Bota në sytë e mi-Teuta Shaqiraj


Të dua bota ime e vogël
shtruar me lotin kripë e të ëmbël,
me diellin fashuar ,
me copëza dashurie mëkuar.

Të dua ty, zagushi e ditëve te mia,
ngjitesh e s’shqitesh kurmit tim ,
netëve të përgjumura,
nën shpatullat e rëna
flenë strukur kujtimet e rralla ,
e duart presin ëndrrat e palindura….

Dhe agun e pazëshëm si heshtja, e dua
me zgjime të vakëta ku nis aventura.
Të dua, moj ëndrra ime e parë dhe e fundit
me sytë e mëdhenj tej hapur
tekefundit,
nga çudia e kësaj bote të marrë,
nënë shterpësie e thërras
me lindje para kohe, vrarë!

Ç’gjymtyrë shtrembërake me ah – e habie,
në shtratin virtual pjellë e kohës martire!
Ç’alibi e rremë
me rrahje artificiale zemre!

Unë diellin tim e fsheh,
e ruaj me gelozi
e mbaj në gji,
si nëna fëmijen në pëqi.
Bota ime sa e vogël dhe e madhe,
kredhur në dashuri,
virgjëreshë mbetet ajo pjesë e zemrës, ku s’hyn njeri.