Boris Miska:Saga e Ambasadorit!


Saga e Ambasadorit!

( Pjesë nga libri ‘Humor në prush’, shkruar nga Boris Miska )

Në kinemanë e vogël të qytetit ishte shfaqur filmi me ngjyra Herkuli dhe prej asaj nate Shpendit i qe tiposur të shkonte në kurs për aktor.

Kërkesën e parë ia patën refuzuar me justifikimin se do të dërgojmë për muzikat, do mësosh ti biesh trombosllajës, je i prerë për të, ke shtatin dhe takatin ta mbash dhe mushkëri t’i frysh, i vetmi instrument që i mungonte bandës së qytetit.

Shpend Karabinaja qe ligështuar pa masë dhe nuk fjeti fare atë natë, në mëngjes u vesh u rrojt dhe doli në rrugë, në kokë e kishte gati planin ta takonte sekretarin e partisë sapo ai të dilte nga shtëpia për në zyrë, atë pjesë rruge i pari i rrethit e bënte gjithnjë në kembë.

S’kaluan pak minua dhe u shfaq zyrtari i lartë me të shoqen përkrahu, e cila punonte në seksionin e kulturës, thoshin se ishte grua intelektuale e lexuar dhe e thjeshtë.

U doli përpara dhe i përshëndeti; mirëmëngjesi!

Ndalën të tre, sekretari burrë i shkurtër dhe i mprehtë e kuptoi se ai njeri e kishte një hall, ndjehej tensioni dhe emocioni që transmetonte.

-Hë mo djalë, foli ai i pari duke buzëqeshur, pse s’të paska zënë gjumi mbrëmë që na ke bërë pusi pa gedhirë!

Shpendi u step i habitur se nga e mori vesh sekretari që ai nuk kishte vënë gjumë në sy gjithë natën, nuk thonë kot se partia i di të gjitha!

I trembur se mos sekretari i parë ikte pa ia dëgjuar hallin, u ngut dhe ia zbrazi arsyen përse kishte dalë aty në atë orë…

Kërkon të vejë për aktor, u kthye ai nga e shoqja e cila nuk kishte folur deri në ato momente dhe qëndronte një hap pas bashkëshortit, veprim që bënte sa herë ai takonte popull.

Ato ditë, pak para jubileut të 25-të të partisë gazeta Drita kishte botuar poemën ‘Shqiponjat fluturojnë lart’e cila pati bërë jehonë të madhe, fëmijë e të rritur, gra, intelektualë, punëtorë e kooperativistë e recitonin kudo.

Shumë vargje sekretari i pati mësuar përmendësh dhe ishte rasti më i mirë ta provonte djalin e apasionuar pas artit në mund t’i interpretonte poemën aty, në atë çast.

Pa hë të shohim një herë ç’mund të na qullësh, e nxiti me të qeshur!!

Shpendi u përtyp ca, hapi këmbët dhe filloi të aktronte pa hezituar aspak, aty në rrugë përpara sekretarit dhe së shoqes. Zgjodhi strofat nga Shqiponja, ato më pikantet… dhe kur arriti finalen së bashku me vargjet e zjarrta ngriti zërin, kokën dhe njërën dorë lart duke thirrur;

…‘atë natë të errët dimri, kur bora u nxi e balta zu thinjë, komunistët vendosën; themelimin, koha thirri në skenë-partinë…..’.

Nga dyqani ngjitur berberët lanë klientët e shkumuar dhe me brisk në dorë dolën me vrap për të parë se kush ishte ky i marrë që bërtiste pa zbardhur sabahu.

Prej përhumbjes dhe emocionit të interpretimit Shpendi nuk vuri re sekretarin e ngazëllyer i cili u afrua dhe e përqafoi fort.

Shejtan, i tha, na millovate, na zbukurove ditën, të shkoç për aktor, të mësoç e të na nderoç.

Sërish me aksentin jugor u kthye nga e shoqja sikur ta deshte një aprovim më profesional.

-Hë moj Manushaqe, pse mos vejë!

Bashkëshortja rrinte e ftohtë, po në atë distancë pas të shoqit dhe tundi pak kokën në miratim.

-Qenka vërtetë i talentuar, e mbështeti sekratarin gruaja që punonte ne kulturën e rrethit.

Skenën e improvizuar dhe aktrimin e Shpend Karabinasë e kishin parë jo pak kalimtarë të cilët rendnin për në punë.

Në qytet u hap shpejt fjala se sekretari e kishte thirrur dhe i kish kërkuar Shpëndit t’i recitonte ‘Shqiponjën’ dhe i mallëngjyer i kish thënë se partia të do në skenë, shko fillo kursin për aktor në Tiranë.

Pas kthimit nga kursi gjashtëmujorë me nofuskën e aktorit dhe mbështetjen e sekretarit në xhep,  u paraqit në zyrën e kuadrit të komitetit ekzekutiv të rrethit për të marrë emrimin e ri.

Vitet rrodhën shpejt, Shpendi ishte martuar me Pëllumbeshën, kursante çapkëne, u kishin dhënë shtëpi në një pallat të mirë, ato minuta me sekretarin e parë i patën siguruar statusin e veçantë dhe askush nuk guxonte ta prekte.

U punësua në teatrin e qytetit të vogël, bënte gjithfarë rolesh, herë suflerin herë dublantin, herë kaskadorin, në shumë drama edhe figurantin, kishte fizik të mirë, vinte i gjatë, flokët po i binin dhe po i’a zbulonin ballin e gjërë, shpinën e mbante drejtë dhe nga problemet me mesin që nga koha kur u rrëzua keq në skenë beli iu ngurtësua dhe trupi i lëkundej nga pas….

….Sapo kishte hyrë dhjetori nëntëdhjetës, koha po ftohej, kalendari artistik i asaj dite ishte shfaqja në natyrë e një drame me temën e luftës, do e interpretonin për fëmijët e shkollave të ciklit tetëvjeçarë të qytetit.

Roli i tij ishte vetëm qëndrimi kokëposhtë, i lidhur nga këmbët dhe i varur në një paralele teke, hekur horizontal i salduar në dy tuba të fortë, vegël gjimnastike ku nxënësit bënin ushtrime force, ulje-ngritje gjatë pushimit të mësimit.

Javë më parë ishte debatuar jo pak në tavolinën e provës për aktorin që do e luante rolin, të gjithë meshkujt e refuzonin, por regjizori më në fund kishte vënë veton duke zgjedhur Shpendin me argumentin se ai personazh ishte pika kyçe e dramës, duhej një burrë trupmadh dhe skenik që grotesku të dilte në pah.

Dy projektorët e vetëm do drejtoheshin në qendër mbi Shpendin e varur dhe skenografia në sallën e teatrit të qytetit dukej shumë moderne.

Në uzinën mekanike të SMT-së u sajuan disa fasheta metalike, shtrëngoheshin me vida pas pulpës që aktori mos dëmtohej.

Sot ishte ndryshe, shfaqja e dramës ditën, jashtë dhe në skenë të improvizuar ishte më e thjeshtë, pa shumë rekuizitë.

E patën makiazhuar me mustaqe të kthyera përpjetë, veshur me qillota të zeza, xhaketë lëkure me rrip në mes dhe krahëqafë, i çarmatosur pa pisqollën njëzetshe që mbante në brez personazhi që ai interpretonte, qeleshen e ballistit ia ngjitën me skoç në kokë që mos i binte kur të varej nga këmbët.

Skena ishte sajuar në oborrin e shkollës dhe para saj në pushimin e madh ishin mbledhur nxënës e mësues, pastrueset dhe vetë roja i derës, që veç portjerit kryente dhe rolin e ziles së mësimit duke tundur fort një kumbonë dore çdo 45 minuta.

Në rrjeshtat e para qenë vendosur karriget e sallës së këshillit pedagogjik, ku zunë vend drejtori, sekretarja e partisë, n/drejtori ushtarak dhe mësuesi që ishte zgjedhur me votë, kryetar i bashkimeve profesionale. Në karriget e cepave qëndronin dy pionerë të dalluar me shallin e kuq në qafë, njëra vajzë dhe tjetri komandant i çetës.

Pasi e lidhën nga këmbët dhe ia shrënguan fort fashetat me gomina të sajuara nga kamerdaret e makinave, dy punëtorë të skenës të ndihmuar edhe nga mesuesit e fiskulturës mezi e ngritën dhe e mbërthyen fort tek hekuri me kokë poshtë.

Ishte nga rolet e tij më të vështira, gjaku do i rridhte nga damarët e këmbëve, i cili gjatë vërshimit do merrte dhe atë masën e lëngshme që kishte trupi në mes e do grumbullohej në pjesën që tani ndodhej në anën e kundërt pranë dyshemesë prej druri.

Fytyra dhe koka me qylafin  e cila për pak centimetra prekte dërrasat, ishin si një lloj prite ku gjatë rolit këmbëpërpjetë do përballonin presionin e gjakut, që nuk ishte pak, plot pesë litra.

Aktorët e veshur ca si partizanë të tjerë si ballistë, me pushkë e pistoleta pa fishekë u vendosën sipas skenarit dhe po prisnin në ankth momentin e ngritjes së siparit.

Perden e skenës e patën improvizuar me ca batanie leshi që përdorin mësuesit sa herë kryenin dezhurnin pranë depos së armatimit.

Sapo nga dy artopolantët anësorë rrodhi muzika me nota tragjike, bataniet filluan të lëvizin në anën e majtë, punëtori e tërhiqte litarin ngadalë derisa u zbulua e tërë skenografia e sajuar.

Nxënësit shpërthyen në duartrokitje, fishkëllima dhe të qeshura kur në mes të skenës u shfaq figura e Shpend Karabinasë në rolin e ballistit të varur nga këmbët.

Entuziazmi nuk pushonte, aq sa u desh ndërhyrja e n/drejtorit ushtarak që të vendosej qetësia.

Pjesa teatrale nuk ishte e gjatë, por mori shumë shtrirje kohore nga ngazëllimet e zgjatura të fëmijëve dhe ndërhyrjet e herë pas hershme të mesuesve të fiskulturës për të qetësuar spektatorët e vegjël.

Në ndërrimin e akteve e patën ulur e ngritur disa herë prej hekurit dhe ato pak minuta qëndrimi në këmbë e shikonte ende turmën përpara skenës sërish të kthyer me kokë poshtë dhe mendja i merrej derisa gjaku i varej  tek shputat duke u pozicionuar në deje e kapilarë ,që para pak ishin pothujse të zbrazura, pa lëngun e kuq.

Në aktin final, Shpendi krahëhapur numëronte me mendje minutat e sekondat e fundit, ndjente pulsimin e fortë të gjakut në tëmtha dhe mesi mezi po e përballonte peshën, i dukej sikur nga çasti ne çast fashetat metalike do i shkëputeshin bashkë me gominat e kamardareve dhe trupi do i ndahej në dysh.

Nga larg u dëgjua sirena e makinës së policisë dhe e autoambulancës, pas saj kaloi me shpejtësi zjarrfikësja e amortizuar, skoda e vetme e lyer me bojë të kuqe që qyteti i vogel kishte për të shuar ndonjë zjarr që bine aksidentalisht.

Ndër këto zhurma të kryqëzuara mjetesh , në dëgjim i erdhën prej kushedi se ku ca thirrje që në fillim nuk po i kuptonte çfarë ishin.

Veshët gjëmonin sa nga pulsimi i gjakut në kokë aq edhe nga ulërimat e njerëzve e duartrokitjet pa shkak të nxënësve.

Demostratë mendoi, por ju duk e pabesueshme!

Si ka mundesi, ku po ndodh, pse, nuk ishte e vërtetë, ndoshta gjaku i tepërt kishte trazuar trurin e tij, e kaploi paniku dhe filloi të bërtas.

Më zbrisni, më zbrisni , nuk duroj më…..!

Zëri iu mpak, sytë dallonin turbullt vetëm nxënësit që zbrazën në pak minuta oborrin, karriget që i shihte në këmbë por që ishin rrëzuar kur paria e shkollës ishte futur brenda në panik nga parrullat e frikshme që turma hidhte pa pushim.

Skena ishte bosh edhe aktorët ashtu siç ishin veshur, ballistë e partizanë me armët pa fishekë u bashkuan me demostruesit.

Mbeti vetem Shpendi kokëposhtë, varur nga këmbët, me fytyrë mbarpsh kthyer nga rruga para shkollës.

Turma e ekzaltuar po kalonte fare pranë, ai i shqunte turbullt  të gjithë njerëzit që lëviznin me këmbë nga qielli dhe parrullat i vinin të kthyera së prapthi, duket nga qëndrimi i gjatë në atë pozicion.

U mundua ti dëgjonte mirë thirrjet, por edhe ato i vinin të pakuptimta, të këmbyera kokëposhtë;

Demokraci-Liri, Hitler-Enver, Komunizmi- Poshtë, Evropën si Gjithë Shqipëria…Litarë në Komunistët…

Nuk po i besonte veshëve, ndjehej sa në panik nga mbetja varuar në hekur, aq dhe i befasuar nga ajo që dëgjonte, rrinte aty këmbë përpjetë i pavendosur në duhet të gezohej apo të vazhdonte të kërkonte ndihmë.

Zeri po i fikej, fuqitë pothuajse ishin në shterrim, po mjegullohej nga sytë.

Filloi të shikonte lule, ditë të bukura, mesaduket ishte dënuar të mos e jetonte lirinë, po përhumbej dhe shuhej sekond pas sekondi.

Fati i tij, disa çuna që e njihnin, e kishin shtëpinë buzë lumit që i kalonte pas pallatit, erdhën me vrap e zgjidhën dhe e ulën me nxitim nga hekuri.

Menduan se i kishte rënë të fikët, e goditën fort me shpulla faqeve, e sollën në vete, e ngritën në supe dhe e nxorën në krye të demonstratës.

Pa e menduar gjatë e vunë në rrjeshtat e para, u duhej ai personazh trupmadh, ishte karizmatik, u jepte fymëzim e kurajo.

Qëndrimi në pozicionin e kundërt gradualisht po e kthjellonte Shpendin në mendim, shikimi dhe dëgjimi iu bë siç ishte para se ta varnin, ndaj nxitoi edhe ai të futej në rolin e ri.

Por akoma nuk bërtiste dot, zëri ende i ishte strukur thellë, ndoshta nga frika e gjatë, mundet dhe nga bukosja e fytit prej qëndrimit aq kohë kokëposhtë. Shumë shpejt u bë pjesë e korit të protestuesve, bërtiste me atë pak zë të ngjirur, ngriti dy duart me gishtat hapur në formë V-je si të tjerët, pa e ditur fare se çfarë nënkuptonte ai simbol.

Të nesërmen i gjithë qyteti zjente nga lajmi se Shpend Karabinaja kishte organizuar dhe udhëhequr turmat për rrëzimin e diktaturës në qytetin e vogël

Fama kaloi fusha e kodrina, nga njëri qytet tek tjetri derisa emri i tij arriti i legjenduar në Tiranë, në krye të listës mbi tavolinën e sekretarit të parë, por tani të një partie tjetër.

Shpendi ishte njëshi, i fillimit fare në listën e gjatë që i kishin sjellë nga ai qytet, ndërsa tek fleta tjetër qëndronin mbi tavolinë të shtypura në makinë shkrimi postet vakante të mbetura pa plotësuar.

Sekretari i parë i partisë së re lexoi emrin ne krye të fletës, i shkruar me dorë; zoti Shpend Karabinaja, nismëtar i themelimit të seksionit të partisë për rrethin e …!

Thirri dikë që e njihte atë qytet të vogël dhe e pyeti; ku ka punuar ky, çfarë zanati ka?

Shef, iu përgjigj bashkëqytetasi, Shpendi është dora jonë, demokrat, i thjeshtë tornitor, pastaj ka bërë nji kurs për aktor, e ke intelektual, ka punuar në teatrin e qytetit e kemi pas më t’mirin, do të nderojë, të garantoj unë.

Me biografinë e Shpendit në dorë i bëri shenjë personit të largohej, mori listën dhe filloi të kërkonte postin që do i rrinte më mirë aktorit që i’a patën servirur në krye të listet si udhëheqës të turmave.

-Drejtor i teatrit popullor, ju duk pak, dekan i institutit të arteve, as kjo nuk e bindi, z/ministër kulture, sërish nuk e nxinte biografinë artistike dhe kontributin e tij politik!

Zbriti gishtin më poshtë letrës, ministër i kulturës, rinisë dhe gruas, kjo ishte e rezervuar, u’a kishte premtuar ambjentalistëve!

Në bujqësi se fuste dot, as kapelja e mbrojtjes nuk e nxinte kokën e madhe të Shpendit, ndaj u ngjit sërish lart në listë dhe po lypte postet që ende s’u kishte gjetur emrin.

Ambasadorë…!

Lëshoi letrën dhe u mendua pak, e mori sërish dhe filloi të lexonte shtetet që kishin mbetur pa përfaqësues të Shqipërisë së re demokratike.

E vetmja karrige e paplotësuar ishte ajo e përfaqësuesit tonë në OKB, uli sërish letrat dhe po shikonte sa emrin e Shpend Karabinasë, aq edhe postin në kombet e bashkuara, të shkretë pa diplomat shqiptar.

Këtu, foli në fund i çliruar sekretari i parë i partisë së re, këtu s’i prish punë askujt, atje teatër bëhet, të gjithë luajn rolet e interesave, pse çojmë edhe ne një aktor s’prishet dynjaja!

Nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës stilografin kinez me të cilin më parë kishte mbushur receta dhe korigjuar detyrat e studenteve dhe shkruajti emrin me gërma kapitale, më shumë nga meraku se po ti përdorte të voglat do i ngatërrohej nga shkrimi i keq.

Stilografi me bojë, prodhim kinez zvarriti ngadalë majën mbi fletën e bardhë dhe pas la të shkruar dallueshëm:

– Zotin Shpend Karabinaja, Përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në OKB….

…Lajmin se Presidenti kishte dekretuar ambasador birin e tyre u përhap si era në të gjithë qytetin.

Mëngjesi i ditës tjetër e gjeti ish-aktorin njeriun më të vlerësuar të atij vendbanimi, shumë shpejt qytetarët do mburreshin se tani kishin dikë atje lart, miq e shokë, farefisi e bashkëfshatarët në jugun e largët u ndjenë të përfaqësuar si asnjëherë më parë.

Kot nuk thonë se ka zot, ja na pa edhe ne perëndia, erdhi dita jonë!

Shpendi u ngrit herët, u la u rrojt me kujdes, kur doli në korridor vuri re se fëmijët dhe Pëllumbesha po e shikonin ndryshe, kishte ngazëllim dhe nota stepje në sytë e familjarëve, duket nga posti që kishte njoftuar një natë më parë televizioni shtetëror.

Hapi dollapin e teshave në dhomën e gjumit, hoqi nga kremastari kostumin e dasmës që e pati veshur rrallë, zgjodhi një nga tre kollaret, të vetmet që kishte, llustroi këpucët e zeza dhe filloi të vishej.

Shtëpinë e kishte në katin e pestë dhe derisa arriti poshtë e patën uruar të gjithë komshinjtë me dyer dhe zemra të hapura sapo i ndjenë çapat e rënda të Shpend diplomatit.

Tek shkallët poshtë pallatit po e priste me veturën e larë shoferi i teatrit, i cili kishte blerë një makinë të lirë të markës Fiat dhe e përdorte për taksi.

La leckën me të cilën cilën po fshinte xhamat dhe kofonon e veturës së amortizuar nga koha e gjatë e përdorimit në shtetin fqinjë, hapi derën e pasme dhe po priste pak i përkulur të futej burri trupmadh dhe më i rëndësishëm i qytetit të vogël.

Urime shef, lart e më lart, u ngut ta bënte qokën i pari taksisti.

Shpendi ambasador vuri pak buzën në gaz dhe me zërin e trashur prej emrimit, apo ndoshta nga lidhja e fortë e kollares ju përgjigj: Rrofsh Xhipe, shko përpara më prit tek zyra, do bëj ca hapa, kam nevojë të eci në kembë.

Xhipja, shoferi modest i zukut të teatrit, u bind, ndezi veturën e sajuar taksi pa stemë dhe u nis pak pasi shefi i ri zbriti nga trotuari në shitoren e vetme të gjërë e asfaltuar që kishte qyteti.

Shpend Karabinaja sot diplomat, drejtoi trupin, ngriti pak kokën dhe filloi të baritej rëndë në mes të rrugës që të shpinte tek ish-komiteti i partisë, aty kishte marrë një nga zyrat më kryesoren, pikërisht atë të sekretarit të parë që ai i kishte recituar dikur ‘Shqiponjën’ dhe mes lotësh e emocioneve i pati rrëmbyer kursin e aktrimit.

Sekretari nuk banonte më në atë qytet, ngaqë ishte në pragpensioni e patën transferuar pak vite më parë në Tiranë, tani ishte Shpendi më i rëndësishmi, ndër shumë parti të krijuara ishte i pari, forca e tij politike me votën e lirë erdhi shpejt në pushtet.

U kujtua se ndër rolet që pati luajtur nuk kishte interpretuar kurrë ambsadorë, s’dinte si ecnin ata, si visheshin, çfarë mendonin, nga e mbanin lugën dhe nga qëndronte thika, si ngrihej dollia, a trokitej gota, kur duhej të qeshte e kur të rrinte serioz buzëkyçur.

Natën në krevat i pati menduar të gjitha, detyrën e re, shtetin ku do shkonte, gjuhën që se dinte, veshjet, fëmijët, Pëllumbeshën aty në shtrat ngjeshur pas tij, e cila herë pas here i’a ndërpriste fillin nga gërrhimat e gjumit të thellë.I vetmi rol serioz që pati luajtur ishte ai i komandantit të ballit, veshja, ecja, qëndrimi në kapadai çuditërisht e tërhiqnin ta imitonte.

Ju  kujtua se personazhi i mbante duart pas të lidhura kur kalonte në skenë, xhest autoritar dhe shprehje trimërimi e fodullije.

Ndaj i hoqi shpejt pëllëmbët nga xhepat, shkopsiti xhaketën që i rrinte pak e ngushtë dhe i vendosi të dyja kapur pas belit.

Ato muaj pas fitores kishte vënë dhjam nga drekat dhe darkat që pati konsumuar me uri dhe barku i kishte kërcyer përpara.

Ambasadori i ri ecte i sigurtë dhe përshëndeste lehtë me kokë njerëzit që e uronin nga të dy anët e trotuareve, shumica ishin kalimtarë të rastit dhe kishin ndalur sapo e dalluan të shfaqej në krye të rrugës ashtu me trupin e madh e qëndrimin në kryelartësi.

Pjesa tjetër e uruesve, biles më të përzëmërt e me servilizëm të ndritshëm ne sy, ishin të zotët e lokaleve e dyqaneve në katet e para të pallateve, të gjithë e shoqëronin me shikim të ngazëllyer dhe duart e vendosura anash.

Mapoja e madhe e qytetit ishte ndarë e privatizuar mes shitësve dhe sajuar në dymbëdhjetë dyqane me aktivitete të çuditshme që s’kishin asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

Kishte aty bar-kafe, dyqan këpucësh, pijetore, metrazhe, farmaci, mëngjesore, axhensi turistike, fruta-zarzavate, zyrë noterie, materiale ndërtimi, ndërsa e fundit në radhë vinte funerali i qytetit.

I zoti i aktivitetit me hije të keqe sa e pa Shpend Karabinanë u fut në dyqan me shpejtësi dhe mbylli derën nga brenda, i trembur ndoshta se mos diplomati i ri e merrte për ters urimin e tij që do ja jepte megjithë shpirt.

Qyteti nuk punonte, ato pak ndërmarrje prodhuese që kishte u mbyllën, u privatizuan, pjesa dërrmuese ishin pa tulla, patën mbetur vetëm kollonat e trarët e betonta të cilat nga muret e grabitura ngjanin si skelete mjerane pa mish e lëkurë.

Tek ish-komiteti i partisë gjeti si gjithnjë grupin e djemve të cilet nuk i ishin ndarë që prej momentit që e patën zgjidhur e ulur nga hekuri, ishin ata që e ngritën në supe dhe e kishin kthyer në lider të protestes. Atyre u detyrohej shumë, megjithatë dita-ditës ndjehej në bezdi, ndaj po planifikonte çastin kur do i largonte me marifet, sepse me ftohjen e ditëve të nxehta të revolucionit demokratik, kuptoi se ata ishin imazh i keq për figurën e tij politike.

Por tani nuk ishte e lehtë, pasi ai në fillimet e veta sa nga entuziazmi e ca nga padija i pati shpërblyer me detyra e poste. Njeri ishte bërë shef komisariati, tjetri drejtor i pronave të qytetit, ai më kryesori pati marrë frenat e sindikatave të pavaruara dhe deri në ato momente ishte pasuruar me shpejtësi si askush tjetër në qytet.

Xhipja, shoferi i zukut të teatrit siç e pati porositur po e priste me Fiatin e parkuar tek hyrja e godinës dy katëshe të ish-komitetit të partisë.

Ngjiti shkallët mes njerëzve qe i’a kishin hapur udhën të kalonte dhe u fut ne zyrën e madhe me mobiljet e pandryshuara, në ballë aty ku muaj më parë qëndronte fotografia e Ramizit kishte vendosuar një tjetër, atë të sekretarit të parë të partisë së re.

Bibloteka faqemuri ishte e zbrazur pa kopertinat politike, në cep pastruesja kishte vendosur vetëm statutin e partisë dhe numratorin e ri telefonik të qytetit.

U lëshua rëndë mbi karrige, u mbështet dhe u ndje ndryshe, me peshë tjetër, më i rendësishëm se ditë më parë, më i vërtetë, nga dje nuk mbante vetëm postin politik, atë të sekretarit të parë të partisë së re, por edhe detyrën shtetërore të diplomatit dhe jo e vogël, përfaqësuesi Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Tani, mendoi me shikim tek llampadari, tash mbarë bota do ta marri vesh kush jam unë; ambasador, diplomati Shpend Karabinaja!…  

…Kohën e gatitjes për t’u paraqitur në detyrën e kishte të limituar, nga dita e daljes së dekretit kishin mbetur më pak se dy muaj.

Pati shkuar për sqarime në ministrinë e jashtme, por aty askush s’dinte ti thoshte se çfarë pune duhej bërë atje në New York, të gjithë ishin të rinjë, vinin vërdallë korridoreve të dikasterit dhe kohën më të gjatë e kalonin në klubin që ndodhej në bodrumin e godinës.

Priti kot në paradhomën e ministrit të ri, një ish-doktor, i cili atë ditë ishte i zënë me zbulimin se kush i’a kishte futur mikrofonin e madh që ai gjeti mbi skrivani dhe po e spiunonin!

Sendi  i dukshëm inçizues ishte pjesë e protokollit zyrtarë që funksiononte si regjistrues i bisedave sa herë kryediplomati kishte takime me homologë apo ambasadorë të akredituar në Tiranë, por ai e kishte konsideruar ‘përgjim nga struktura e policisë sekrete’.

Para tij qëndronin në këmbë të bërë dyllë disa punonjës që ia sjolli aty Muç-truproja, i cili dyshonte tek ata, ishin të vetmit që patën mbetur nga stafi i vjetër, dy pastruese, një shofer dhe elektricisti, të gjorët ngrinin supet në padije për t’i treguar ministrit kush ia kishte vendosur përgjuesin e madh.

Kur ambasadori dëgjoi ministrin t’i urdhëronte me zë të lartë sekretaren dhe Muç-rojen të njoftonin ministrin e brendshëm dhe prokurorin e përgjithshëm për skandalin, vuri duart tek krahët e kolltukut ku ishte zhytur dhe u bë erë shkalleve nga frika se mos e bënin dëshmitarë të meselesë me spec.

Të nesërmen e para gjë që planifikoi ishin veshjet dhe që atë ditë bashkë me Beçën, kështu filloi ta thërriste që ate ditë, dolën përkrahu  dhe provuan disa kostume turke nëpër dyqanet e sapohapura me veshje perendimore.

Asnjëri s’i bënte, nuk ishin prerje e tij, njëri i vinte i ngushtë tek shpatullat, tjetri me dy të çara ia nxirrte shumë në pah vithet e gjëra, një kostum shumë i bukur ngjyrë gurëkali i rrinte i shkurtër dhe për fat të keq nuk kishte aspak copë të kthyer për ta zgjatur.

Megjithatë dyqanxhinjtë nuk u kursyen fare, i dhuruan këmisha dhe kollare, kapele republike për diplomat, këpucë në ngjyra të ndryshme, mbathje kanatiere, tuta për shtëpi, çorape dhe pizhama për të fjetur, tre qese të mbushura plot i mbante Pëllumbesha, pasi ai nuk duhej ta ulte imazhin e zyrtarit me torba në sytë e botës.

Sa hyri në shtëpi i telefonoi drejtorit të teatrit, ish-demostrues, mik i tij, aktor që kishte luajtur vetëm dy role figuranti, tek i pari kishte thënë mirëmbrëma, ndersa në rolin tjetër natën e mirë.

E urdhëroi, ma dërgo të vijë tek shtëpia ime rrobaqepësin, punonjës i rekuizitës i cili sajonte tesha për role të ndryshme.

Po kaq urgjente ishte dhe marrja e disa seancave për anglishten që nuk e dinte dhe për këtë kërkoi ti vinte në shtëpi çdo pasdreke mesuesi i shkollës se mesme, i vetmi që e njihte atë gjuhë në qytetin e vogël. Në kursin për aktor kishte mësuar vetëm disa fjalë rusisht të cilat duhej t’i harronte sa më parë.

Xhipja shoferi i zukut të teatrit, taksist me veturën italine e shoqëronte kudo, në shpresë se ai do ta merrte me vete në Amerikë. Fiatin e furnizonte me karburantin e partisë dhe justifikimet ishin me lëvizjet e shumta që sekretari bënte për të përhapur demokracinë në rrethin e vogël.

I gjithë qyteti zjente nga theshethemet se Shpendi ambasador emrimin e parë që kishte bërë në detyrën e re ishte Xhipja shofer i përfaqësisë sonë në New York.

Në ato dy muaj gatitje Nafija gruaja e Xhipes, pastronte, lante e gatuante në apartamentin e Shpend diplomatit, ishin bërë pothuajse një familje, biles në orët e kursit të anglishtes në fund të dhomës si dëgjues asistonte edhe çifti në shpresë tek ambasadori i ri.

Shpendi pati porositur fëmijët dhe Beçën, Xhipen dhe Nafijen që shprehjet; Ok, Bye dhe Hi, ti përdornin sa me tepër për t’u familjarizuar me zakonet dhe gjuhën e re.

Një natë para nisjes për në aeroportin e Rinasit shtëpia e diplomatit u mbush me kallaballëk, miq, shokë, komshi e të afërm që erdhën ta përcillnin, të gjithë duarplot dhe të shumtit darovitën edhe lekët tek Pëllumbesha, me sugjerimin që ti këmbenin në dollarë për udhë.

Zoi, rrobaqepësi i teatrit i solli dy kostumet të sapopërfunduara dhe një pallto serioze, të hekurosuara e paketuara mirë në qese plastike. Një copë për kostumin e kishte gjetur të zezë, për pritje, ndërsa tjetrën në ngjyrë gurëkali për gjezdi në ditet e beharit, së bashku me kostumin kaf të dasmës bëheshin tre.

Katër valixhet ishin dingas, tre me rroba, ndërsa tjetrën e mbushën me ushqime. Futën aty; një rrotë djathë kaçkavall që ia kishte sjellë komshija përballë, dy byreqe një me qepë dhe një me preshë qe ai e hante shumë ia kishte gatuar vjehrra, dy pula të pjekura ia kishte sjellë vëllai nga fshati, mollë, ftonj, hurma, raki rrushi, konserva mishi e peshku, komposto, reçel kumbulle për femijët të bëra nga kunata, çaj mali, gjalpë baxhoje dhe vargun me speca djegës.

Ajo rendonte shumë ndaj Xhipe takisti e pati paralajmëruar shefin se ndoshta do i duhej të paguante për tejkalimin, por ai i kishte kujtuar statusin e diplomatit i cili nuk lejonte as peshimin dhe as hapjen e bagazheve me arsyetimin se aty kishte sekrete shtetërore.

Në mengjes poshtë pallatit e prisnin dy makina, e para ishte e Xhipes, taksistit të qytetit dhe shoferit personal të Shpend Karabinasë, pas tij vinte furgoni i tregëtarit të bulmetit,  pronari i baxhos së vetme të qytetit, aty ngarkuan bagazhet e rënda.

Ambasdori u mbështet në sedilen krah Xhipes, vendosi rripin e sigurimit, duhej të dukej korrekt me ligjin, uli xhamin deri në fund dhe nxorri krahun e gjatë për të përshëndetur miletin që kishte dalë për ta percjellë ambasadorin, të vetmin zyrtarë të lartë që kishte nxjerrë deri atëhere ajo qytezë modeste.

Era i frynte mbi ballin e tij pa flokë dhe pas mbetën thirrjet me urimet e shumta; udhë të mbarë, mos na harro, mbarë e mirë zoti Shpend, lart e më lart o biri ynë, perëndia qoftë me ty, na ndero o ambasadori nënës…

Rrugës për në Tiranë, me xhamin e mbyllur në krah filloi ta merrte malli për qytetin që pas ikjes së tij me siguri kishte mbetur bosh, rruga nuk do ndjente më hapat e rënda, dyqanxhinjtë s’kishin s’e kë të përshëndesnin çdo mëngjes, para ish-komitetit të partisë nuk do mblidheshin më  hallexhinjtë, sepse nuk kishte më sekush t’ua qante si Shpendi.

E zuri tishtimi dhe po qëndronte pa folur, Xhipja shikonte rrugën i tensionuar në përgjëgjesi për transportin që po kryente, Pëllumbesha numëronte herë dollarët e herë pemët që i shkonin njëri pas tjetrit pranë xhamave të veturës, fëmijët shfletoni të qetë revistën amerikane me pamje nga Manhatani.

Pas dy orësh arritën në Rinas dhe procedurat e kalimit të biletave dhe bagazheve u bënë shpejt pa asnjë problem për shkak të statusit që gëzonte.

Nga thirrja e artopolantirt të sallës së pasagjerëve kuptuan se ishte radha e avionit të tyre ndaj lëvizën me nxitim, ngjitën shkallët e improvizuara, u përshëndetën nga stjuartesat e bukura në hyrje të cilat i shoqëruan deri tek vendet që u korrespondonin me biletat.

Herën e parë të hipjes në avion e përjetuan me emocion, por pas njoftimit të pilotit për ta lironin rripin e sigurisë dhe të qëndronin të qetë si në shtëpinë tyre, i kaploi gjumi të kapitur nga mosfjetja prej dy netësh….

…S’e patën ndjerë fare udhëtimin e gjatë, gati nëntëorësh në hava pa ndaluar askund dhe prej gjumit të thellë i zgjoi stujuartesa e sjellshme me lutjen që ta vendosnin rripin e sigurisë, pas pak do të uleshin në JFK, aeroportin e madh të New Yorkut.

Cekja e rrotave në tokën amerikane i trembi shumë, e përjetuan ndryshe nga momenti i shkëputjes prej atdheut, avioni i madh u trondit fort dhe derisa ndali u shoqërua nga një zhurmë e madhe.

Rendën pas pasagjerëve të tjerë dhe me pasaporta në dorë zunë radhë në një nga sportelet e shumta të kontrollit.

Matanë xhamit qëndronte ftohtë një grua më ngjyrë, e shëndetshme dhe me syze skelt trashë, u’a mori pasaportat dhe po i shikonte duke i verifikuar sipas fotografive. Lexoi në dokument emrin e vendit nga vinin, Republic of Albania, pashaporta diplomatike dhe shërbimi vetëm me vizën amerikane, pa asnjë hyrje-dale në aeroporte, ishte udhëtimi i parë, për habi vizat ishin të rregullta megjithatë policja e kontrollit mbeti dyshuese dhe thirri një nga koleget i cili u fut në kabinë dhe i pa me kureshti dokumentat e lëshuara nga shteti shqiptar.

Zotëri, iu drejtua të parit ambasadorit, pse jeni pajisur me pashaporta diplomatike dhe shërbimi, kush është arsyeja që po kërkoni të hyni në shtetet e bashkuara…?

Diplomati uli kokën pranë hapsirës së xhamtë të banakut dhe me dorë tek gjoksi i tha, un ambasador, ambasador Albania, OKB, familja ime, grua fëmijët…

Polici i ardhur në ndihmë të koleges nuk kuptoj asgjë por nga përmendja e fjalës ambasador u shty  më shumë në dyshime, nga Departamenti i Shtetit kishin porosi të verifikonin mirë vizat dhe pasaportat që udhëtonin nga lindja komuniste, sidomos pashaportat e shërbimit pasi me to po abuzohej shumë.

U’a bëri me dore ta ndiqnin pas dhe i futi tek zyra e kontrollit të emigracionit, aty u ulën dhe po prisnin, ende s’po e kuptonin çfarë kishte tek dokumentat e viza e tyre amerikane e dhënë nga ambasada në Tiranë!

Pas disa minutave në dhomën e kontrollit u shfaq një burrë trupmadh, shtynte një karrocë dore, ku ishin ngarkuar të gjitha valixhet e tyre.

I vuri mbi tavoline dhe dy policët e tjerë me doreza plastike në dorë filluan t’i hapin dhe kontrollonin imtësisht, në fillim teshtat, i nxorrën të gjitha, bile kontrolluan edhe xhepat e astaret e pantallonave e xhaketave.

Në fund i erdhi radha valixhes me ushqime, dy punonjës të tjerë obezë mezi e ngritën dhe sa lëvizën zinxhirin, prej saj shpertheu era kaçkavallit, e pulave të pjekura dhe ushqimit të paketuar, byrekut me qepë dhe preshë.

Food, ulëriti nga larg polici që ndiqte procesin me bërryla të vendosura mbi tavolinën e zyrës, my gad!!!!

Ambasadori, e shoqja dhe fëmijet rrinin të tulatur pa kuptuar pse ai u nxeh sapo qe hapur valixhja e ushqimeve!

Polici që dukej më kryesori, zuri hundën me dorë, lëvizi nga karrigia dhe urdhëroi kontrollorët t’i nxirrnin ushqimet sipër, të gjitha…

Hoqën valixhet me rroba dhe mbi suprinën e gjatë rreshtuan të gjitha gjërat e hapura e të paketuara me skoch, ishin aq shumë sa tavolina u mbush si banak shitjesh produktesh ushqimore.

Në zyrën e emigracionit ra heshtja e mbarsur me aromën e djathit kaçavall dhe byrekut me presh, dëgjohej vetëm një my gaaaad e zgjatur, duket nga habija e llojshmërisë ushqimore.

Ai më kryesori u kthye nga Shpendi dhe të parit atij i kërkoi të ngrihej në këmbë dhe filloi t’i bëj kontroll fizik, i’a hoqi të gjitha teshat, këpucët, mbeti vetëm në të mbathura dhe kanatjere.

Shpend Krabinaja i bërë dyll prej padijes ktheu kokën nga familjarët dhe mendoi çdo ndodhi po t’i zhveshin edhe ata, sidomos Beçën e shëndoshë.

Ambasadori i ri erdhi në vete sapo i’u kujtua se ai kishte status diplomatik dhe ishte e ndaluar ta preknin, ta kontrollonin, ta nxirrnin me uniformë si dikur në orën e fiskulturës, ndaj u tërhoq pak dhe filloi të protestoj, ashtu siç ishte me brekë, biles e ngriti zërin lart.

Policët të befasuar ngaqë shqiptarët deri në ato momente po rrinin si në faj pa reaguar, ndalën procesin dhe filluan të flasin me njëri-tjetrin. Shpendi kuptoi vetëm Albania-Albania, të tjerat fjalë nuk i dinte, aq më shumë që amerikanët përdornin një gjuhë ndryshe që s’kishte asnjë lidhje me ato pak seanca që u kishte dhënë mësuesi i anglishtes në pak javë.

Ja bënë me dorë të vishej dhe procedurat nuk i vazhduan me gruan dhe fëmijët, njëri prej tyre kapi telefonin fiks mbi tavolinë dhe foli me dikë, priti gjatë me receptorin në vesh derisa doli dikush që ata e kërkonin.

Pas një ore në dhomë hynë sërish policët e kontrollit por këtë radhë ishte me ta edhe një punonjës i veshur thjeshtë pa uniformën e aeroportit.

I pari i përshendeti burri civil, diku në moshë rreth të pesëdhjetave, fliste shqip por në dialekt kosovar.

A shqiptarë jeni aaa, foli rëndë përkthyesi !

Shpendi rendi të flas i pari i çelur në fytyrë; po shqiptarë jemi.  

Jam përkthysi i shqipes, u prezantua burri i gjatë!

Unë jam Shpend Karabinaja,  përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në OKB, u afrua dhe i zgjati dorën të sapoardhurit.

Kosovari i befasur, nuk ia leshoi dorën dhe po e shikonte me kureshti nga koka tek këmbët, u tërhoq pak dhe po qëndronte mes palëve që deri në atë çast nuk ishin marrë vesh.

Ambasadori nguti të ankohej, mirë që erdhe vëlla se këta nuk na besojnë, s’po e kuptoj çfarë duan nga ne, do protestoj sa të shkoj në përfaqësi, do njoftoj Tiranën, ky është skandal diplomatik, jam prekur me dorë, me kanë nxjerrë me brekë, m’u hapën bagazhet me vulën diplomatike, turp dhe nga kush, nga keta që na konsiderojnë edhe miq.

Kosovari u kthye nga policët që po prisnin dhe filloi ti shpjegojë ne anglisht se kush janë në të vërtetë shqiptarët e sapombërritur.

Ata filluan t’i shikonin ndryshe dhe nga dyshimi në sy u shfaq një lloj hutimi e pasigurie, filluan të debatojnë me kosovarin dhe kur ai ngriti zërin u tërhoqën dhe dolën për pak minuta jashtë.

Shpendi me të vetët s’po kuptonte çfarë kishte ndodhur por që pas ardhjes së bashkatëdhetarit situata kishte kaluar në favor të tyre këtë diplomati i ri e nuhati, ndaj filloi të ecte i nervozuar me hapa nëpër zyrë, duke pritur rastin të çlirohej dhe ta bënte atë që kishte ndërmend, notën e protestës.

Kishte dëgjuar për nota diplomatike, por s’dinte si ta formulonte dhe kujt do t’ia paraqiste.  OKB-së, joooo, organizata ndërkombëtare s’kishte gisht fare në këtë skandal, përkundrazi ajo me siguri do i dilte për zot, ta mbronte përfaqësuesin e vet, as Departamnti i Shtetit s’besoj ta kishte provokuar këtë incident, ndaj përfundoi tek adresa e postës së policisë në JFK, aty do e bënte protestën me gojë, ose tek shefi i komisariatit të policisë së Manhatanit, por ju duk e vogël.

Vinte vërdallë në zyrën e emigracionit, i ngrysur në fytyrë, me duart prapa si dikur në skenë kur luante rolin e komandantit të ballit.

Pas pak u shfaq në derë përkthyesi së bashku me tre policët e emigracionit që prisnin pa folur dhe sytë e drejtuara nga ambasadori të cilin tani po e shikonin ndryshe.

Nigjoni këtu bashkatdhetart e mi, foli me zë fundor përkthyesi i shqipes!

K’ta ju lypin t’falun se nuk e kan dit me kë kan me ba, e kan kuptue gabimin, por meqense edhe ju keni shkel rand lixhet e Ameriks tuj fut food, sende t’ndalume, k’ta po thon me e lan barazim, dmth me u pajtu, xene se s’ka nodh gja, ju n’pun tuj’k’ta n’pun t’vet.

Ti zotni ambasador po thu nuk m’kan prek, as mu as bagazhet, as zojën, k’ta policat po thojn s’ka pas gjana t’ndalume, s’kena pa gja me sy n’bagazhe; si thoni!

Shpendit iu duk pazar i mirë, pranoi ngaqë edhe ai ishte në faj dhe që në atë çast hoqi dorë vullnetarisht prej protestës, aq më shumë që po ta bënte të madhe do merrej vesh edhe në Tiranë, nuk i dihej si do kalonte, filloi të mendonte ftohtë si diplomat, nuk do i pëlqente ta niste ters, sapo vunë këmbë në tokën amerikane.

Ok, nxori fjalën i pari, u tha u bë, ta mbyllim e lemë këtu! U kthye nga policët i takoi përzemërsisht, të cilët të çliruar nga makthi me shpejtësi i vunë bagazhet në karrocë dhe e porositën burrin e madh ti shoqëronte me respekt miqtë deri tek dera e taksisë.

E përshëndetën me dorë dhe uruan: – Thank you Mr ambassador, good job.

Ndarja ishte miqësore, e lanë pas shijen e hidhur të incidentit diplomatik dhe nxituan të shoqëruar nga kosovari përkthyes, i cili u afroi makinen e tij për shërbim falas.

Dritat e Manhatanit i hutuan dhe harruan shpejt çdo gjë, sapo kishin prekur botën e lirë, atë vend që e patën ëndërruar me dekada sa e sa shqiptarë.

Shpendi u ndje në pendim që kishte filluar të thurte sebepe për t’i larguar djemtë e prapë që po i krijonin probleme, për fat atë plan s’e kishte vënë në jetë, atyre çunave të shkathët që e patën ulur nga hekuri i varur kokposhtë, u detyrohej shumë, pa ata nuk e di se ku do të ndodhej tani.

Buzëqeshi mirënjohës me imazhin e çunave në sytë dhe vështimin e ngulur mbi një ndertesë të lartë që ai s’mund ta quante karabina, ajo ishte e frikshme dhe e panjohur për të, asaj i shkonte veç fjala shqipe; kullë.

Njeriu i parë që takuan, përkthyesi i gjuhës shqipe po i çonte tek ndertesa shumëkateshe ku ishte edhe përfaqësia shqiptare, apartamenti me numër 45, në katin e 16-të.

Shpend Karabinaja ambasador, mbështetur pas sediles së veturës, me pëllëmbën kapur tek doreza shikonte i ngazëllyer qytetin me dritat magjike, i zhurmshëm me rrugët e gjëra plot reklama e lëvizje pafund, njerëz që rendnin në trotuaret e gjëra, taksi, autobuse dykatësh mbushur me turistë, semaforët, policët mbi kuajt e mëdhenj.

Çdo gjë ishte marramendëse dhe për një çast mendoi si do dukej ai qyetet po ta shikonte ndryshe i varur në një hekur si atë ditë në shfaqjen e fundit, kullat kokëposhtë, taksitë njerëzit në ajër kthyer me rrota e këmbë përpjetë, semaforët, reklamat të gjitha do i lexonte së prapthi.

Prej fiksimeve që s’po i ndaheshin as aty, e shkëputi frenimi i makinës nga miku i sjellshëm shqiptar, kishin sosur, burri tek porta, major door, i’u afrua veturës, hapi derën dhe i uroj; weelkom!

Ndërkohë që portjeri po shkarkonte bagazhet nga makina, Shpend Karabinaja u afrua tek hyrja dhe po shikonte në kolonën djathtas disa mbishkrime të ngjitura  me emra dhe adresa sipas kateve, sytë i ndalën mbi njërën ende e pandryshuar dhe lexoi; ‘Diplomatic mission of the Socialist People’s Republic of Albania,  nr 45-16’…

…Shifranti njëkohësisht edhe përkthyes u fut në zyrë me një zarf në ngjyrë bojë qielli në dorë, mbi të kishte të stampuar emblemën e OKB-së, diplomati i ri e hapi, e vërtiti disa herë në dorë pastaj e ktheu sërish tek punonjesi me kërkesën që t’ia përkthente.

Shef, ngriti kokën shifranti pasi i hodhi një sy të shpejtë letrës së trashë si ftesë dasme që zarfi mbante brenda, i’u pret nesër në audiencë vetë sekretari i përgjithshëm, zoti Peres, Peres de Kualar. Burri i shkurtër e vendosi sërish mbi tavolinë kartën e kushtueshme me ftesën dhe po priste reagimin e eprorit.

Ambasadori i hodhi sytë mbi fletë dhe fiksoi orarin e takimit; dt. 15 september, time 13:30…I zenë në befasi u ngrit nga karrigia dhe i tha punonjësit që po priste akoma aty para tij në këmbë; pse nuk thua, qenka nesër!

Hapi sirtarin dhe nga aty mori disa çelsa të kapura me unazë metalike, zgjodhi më të trashin me dhëmbëza dhe u drejtua tek kasaforta e futur në murin përballë, prej saj nxori zarfin e madh që ia pati dhënë sekretari i përgjithshëm i presidencës Kol Çalamani, nuk e kishte hapur, e patën porositur disa herë ta ruante me kujdes, në të flinin prej ditësh kredencialet qe ai do ia dorëzonte në takimin e parë vetë shefit të madh të OKB-së.

Po afronte mesdita dhe ambasadori i shoqëruar nga shifranti njëkohësisht edhe përkthyes doli në rrugën që të shpinte për tek selia e organizatës së kombeve, ndërtesa shumëkatëshe ku ndodhej përfaqësia ishte tre blloqe larg selisë së kombeve të bashkuara, kullës së xhamtë buzë oqeanit Atlantik, ndaj atë pjesë rruge, sa herë e kërkonin për ndonjë pritje apo aktivitet, diplomati shqiptar e bënte gjithnjë në këmbë.

Ecte dhe nga pas e ndiqte me hapat e shkurtëra punonjësi i përfaqësisë, duart i mbante gjithnjë të lidhura prapa, nga ai zakon e kishte të vështirë të ndahej, i jepte siguri, besim dhe autoritet. Pati veshur kostumin në ngjyrë gurëkali që Zoi rrobaqepësi i teatrit ia qepi për merak, të cilin e kishte kombinuar me këmishën rozë, këpucë të bardha dhe kollaren me ngjyra të feksura në të verdhë vezulluese.

Xhaketa sportive e ambasadorit kishte dy të çara dhe flinte e ngjeshur pas belit, nga hapat e gjata ato viza anësore pa tegel zbuloheshin me ritmin e ecjes, herë njëra herë tjetra.

Ashensori i madh i ngjiti lart në hollin e gjerë, aty ku qëndronin në pritje shumë diplomatë dhe figura të panjohura me veshje serioze, duket për takim me sekretarin e përgjithshëm.

Rrinte në heshtje ulur në poltronin  e madh, i kapluar nga ca emcione qe s’i kishte përjetuar që nga koha kur priste pas kuintave në afrim të momentit kur i vinte radha rolit të tij.

I dha kurajo vetes, nuk ishte asgjë ndryshe nga dramat dhe komeditë që pati luajtur, në mendje kishte regjistruar tekstin, hapat që do bënte, qëndrimi pa folur, dhënia e zarfit kredencial, përshëndetja me kokë, mbajtja drejtë pa lëvizur e duarve, ulja, biseda e lirë, largimi pa i kthyer kurrizin mikpritësit; kaq!

Në këtë kohë u hap një derë dhe prej saj u shfaq vajza e protokollit, elegante e veshur me kostum ngjyrë bojeqielli në të ngrysur, e bukur si stjuartesat e linjave ajrore. Sytë e sallonit u kthyen nga femra e hijshme e cila hapi një dosje me kapak dhe lexoi me tonalitet si spikere festivali.

-Mr Speend Karabinaia, ambassador of the republic of Albania. Mezi ia shqiptoi emrin Shpendit, mbylli kapakun dhe u nis përpara  e shoqëruar nga dy zyrëtarët shqiptarë. Ajo ecte në hap ceremonial dhe para saj u lëvizën dy dyer të mëdha, ndali u kthye me gjysëm trupi dhe bëri me dorë xhestin e mirëseardhjes.

Në krye të sallonit të pritjes qëndronte në këmbë vetë Perse de Kuelar, në xhest diplomatik, pak qeshje në buzë, i qetë, me syze, disa hapa anash tij rrinte i ftohtë shefi i protokollit.

Shpendi ambasador u kujtua se atë burrë që tani e kishte përballë e pati parë në televizion kur erdhi para dy vitesh në Tiranë për zgjidhjen e krizës së dy korrikut.

Por tani i shfaqej më i shëndetshëm, shtat mesatar, portret të rregullt, me buzë të tulta, flokët e thinjura të krehura anash, kostumi nuk kishte asnjë rrudhë dhe ngjante si pjesë e trupit.

Ambasadori nxitoi t’i interpretonte fjalët që i pati mësuar përmendësh, tashmë pa emocione, ndalonte herë pas here për t’i lënë radhë shifrantit përkthyes. Sosi me një frymë tekstin e prezantimit dhe çapiti drejtë burrit që rrinte serish pa levizur asnjë muskul të fytyrës, i zgjati zarfin e kredencialeve dhe po priste.

Peres de Kuelar e përcolli zarfin tek shefi i protokollit dhe e ftoi ambasadorin të ulej.

Sapo u rehatua Shpendit për një moment i’u duk vetja si presidenti Alia në pallatin e brigadave, kur bisedonte me Kuelarin, u ndje në barazi, mbështeti rëndë trupin në kolltuk, ngriti pak  hekurin e pantallonave, zbërtheu xhaketën dhe filloi i shpenguar bashkëbisedimin.

Zoti Kuelar po e vëzhgonte qetë shqiptarin, pak para audiencës shefi i protokollit i lexoi cv e shkrurtër të ambasadorit të ri, ish-aktor teatri…

E para gjë që i tërhoqi vëmendjen ishte veshja sportive e zyrëtarit shqiptar, ngjyrat, kostumi, kollarja në kontrast të fortë, këpucët e bardha, rehatimi me këmbët e hapura dhe barkun kërcyer.

Dëgjonte zërin e përkthyesit që fliste i ulur pas amabsadorit dhe në kujtesë solli takimet e këndshme me ish-përfaqesuesin e Shqipërisë, burrë i ditur, veshur korrekt, diplomat i kuruar, fliste një anglishte të rrjedhshme.  

Sot aktori përballë nuk ndalej së foluri dhe nga goja e shifrantit përkthyes dëgjoi vetëm historinë personale rrënqethëse se si kishte bërë karrierën politike, si ishte përleshur me diktaturën e egër, se ai e pati vendosur demokracinë në qytetin e vogël e plot saga nga këto…

Ambasadori Shpend Karabinaja i eksituar nga tregimi dhe pa kursyer kohën e kufizuar ia rrëfeu me sinqeritet ngjitjen e tij heroike. Komunistët, i tha sekretarit të përgjithshëm, e kishin marrë me forcë çdo natë nga shtëpia dhe e varnin në një skenë me kokën poshtë për ta parë e kënaqur spektatorët.

Kur dëgjoi fjalën ‘varje’ Peres u rrënqeth dhe i futur në keqardhje filloi të tundte kokën në dakortësi për të gjitha legjendat që dilnin hezber nga goja e diplomatit të persekutuar.

Sipas tregimit te amabasadorit revolta kishte qenë e organizuar prej tij së bashku me rininë e qytetit, ai nuk kishte pranuar të ngjitej më në shkallët ku e priste hekuri i varjes, pati goditur me grusht drejtorin dhe sekretarin e partisë të teatrit dhe ishte vënë në krye të turmave për rrëzimin e diktaturës në qytet.

As ambasador i ndezur nga interpretimi, dhe as de Kuelari i bërë grusht nga e kaluara sa e trishtë aq dhe e lavdishme e shqiptarit, nuk po vinin re shefin e protokollit i cili u kujtonte me mirësjellje se koha e audjencës kishte sosur.

Peres priti momentin sa ndali pak Shpendi i eksitur dhe u ngrit në këmbë dhe i kërkoi ndjesë ambasadorit që nuk mundi ta dëgjonte deri në fund tragjedinë e tij, u afrua ngadalë dhe i zgjati dorën, u kthye pak nga kamerat dhe pozuan duke e mbajtur xhesitin në paus për t’u dhënë kohë fotografëve dhe operatorëve të fiksonin momentin protokollar.

Shpend Karabinaja i ngazëllyer nga pritja e përqafoji dhe puthi sikur ta kishte patur mik prej kohësh sekretarin e përgjithshëm të kombeve të bashkuara, Peres de Kuelar i ngurtësuar dhe  ndjerë në siklet, bëri një hap prapa dhe e përcjelli me dorën e zgjatur nga dera ambasadorin e ri.

Ato momente sjellje të diplomatit shqiptar i fiksuan  blicat e aparateve dhe kamerave të rreshtuara ballë kolltuqeve ku patën biseduar me shefin e madh të kombeve të bashkuara…

…Mijra kilometra larg dielli si çdo ditë e zakonshme ishte shfaqur befasues mbi malin e Dajtit, Tirana po zgjohej ngadalë e mbuluar nga rrezet e ngrohta, metropoli filloi të zhurmonte nga lëvizjet e makinave, karrocave dhe furgonëve.

Presidenti i republikës sapo hyri në zyrë si përherë i kërkoi sekretares t’i sillte shtypin e ditës, partiake e të pavarura, shqiptare e të huaja.

Bashkë me sekretaren e cila mbante në dorë vandakun me gazeta, në derë u shfaq edhe Kol Çalamani, sekretari i presidencës, burrë i qetë që fliste rrallë i cili nxitoi  e i serviri shtypin amerikan  shefit. Po ia vendoste një mbi një të kthyera nga titujt, me atë qetësinë e tij të gjitha që mundi të sigurojë tek holli i hotel Rognerit; The Washington Poste, The New York Times, New York Herald, The Nacional,The New-Gazete…

Priti sa sekretarja mbylli derën dhe i kërkoi shefit t’i lexojë titujt e gazetave me emër për paraqitjen e letrave kredenciale nga Shpend Karabinaja, ambasadori ynë në OKB.

Presidenti kalonte nga gazeta në gazetë duke shqipëruar i habitur titujt e shtypit amerikan!

-Ambasadori shqiptar emocionon de Kuelar me sagën e tij rrënqethëse…de Kuelar një orë audjencë me ambasadorin shqiptar…de Kuelar në sekëlldi nga puthja dhe përqafimi i shqiptarit trupmadh … Ambasadori me sjellje të çuditshme puth de Kuelarin…Buzët e tulta të sekretarit të përgjithshëm tërheqin ambasadorin e stiluar me ngjyra të ndezura…de Kuelar merr kredencialet e para pas rrezimit të komunizmit…. 

Presidenti nuk duroj t’i soste titujt, u ngrit në këmbë dhe filloi të fliste me zë të lartë, duke baritur i nervozuar lart e poshtë zyrës.

-Kush na e futi at gomar, thirri me zë të ngritur!

-Partia, i erdhi përgjigjia si mërmëritje nëpër dhëmbë e Kol Çalamanit që sytë i xixun dinakërisht poshtë gjyslyqeve sapo gjeti momentin.

Presidenti e vështroj vëngër dhe vazhdoi të fliste me zërin e nxehur për ta larguar nga vetja atë përgjegjësi, nesër me siguri skandali do shpërthente, e pavarura‘Koha Jone’ atë rast priste, do i botonte artikujt, ndaj e hodhi shpejt qyrkun e fajit në supet e tjetër kujt.

-Ku i gjejnë këta njerëz, ç’a bëjnë ata të personelit të ministrisë, pse s’e kanë verifikuar, ma thirr këtu ministrin të vijë urgjent, tani e dua, tani.

Ndali për një çast dhe po mendonte, iu kujtua se pas pak kishte takim me përfaqesuesit e të përndjekurve politike, të cilën ja patën kerkuar ata me insistim, ishte rasti të shmangej, ndaj u ngut dhe porositi Kol Çalamain t’ia thotë ai vetë ministrit që ta kthejë urgjentisht në Tiranë amabsadorin e tij nga New Yorku.

-E dua pako-postale me avionin e parë që niset prej Ameriks, veç kujdes Kol, pa i ra në sy, se po e mori vesh zogu ka rrezik të na fluturojë dhe kërkon strehim politik e skandali bëhet më i rëndë, biletën e avionit thuj t’ua presi vetëm ardhje.

Kol Çalamani nënqeshi me sytë e picërruara poshtë syzeve dinake, la titujt e gazetave aty dhe doli prej zyrës si gjithnjë pak i përkulur dhe në hapa të matura. At post diplomatik e pati ëndërruar vetë para do kohesh, ndaj skandali i Shpend ambasadorit i pati ardhur si me porosi, tani ishte rasti i volitshëm për ta futur emrin e njeriut të vet…

…Kishte kaluar mesnata kur furgoni i bardhë u ndal para pallatit ku banonte prej shumë vitesh Shpend Karabinaja, makinën e ngiste vëllai i Pëllumbeshës, kunati i madh i cili merrej me tregëti zarzavatesh.

Koshinjtë flinin, asnjëra derë nuk ishte e hapur si atë mëngjes kur e pati lënë qytetin dhe ishte nisur për Amerikë, brenda në shtëpinë e pabanuar prej kohësh ndjehej ftohtësia dhe një lloj trishtimi që s’kishte të bënte me nostalgjinë, as me mallin për vendin ku ke jetuar.

Të kapitur jo vetem nga udhëtimi i gjatë, por edhe nga këputja e ëndrrave të thurura plot fantazi, fjetën familjarisht deri mëngjesin e ditës tjetër.

Nga jashtë nuk ndjehej asnjë zhurmë, dëgjoheshin vetëm hapat e rënda të Beçës e cila bariste nëpër shtëpi duke u marrë me zbrazjen e valixheve dhe mbushjen e frigoriferit Obodin.

Shpend Karabinaja u vesh me tuta dhe atlete të bardha, ngjeshi në kokë kapelen sportive me simbolet NY, vuri syzet e diellit me xham të errët dhe doli në rrugë, donte ti rikthehej qytetit, të ecte.

Disa fëmijë që po luanin tek oborri para pallatit e kujtuan për banor të ri dhe shikonin tek dritaret me kureshti për ta gjetur apartamentin që ai pati blerë apo marrë me qera.

Filloi të çapitej trotuarit, jo si dikur në mes të rrugës, duart i kishte futur në xhepat e tutave të poshtme, të palidhura passhpine.

Askush s’po e përshëndeste ish-ambasadorin, të gjithë njerëzit që ndeshi shikonin punën e tyre në indiferencë që e bëri të ndjehej i harruar.

Rrugët zhurmonin nga makina të markave më të reja, dyqanet nuk ishin më ato që ai pati lënë, ish-mapon e ndarë në dymbëdhjetë aktivitete e kishte blerë ai i shërbimit funeral dhe e kishte hapur të gjithë ambjentin duke e kthyer në supermarket të kohës.

Teatrin, aty ku ai pati luajtur për aq vite e kishte marrë me qera Neritani, djali i vogël i Cekes dhe e kishte kthyer në Bigo ku argëtoheshin të gjithë pensionistët e të papunët e qytetit. Djemtë që e zbriten nga hekuri dhe e ngritën lart mbi supe ishin fuqizuar dhe bërë me emër. Ylli djali i Rakipit qe bërë krytar i partisë republikane dhe botonte gazetën lokale me emrin Republika, Fahriu i biri i Shefkijes, shitëses së bulmetit qe bërë president i klubit të volejbollit dhe kishte hapur të parin televizion privat lokal, shfaqte pas mesnate filma pornografik. Qorri, çuni i Nasit rojes së kinemasë, hapi të parin aktivitet me lojra bixhozi, aty mblidheshin në darkë e gjithë paria e cila zbrazte në makinat elektronike paratë e mbledhura gjatë ditës. Beni i Demetes, pastrueses së komitetit, ishte bërë shef i tatimeve, zyrën e Shpendit tek ish-komiteti i partisë e kishte zënë Fevziu i Behijes, ardhur nga shtresat e vuajtura, ish i dënuar ordiner për rrahje, më pas edhe për axhitacion propogandë sepse kishte sharë nga motra hetuesin. Qerosi, kështu e thërrisnin sepse e rruante kokën me brisk që nga koha e burgut, e pati rikonstruktuar e mobiluar kabinetin me pajisje të shtrenjta, kondicioner, kompjuter e televizor, në sfond pas karriges mbi kokë vendosi edhe fotografinë e vet krahas asaj të sekretarit të parë të partisë së re.

Xhipja taksisti, ish-shoferi i teatrit i zhgënjyer prej Shpendit hileqar që s’e pati marrë shofer ambasade siç i pati premtuar, kishte ikur në Greqi tek kunati bashkë me Nafijen dhe fëmijët. Qyteti ishte mbushur me fytyra të panjohura, të ardhur nga fshatrat e largëta, ata që ai i njihte kishin emigruar, disa me gomone, të tjerë me viza të blera nga matrapazët e ambasadave, ndonjë rallë  me llotari amerikane, pushtetin lokal tani e kishte në dorë partia socilaliste e cila i kishte fituar zgjedhjet pak muaj pasi ai kishte braktisur vendin për në detyrën e re të ambasadorit. Njeriu më i fuqishëm politik i qytetit nuk ishte më sekretari i parë i partisë së tij, por një i majtë e quanin Jaup Bilbili, burrë i shkurtër me kokën katrore dhe të shypur nga pas.

Nuk i ecej më, ndali hapat me zhgënjim dhe u kthye për në shtëpi kokulur, çdo gjë iu duk së prapthi e përmbysur si atëhere kur e patën varur në hekur fytyrëposhtë për rolin e komandantit të ballit. 

Ngjiste i menduar shkallët e pallatit i ndjekur nga kurioziteti i fëmijëve që braktisën topin për ta parë se tek kush apartament do trokiste burri me atlete të bardha.

-Ueee, paska marrë hyrjen e xhaxhi Shpeeendit…. dëgjoi të vinte nga poshtë zërin e një femijë në momentin kur u ndal dhe i ra ziles së derës së vet!

Kur u fut në shtëpi i gjeti fëmijët në tavolinë, po hanin mëngjes, karrigia e tij ishte bosh dhe para saj Beça i kishte vendosur misurën e dikurshme prej xingoje që ai e përdorte për përshesh me qumësht. Pëllumbesha atë enë nuk e pati falur si të tjetrat, por e kishte ruajtur për nostalgji.

Shpendi u përhumb dhe u fiksuar diku në një pikë në mur, vuri bërrylat në trapezë dhe fytyrën e mbeshteti mbi duart poshtë faqeve. Amerika për të tani ishte një ëndërr e shuar edhe teatri i pati mbyllur dyert, aty luhej lloto. Saga e ambasadorit kishte përfunduar me turp, sot ai nuk e fuste dot veten askund, as aktor, as diplomat.  

E shkëputi nga mendimi ogurzi gurgullima e qumështit të ngrohur që po e hidhte në tas Beça, zgjati duar instiktivisht, kapi dy copa buke në kanistër dhe filloi t’i bëj kafshita e t’i lëshonte në tasin me lëngun e bardhë.

Fèmijët mbaruan vaktin e tyre dhe filluan të rendin me potere nëpër dhoma, nga aneksi i kuzhinës u dëgjua e bërtitura e Pëllumbeshës; fëmijë rrini urtë, lëreni babin ta haj rehat atë përshesh.

Tiranë, SHKURT 2022.

About Post Author