli që Aliu është nga Tepelena një vend që shtrihet në Shqiperi dhe për pasojë është shqiptar.

Edhe ‘Bonopartin e Ballkanit’ na e kërkojnë, ne prap nuk e mbajmë, por as e dorëzojmë, ia bëjmë kalanë me plehra por nuk e lëshojmë, me krenari se është ‘Yni’.

Mbetet i veçantë për kohën sepse është i vetmi vezir që ka dy varre, një në Janinë për trupin dhe një në Stamboll për kokën, varri me shtrirjen më të madhe gjeografike, sa vetë perandoria.

Xhimi në këtë pjesë e ndali tundjen e kokës por as gotën me lëngun e kuq s’po e trazonte më.

Ndërsa unë për ta bërë më të këndshme bisedën e trokas sërish goten time me lëng të kuq duke i kujtuar mikut se kështu pijnë shqiptarët, pijnë e llafosin.

Këto që po them Xhim, vijova bisedën, s’kanë ndodhur mijra vjet  më parë, por vetëm pesëqind apo dy qind vjet të shkuara, aq sa koha e një shteti modern europian!

Por të tërhiqemi më këtej historisë dhe të kapim sërish një figurë me rol jo të vogël për kohën, kemi po atë pamje. E kam fjalën për Ahmet Zogollin.

-Gjin i dashur!   

Shko në Burgajet, është vendlindja e Mbretit, edhe aty nuk ke për të gjetur gurë mbi truall që të tregojë se këtu kanë qenë sarajet e Zogollëve, ai vend nga ka dalë njeriu që sundoi jo pak por afro tridhjetë vjet në Shqipëri.

Thonë se me ato gurë janë ndërtuar shkallët e stadiumit të Burrelit, a trotuarët e qytetit s’e di mirë!

Këtu Xhimi qeshi, duke thënë; së paku qenka ndërtuar një vepër publike.

I trokitëm sërish gotat për një pauz normle mes bisedës.

-E di Xhim s’e ende eshtrat e Mbretit janë në Francë!

-Shyqyr, më nderhyri miku, jo pa ironi!

Do ia kishin marrë kockat për hajmali si Gjergjit.

Qeshëm të dy dhe sytë hera-herës na shkonin mbi ekrane që nuk rreshtnin së dhëni lajmin e prishjes së piramidës.

Ja kuptova padurimin duke i thënë:

-Mos u mërzit se do arrijmë atje dhe i kallxova që ka mbetur pak nga ai lengu i kuq që quhet verë, në shishe.

-Ok!

I bëj me shenjë kamarierit të na sillte Kallmetin tjetër dhe pak ujë të gazuar dhe vazhdova.

Ende diku pranë Pallatit të Brigadave është një vend që quhet ‘Varri i nanës mbretneshë’.

Sot aty janë nja tre lokale luksoze e nuk ka asnjë varr.

Xhimi miku im shqiptar me origjinë, sociolog studiues, vuri bërrylat mbi tavolinë me duart e harkuara rreth fyryrës, erdhi dhe u bë më i ngrysur.

Në një kodër, vazhdova, në maj të saj në Durrës ka qenë vila e Mbretit që ia bënë dhuratë pas martesës me princeshën Gelardinë.

-Shko, shko shikoje e ke ‘karkasë’ pa gjë brenda sikur t’i ketë rënë bomba atomike.

Edhe këtë nuk na e kanë bërë të huajt, e kemi bërë vetë ne, ne shqiptarët!

Natën dekada më pas, si kusarët e nxorrën nga varri kufomën e kryeministrit komunist Mehmet Shehut duke e fshehur pranë një lumi sa u deshën tre dekada të gjendej.

Janë ish-ministra e zyrtarë të pushkatuar që ende s’u dihen ku u prehen eshtrat!

Pjesa më e madhe e mërgatës pas lufte vdiq në emigracion pa e parë më vendin e tyre.

-Tani, i konkludoj, s’ka nevojë se ti po e sheh vetë që i ka ardhë radha piramidës, rrënimit apo nxjerrjes së saj jashtë kontekstit të kohës.

Ky objekt është i fundit, së paku sa jemi ne.

Çdo bëjnë me vonë brezat nuk e dimë, do ndryshojnë apo do vijojnë të na imitojnë në këtë vetëshkatërrim!

Sa hymë në muajt e parë të pas zgjedhjeve shumëpartiake, me një nxitim dhe përgjithë natën u zhvarrosën të gjithë drejtuësit e luftës, Spiro Moisiu ( babai i presidentit të ardhëshëm Alfred Moisiut) Kahreman Ylii, Myslim Peza, Baba Faja, Gogo Nushi, Hysni Kapo, Josif Pashko ( i ati i njërit prej liderëve të lëvizjes së dhjetorit), kuptohet dhe vetë Enver Hoxha.

Xhimi u tërhoq në karrige dhe më pyet:

-Dakort, dakort po pse merren shqiptarët me kaq pasion me të vdekurit, pse nuk ia lenë këtë historisë!

Tani këtu ka nevojë të diskutojmë i them, ndaj nuk është e rastit që ta fillova me xhaminë e Lezhës.

-Mesaduket janë dy faktorë:

E para, shqiptarët e kanë shumë frikë vdekjen, nuk e pranojnë atë, e shohin si traum, s’kanë aspak besim tek bota e përtejme, në një farë kuptimi janë paganë.

Kanë shumë fe, besojnë më shumë tek natyra, ajo që prekin e shohin, festojnë pothuaj të gjitha ritet fetare edhe pse nuk janë të asaj feje, ndërtojnë varre me pompozitete, veprim ky për tu dukur. 

Në shumë krahina të vendit ka gra që vishen me të zeza gjithë jetën edhe pse mund të kenë 50 vjet që e kanë humbur bashkëshortin e tyre.

-E tmerrshme, i doli fjala nga goja Xhimit.

Në një lloj kuptimi ata tallen me vdekjen, jetojnë me të gjithë jetën, edhe pse e kanë tmerr.

-Kjo të çon në arsyen e dytë ; ‘përdorimi i vdekjes’.

Për ta shpjeguar më bindshëm këtë duhet të ngjitemi në stratë më të larta shoqërorë, princër, pashallarë, bejlerë, bajraktarë, ministra, kryeministra, mbretër, gjeneralë, presidentë, sekretarë partie etj etj.

-Këta janë ata që i trazojnë më shumë të vdekurit, grinden pafund mes tyre, këtu e në atë botën tjetër.

E bëjnë për dy qëllime:

Duke varrosur të kaluarën u duket se lartësojnë më shumë veten dhe bëjnë me pasion se kanë shumë frikë nga e kaluara e tyre, fama e parardhësve, mesadukët mendojnë që kur të largohen nga kjo botë as atje të mos kenë mundësi të përballen më të vdekurit, me trashëgiminë, të jenë vetëm, të sundojnë të vetëm.

Këtë lloj qerfulli e përziejnë me aq pasion sahanlëpiërsit që i rrëthojnë kryegatuësit e këtyre mënxyrave kombëtare, nuk lenë gardh e avlli pa rrëzuar, gurë e emër pa fshirë.

Një lloj mallkimi prej të cilit me gjasë e vështirë të çlirohemi së paku këtë shekull të dytë të shtet formimit shqiptarë.

-Gjin, miku im që e di që je shqiptar me origjinë dhe amerikan i ditur, këto janë shpjegimet e mia…qofsha i gabuar.

Gollobordasi i zgjuar e vuri dorën në gotën me lëng të kuq e mu drejtua!

-Uroj të mos ndodh në të ardhmën.

-Amin ja ktheva.

Restorant……28 tetor 2010.

About Post Author