Bota të pëllcasë!-Bilbil Murataj


BOTA TË PËLLCASË!

Leshverdha deri në thua,

Leri inatet me mua,

Në më do siç unë të dua.

Inatet t’i lëmë pas,

Mos t’i bëjmë qejfin dynjasë

Le të pëllcasë dhe më i miri,

Zihemi të prishet syri.

Jemi si do Perëndia,

Janë zënka nga dashuria.

Të shkojmë, zemëra ime

Në pllajat me gjelbërime,

Të pimë ujë nëpër burime.

Të shkojmë lart, në korije,

Të bëjmë gjumë ndënë hije,

Të flemë poshtë, në një lofatë,

Të kalojmë bashkë një natë.

Qafë për qafë, porsi dy flutura,

Të kalojmë çaste të bukura.

S’do shikojmë diell e kohë,

Të pëllcasë kush s’na do.

Kush s’na do, u bëftë halasë,

Nga zilia të pëllcasë.

Trëndafil e lule maji,

Vetëm varri do na ndajë,

Në atë botë, kur të shkojmë,

Të kemi se ç’të tregojmë ..