Boris Miska:”Tragjedia e motrës Hajrie”


Boris Miska

TREGIM

Marre shkas nga tragjeditë e ndodhura sot po publikoj fragmentin nga tregimi ‘Tragjedia e motrës Hajrie’, pjese e librit ‘Humor ne Prush’. Lexojeni, nuk është për të qeshur. ‘Hajria’ vijon sërish ta marrë fishekun në pajë!!
…U ‘fut’ në lokal, aty në ‘kafen’e rapsodisë ku ndodhi vrasja, i bindur se veprimi i guximshëm do i jepte goditjen përfundimtare historisë së përzgjedhur prej tij.
Tashmë nuk kishte frikë edhe pse e dinte se të dy burrat ishin të armatosur, bile njëri, djali i ri, Halili, kishte dy armë, pistoletën me pushkën e gjatë.
Ai mund të lëndohej nëse hynte midis tyre, t’ua ndërpriste aktin, tentonte t’i pajtonte apo ta zgjidhte ndryshe konfliktin, me marreveshje, pa dhunë. Mund të humbiste jetën kot për diçka që deri dje flinte e patrazuar poshtë në bodrumin e errët të arkivit.
Sa ktheu fletën e tekstit të daktilografuar dëgjoi krismën e parë të Halil Gashit, plumbi tejshpues i pistoletës, ‘alltisë’ e pati goditur keq burrin e pashëm me mustaqe e pasuri.
Beqir Aga ishte gremisur në tokë.
Por kur Kreshniku ‘shikoi’ djaloshin që ngriti pushkën e gjatë dhe shtiu disa herë mbi viktimën e dergjur në gjak braktisi kafen ku balada i kishte futur të dy personazhet, doli jashtë duke dihatur prej tmerrit e befasimit për atë ç’ka gjeti ndër vargje.
Akti i fundit e shpërfaqi krejtë të pavërtetën e trumbetuar për aq dekada në këngë e legjenda, balada të ardhura nga e kaluara e largët me mburrje dhe krenari. Nuk duhej të kishte disa krisma, nuk kishte se si të përdoreshin aq armë e fishekë, ajo nuk ishte betejë, ishte veç një akt gjakëmarrje, vënie në vend e moralit të fyer, pastrimi i motrës, ndëshkimi i burrit të pasur që grabiste nder për të shfryrë epshet mashkullore. Kanuni nuk e lejonte tejkalimin e së drejtës.
I poshtruari, i fyeri që kishte radhën e qitjes duhej të shtinte vetëm një herë. Nëse shuli i pushkës ngecte, ai ishte fati i përcaktuar nga zoti.
Edhe në qoftë se nuk godisje në shenjë, veç e plagosje gjaksin, kjo tregonte që nuk kishe nishan, të ishte dridhur dora, nuk ishe burrë, këtu akti mbaronte, duhej ta ulje grykën e pushkës, të ikje kryevarur, pa krenari.
As të lënduarin s’duhej ta prekje, t’i hidhje fjalë e mburrje, duhej veç të ikje, tani ngjarja do futej në kuvendimin e burrave në zë, do ishin ata që do vendosnin për ty, për konfliktin.
Rapsodia mburret kot, shkreh mbi trupin e Beqir Agës jo një por plot shtatë fishekë, një pistolete e gjashtë të mauserit. Diçka e pabesueshme, e pangjarë, e kthen ne cub, atentator, vrasës profesionist të pamëshirshëm, i jep Halilit meritën e pamerituar, burrërinë e paburrëruar.
Nuk kishte shanse ta shkelte zakonin!
Nga përdhosja e pabesia ai s’do fitonte asgjë, as tokën as nderin e motrës së fyer nga i pari i krahinës, sanksioni do ishte i tmerrshëm, ara e shtëpi do i zhguleshin nga themelet, pemët e hardhitë do i’a prisnin në rrënjë që kurrë mos mbinin.
Do i’a prishnin gurët e varret e të parëve qe ai me të tijtë mos kthehej asnjëherë, do e përzinin me turp prej krahinës, tej larg, shumë larg, atje ku s’e njihte askush, do kthehej njeri pa emër, anonim, pa fis, pa origjinë, do vdiste i turpëruar, pa nder, fëmijët nuk kishin çfarë të trashëgonin prej tij veç përbuzjes. Studjuesi ndali e filloi të frymonte pak për ta normalizuar ritmin e arsyetimit.
Mbi tavolinën konfigurohej e dergjur e gjithë rapsodia pa jetë, personazhet nuk shikoheshin më vëngër me dhëmbët e skërrmitura prej hakmarrjes, tjetër gjë duhet të kishte ndodhur. Telat e çiftelisë nuk tringëllonin, fjalët ishin përtypur thellë në stomakun e ngimur, nuk dihasnin më, ndoshta nga turpërimi…..

About Post Author