Tregtari i sekreteve!
( Pjesë nga libri ‘Humor në prush’, shkruar nga Boris Miska )

Nga mosfjetja ndenjur tek poltroni i vet përballë televizorit u ndje ne rraskapi, kjo gjendje i përsëritej çdo natë që kur ia kërkuan ato karta të fshehta. Ata e dinin se plaku ishte i vetmi që i ruante me fanatizëm dosjet e fshehta, ato për të përbënin gjithçka, ndaj ishte lidhur aq fort pas tyre.
Rrëmimi gjatë në letrat me kutërbimin e rëndë të kohës, ia trazoi plotësisht qetësinë dhe regjimin e gjumit.
I kllapuar si në letargji, qëndronte mbi atë kolltuk në krah të të cilit rrinte edhe tavolina e vogël me një makinë shkrimi e markës ‘’Oliveti’’, me të cilën hidhte në fletë kujtimet e veta dhe komentet për çdo kartë të çliruar nga duart e tij.
Në dritën e hënës kërkonte në dokumenta të vjetra, dosje, procesverbale e biseda, filma e fotografi të të gjitha kohërave, atë ç’ka të nesërmen do ta servirte si ushqimin e së vërtetës për ngjarje aq të përfolura.
Ishte një punë e mundimshme, por e vetmja rrugë për ta lënë historinë e vet në siguri interpretimi ashtudëshiruar.
Askush më tepër se ai nuk ia dinte vlerën kartave në kerkimin e një vendprehje historike që me siguri do të shkruhej më vonë.
Një jetë e tërë ia kishte mësuar këtë lloj procesi dhe si në transplantet e organeve të sëmura do të bënte të mundur retushimet e nevojshme ndaj çdo gjëje të së shkuarës.
Me rëndimin e moshës fare pak kohë i kishte mbetur për të mbaruar atë që vite e vite të tëra e kishte gatuar me aq mjeshtri.
Pështjellimi ishte forma më e hatashme e propogandës, arma që atij i kish dhënë sukses në përpjetën e vet, duke e bërë të famshëm si gatitës misteresh e mjeshtër intrigash.
Në mëngjes pasi lahej e rruhej, pinte kafen e tij të hollë pa sheqer dhe më pas ulej në pritje të trokitjes së portës, ku njëri pas tjetrit shfaqeshin myshterinjtë, shkruesit e lajmeve.
Rrëmbenin secili syulur racionin e vet të mbyllur në ca zarfe, ku shenuar qe sigla ‘top sekret’ dhe poshtë në një cep sa mezi dallohej ishte shkarravitur çmimi, 30 lekë copa.
I tërë laboratori i punës së natës ishte fshehur me magjinë që askush të mos e vinte re se nga villeshin këto karta.
Fletët me do ngjyra kohësh e shkrime të bëra mbi to, tërhiqeshin në një cep të odës, strukur diku tek orendia si hangar me një barrë të shkruarash, që revan po i nxirrte ditë pas dite.
Nguli sytë nga këndi ku ishte vendosur rafti i lartë deri në tavan, shumë i madh nga ato të dalë nga moda. Rimesoja e arrës me lulet e veta karakteristike dukej sikur i jepte asaj vjetërsire shumë mister, ndoshta nga teshat që mbante në bark.
Ishte e vetmja mobilje që i pëlqente në atë shtëpi me shumë dyer e korridor të gjatë, me rrugica dhe labirinthe të ngushta, ndaj lidhja midis tyre ishte gati organike, nuk mund të imagjinoheshin pa njëri-tjetrin.
Në faqet e brendshme të dy kapakëve manjaku plak pati shkruar me lapustin në gërma kapitale D Q Sh, ‘dollapi qëndror i shtetit’.
Sa herë në hapje i pëlqente ta shihte atë etiketim si tabelë e ngjitur në dyer institucionesh.
Kyçet e rënda i lidhte në qostek dhe asnjëherë s’ia ndante prekjen, herë të majtën e më pas tjetrën djathtas.
Askush nuk mund t’i afrohej kësaj kabaje prej dërrase të lodhur nga koha e gjatë edhe drita përmes të çarave të grilës së ulur deri në shurdhëri e kishte të pamundur depërtimin tek ato kanata si dyert e një kështjelle të imagjinuar prej tij.
Të vetmit njeri që mund t’i besonte ishte Sinani çiraku i plakut të sekreteve, një burrë i vjetër i hollë, shumë i gjatë, i zi dhe i thatë, a thua se ushqehej veç me ato karta me të cilat ishte marrë tërë jetën.
Sinani qasej çdo fundjavë me solucione e furçë në çantë dhe bënte rituale për t’i ruajtur letrat e zverdhura nga mosha dhe rreziku i molës, që nëpër dollapet e vjetra mund të shfaqej frikshëm si vrimat mbi kartat e teshat e leshta.
Me një durim të habitshëm, për orë të tëra si sqepar, qëndronte mbi letrat e ustait të vet duke prerë me kujdes të gjitha ato që nuk i duheshin thënë publikut.
Kur largohej ngjante më i kërrusur s’e kurrë prej qëndrimit gjatë nëpër rafte të brendshme. Sytë i skuqeshin duke iu zvogeluar më shumë seç i kishte, si ato shkronja të vogla procesverbalesh mbi të cilat zvarritej gjarpërisht pa u lodhur, gërmë mbi gërmë.
Plaku po e shihte atë raft me nënqeshjen e passyzeve.
Fytyrën me lëkurën e varur nga rrojtja e shumtë e kish të dyllosur nga ngjyra e qëndrimit të gjatë në oda e zyra të pandriçuara prej diellit.
Si diçka e ndalur në hije të koshiencës së vet, qëndrimi në këto ngjyra e drita i kish mbetur fiksuar që në krye të herës kur drejtonte një godinë të tërë në cilësinë e kryeradhitësit të dokumentave sekrete.
-Eh sa punë kishte atehere, mendoi!
Në dhomën e madhe bëhej aq qetësi sa rrufitja e kafes së hollë pa sheqer brenda ishte e vetmja shenjë jete dhe të vriste veshët në atë apartament pa njerëz e me shumë dyer.
Nga oda ngjitur u dëgjuan hapat e fshehta të së bijës së mbetur pas tij qëmoti, duke iu vërtitur rrotull si hije në ngjashmëri klonimi laboratorik.
I pëlqente ende kur i thoshin se e madhja i ngjante shumë, një lloj komplimenti që në të shkuarën ia kishin velur deri në neveri.
Nuk e di pse ate s’e kishte lejuar të largohej me të tjerët femijë jashtë vendit, diku në kryeqytetet e pasura të Europës.
Djalin pothuajse e kishte harruar nga kurbeti i kahershëm vite më parë, mbetur se ku i pamartuar në vetmi. Nuk e kuptonte as vetë zemërimin e brendshëm që ndjente kur ndonjë gazetë e shkëputur radhës shkruante disa fjalë për të, cenimi i kësaj teme sa vinte dhe e bënte më nervoz, diçka që e bezdiste duke e lënduar atje ku ai nuk deshte ta shihnin as në letra.
Ndërsa e vogla vajzë nuk mbahej mend kur u largua me një tregtar spanjoll, pa u kthyer as ajo pas porsi vëllai.
Tani e vetmja e fëmijëve i vërtitej rreth sypërdhe, në heshtje të mistershme gjithnjë veshur me një palë pupa për të mos e shqetësuar të atin mjeshtër të fshehtësive, me të njëjtën fizionomi, a thua se lekurën maskë të fytyrës sapo e kishin veshur, pas së cilës tepër veshtirë se mund të lexoje gjë.
Pas grilave të ulura të dritares filluan të dëgjohen lëvizjet e para të qytetit.
Një udhë e madhe i kalonte metra të tërë larg dritareve të katit ku qe apartamenti i tij. Dukej sikur edhe ato zhurma i mbante të llogaritura larg vetes për të mos u implikuar në frekuenca zërash të cilave u trembej aq shumë.
Grilën e odës mbante ulur deri ne fikje si atëhere në zyrën skaj bulevardit të madh.
Filxhanin e vendosi në tavolinë pranë makinës së shkrimit Oliveti dhe hodhi sytë mbi zarfet e radhitura stivë.
Ngjanin me bukët e sapodala nga furrëpjekja, të gjitha me adresa gazetash ditore të besuara qe u’a shiste me të njëjtin çmim, më të lirin, 30 lekë copa.
Tregtari plak pa orën, e dinte që mbas disa minutash ata do të trokisnin sipas radhës së paracaktuar në fragment të çdo pesë minuti, derisa stiva të firohej e gjitha.
Vendin e azhancave me letra të bardha, brenda të cilave flinin dokumente deri atëhere të rezervuara, do ta zinin një grusht monedhash, si tingull ironik i zhvlerësimit të tyre.
Nuk i kishte shkuar më parë ndër mend pse llagapet e gazetarëve ‘Dossier’ ngjasonin ca me emra kafshësh shtëpiake e të tjera krijesa të egra që njeriu nuk mundi kurrë t’i zbuste në shërbim të vetes.
Biles dikush i futur rishtazi kishte edhe emrin e një kryetari partie, yllkë, fatos a pioner nuk e sillte në mendje edhe pse sforcohej ta bënte hera-herës.
Ndjeu dyshim, sepse kurrë nuk i kishte besuar rastësisë, asaj që quhej spontanitet.
Ata hynin ashtu njëri pas tjetrit me një korrektesë të habitshme, a thua se e kishin kaluar tërë natën në ato shkallë të mermerta në ftohtësi të skajshme gri, në padurim të marrjes së porosisë për gazetat e tyre.
Plakut ca nga shikimi e ca nga indiferenca ndaj tyre çdo rast po i dukeshin të gjithë shumënjakë, po aq të gjatë sa njeri e tjetri, veshjet me ngjyra si uniformë, aq sa hera- herës dyshonte se hynte e dilte i njejti, në trup e veshje të njëllojtë.
E bija i shoqëronte me ceremonial deri tek tavolina, pas së cilës rrinte plaku baba i sekreteve.
Shihte monedhat tridhjetë lekshe të gazetarit dhe bënte një vënie në buzë aq të lehtë e të kursyer me mirënjohje të shtirur.
Rituali vazhdonte t’i pëlqente tregtarit plak, pavarësisht se shkuar u bënë vite nga dita e shitjes së dokumentit të parë të nxjerrë nga kanapeja që i pëlqente kur e quante si gjithnjë, ‘dollapi qëndror i shtetit’.
Sapo dera mbyllej pas shpinës së gazetarit të fundit, nxirrte një shishe të vogël me alkool nga xhepi i majtë dhe desinfektonte dorën e puthur nga ato lloje buzësh të tulta e të thara, të montuara në disa gojë të çuditshme.
I urrente këta tipa megjithëse i shërbenin qenërisht me besnikëri të pashpjeguar.
Sidomos ai i vjetri, Spirua i Dedesë, i cili për t’u mbajtur si dikur i kish lyer flokët, por kurrizi i dalë shportë dhe rrudhat e nxirrnin aq qesharak sa edhe vetë plakut tashmë po i villej ta shikonte në atë katandi. Po këtë nakati ndjente sa herë i qasej pranë fytyra me vranga e Rakipit dhe syzet e tij miopike.
Megjithatë këto i kapërdinte brenda stomakut të ftohtë sepse më shumë se çdo gjë tjetër kish kërkuar tek shërbëtorët veset e cenet, pa të cilat nuk mund t’i mbante lidhur qenërisht pranë vetes.
Mbas heshtjes nga boshatisja e zarfeve në dhomë po përsëritej i njëjti ritual.
Do i afrohej ajo e vetmja bijë që i kishte mbetur tregëtarit me kërkesën e çdo pasikje të shkruesve të gazetave.
Nisjen e bënte pikërisht atëhere kur edhe hapi i zbehur i artikullsajuesit të fundit tretej poshtë shkallëve, një lloj fobie, sa vinte e bëhej më e dukshme me thellimin e rrudhave të moshës.
Ai e linte ta bente ankesën e saj dhe i kthente të njejtën resto të gatshme, paçka se i vinte si një lloj bezdie.
-Ba, ba… dhe i afrohej më shumë në veshin e majtë nga dëgjonte më bindshëm.
-Prap kaq lirë do t’i shesim!
Ankesën e shoqëronte me vërtitjen në duart e verdha të paktave monedha, aq sa numëri i gazetave që i botonin sekretet e të atit.
-Të paktën… dyfishoje çmimin, shih sa pak janë duke i treguar të atit me dorën hapur që i dridhej nga emocioni monedhat e sapodala nga xhepat e gazetarëve, lënë bakshishe mbi suprinën e tavolinës pa gjurmë gishtash.
Ajo qëndronte me kokën ulur e shikim gremisur pa guxuar ta shoh në sy të atin sekretaxhi, veprim që s’kishte arritur ta bënte as në fëmijëri, një lloj sjellje e pakërkuar, por e pranuar në heshtje prej babait.
Mori prej tij sërish të njejtën përgjigje akull dhe me kurriz të kthyer nga dera u rrëshqit drejtë korridorit të gjatë me shumë dyer, tashmë e fikur në hije.
-Aq meritojnë, mërmeriti me vete plaku i sekreteve
-Nuk u’a ngre çmimin, s’dua t’i vlerësoj, me atë çmim do përfundojnë derisa historia të mbetet pa dëshmi të tjera.
-Kështu e meritojnë, nuk dinë të bëjnë shtet!
-I vetmi shtet që ishte tani e kam të mbyllur në ato kanata rafti e përdita do t’ua jap me kosto të ulët derisa të sosen të gjitha kartat, dëshmit, dosjet, procesverbalet, fjalimet, filma e fotografi të retushuara.
-Shteti i tyre nuk do të mundet kurrë të shpëtojë prej letrave që unë i shes me tridhjetë lekë copën.
-Aty do t’u ngatërrohem në ligje e vese, passhpine do më kenë gjithë jetën.
-Brenda jam në grupe e interesa, në klane e fise, krushqi e lidhje nga më perverset, do t’u shfaqem si ënderr e keqe çdo natë.
E shoqëroi mendimin e mbrapsht me nënqeshjen e vet karakteristike të cilën mezi ia vinte re dhoma ku ishte ngujuar prej motesh.
Mori hapsen e televizorit dhe shtypi fort një nga butonat më të konsumuar pa numër e ngjyrë.
Ekrani ndriçoi dhe u shfaq spikerja gazetalexuese me një stivë gazetash mbi tavolinën e studios së lajmeve.
Plaku vuri syzet me numër për larg dhe ngriti pak zerin duke kthyer lehtë veshin e majtë për të dëgjuar më mirë.
-Fillojmë rubrikën e shtypit për ditën e sotme, foli vajza me zë të sapo nxjerrë nga shtrati i natës.
E dinte tashmë përmendësh radhën e leximit të gazetave sipas oreksit të kohës e pushteteve, ndaj u tërhoq në pritje qetësisht për të dëgjuar pjesën e vet ‘Dossier’.
-Gazeta ‘Ballkoni’ hapet me titullin e madh; procesverbali i mbledhjes së byrosë politike…
-Gazeta ‘Dita Juaj’ vijon në faqen 16-17 intervistën e botuar dje të ish-drejtuesit të lartë…
Vajza lexuese e mëngjesit, me delikatesë kthente fletën tashmë të konsumuar dhe e vendoste me kujdes tjetrën sipas radhës e porosive.
-Gazeta ‘Pejizazhi’ nesër boton për herë të parë letrën e kryeministrit komunist para se të vetëvritej, dokument i siguruar nga një ish-zyrtar i lartë komunist, për arsye etike profesionale emri i tij nuk bëhet publik…
Plaku sa herë dëgjonte këtë shenim redaksional nënqeshte me rrotullime shikimi skaj orendive të dhomës.
-Gazeta ‘Nesër’ boton çfarë i tha Ai Asaj para se…dokumente autentike të komitetit qëndrorë të partisë së punës…gazetari ynë investigativ mundi t’i siguroj ato.
-Kalojmë tek gazeta tjetër ajo ‘99-të’.
-Fatosi divorcohet nga gruaja…nesër zbulojmë emrin e nuses së re…blijeni që ta mësoni se kush është e nga vjen.
-Maskarai, kurvari, kumarxhiu, shau me vete tregtari i moshuar.
-Gazeta ‘Teletajp’, vijoi ende e pa çliruar nga përtesa spikerja e mëngjesit, boton pjesë nga rrëfimi i doktorit personal të diktatorit…
-Vemja, mërmëriti sërish plaku i rrudhur në fytyrë, sikur të kishte pirë farmak sapo dëgjoi emrin e jatroit të sheqerit.
Kur folsja mbërriti tek gazeta e fundit ‘Pejzazhit Sport’, plaku tërhoqi shikimin në mjegullim pa ia ndarë sytë ekranit.
Vetëm fletët e sportit nuk kishin lajme nga ushqimi që tregtari i sekreteve u jepte përdita me racion nëpër zarfe disa gazetave të llastuara.
Në ardhje të këtij momenti e kthente kokën nga ana e djathtë ku dëgjimi ulej dhe bëhej indiferent.
-Budallallëqe, foli me vete.
-Si ka mundësi që njerëzia merret ende me topa e gola!
U ndje i ngazëllyer nga ushqimi i konsumur prej gazetave të gatuara prej tij, të hedhura dje në mëngjes nëpër zarfet e përmasave standarte ndër fletë të fotokopjuara.
-Ja kështu do ndodhi përditë.
-Këta e përtypin të parët dhe me botimin e tyre i shpërlahet truri miletit që nuk rron dot pa lajme.
Monologonte përsëri e përsëri me veten që tashmë po i rrinte përballë si hije me shpinën kthyer nga ekrani i televizionit..
– Çdo mëngjes do ta bëj, me tridhjetë lekë zarfin, derisa dollapi arkiv të boshatiset, bashkë me ngrehinën të zbrazet edhe truri i historianëve kaqolë.
-Historia nesër do flasi për mua, ajo do të japi të shkruar vetëm variantin tim të ngjarjeve, sepse unë nuk jam ai që mendojnë ata, diktatori i fundit…!
– Askush s’do të ketë mundesi të krijojë versionin e vet të dëshmisë ndryshe!
– Askush, asnjë, vetëm unë, vetëm e imja histori.
Mbajti pak mendjen duke u kujtuar se mjekët ia kishin ndaluar të menduarit e kësaj natyre me mllef e inat.
Priti t’i ulej ca pulsi i rrahjeve të zemrës nga shpërthimi i adrenalinës në nxitje ritmesh të pakontrollueshme.
Shtypi përsëri butonin e fshirë pa numër e funksion dhe ekrani u tërhoq brenda pikës së fikjes në pritje për të shpërthyer sërsish në hapjen e orës 6 e 45 minuta të mëngjesit tjetër.
Heshtja qëndronte pezull në ambjentin e pakndriçuar të odës ku rrinte plaku i sekreteve.
Nxorri tespijet nga xhepi i xhaketës gri, e vetmja ngjyrë që i kishte pëlqyer tërë jetën dhe filloi t’i vërtisi nëpër gishta.
Kokrrat e lëmuara prej prekjes ishin aq sa edhe gazetat që botonin sekretet e tij, në të njejtën madhësi, në të njejtën ngjyrë dheu, me shkëlqim të lehtë nga ferkimi i tërkohshëm i mollzave të gishtave akull pa jetë.
E ashtu rrinte përgjumur derisa binte mbrëmja dhe zhurmat jashtë fashiteshin.
Priste natën, veç atë, kur si hije do i qasej sërish dollapit arkiv, branda të cilit do gatuante të tjera racione për t’ua ndarë sërish deri në frymë të fundit të vërtetat e tij me çmim fare të lirë, tridhjetë lekë të reja.
Në shkuarje të minutave ra në dremitje të cekët, duke mbajtur pas në koshiencën e vet dyshimin për ç’ka kaloi dhe e pret.
Shkruar në janar 2006