“Brezi i humbur…”-Gëzim Llojdia

Brezi i humbur…

dhe ca fjalë për artistin dhe inxhinjerin Enriko Veizi

Gëzim Llojdia

1.

Artistë si Enriko Veizi lindën në kohë të zakonshme, por jetuan në vite të jashtëzakonisht të vështira.Inxhinieri dhe karikaturisti i talentuar, Enriko Veizi, mbylli llogaritë me këtë botë mizore, duke lënë pas gjurmët e penës së tij dhe buzëqeshjet e hidhura që vetëm arti mund t’i dhurojë. Ai u nda nga jeta tokësore, por shpirti i tij vazhdon të endet, përballë dilemës së përjetshme: të rikthehet sërish në një trup të ri, apo të qëndrojë atje ku ligjet janë të tjera, në përjetësi?

Në parajsë ka të tjerë ligje, shpirti atje i endur përballë dilemës , të rikthehet në trupa të tjerë, mirëpo çfarë ka atje ,në tokën,vendin e tij ,diktaturë apo liri?

2.

Ata u rritën mes erës së rëndë të diktaturës, mes shpresës dhe frikës, duke u përpjekur të mbijetonin e njëkohësisht të krijonin. “Brezi i humbur”, siç quhet me dhimbje, u shua ngadalë, duke marrë me vete kujtimet, dhimbjet dhe ëndrrat e papërmbushura.

E megjithatë, pyetja që mbetet e hapur është e dhimbshme: çfarë do të gjente në tokën e tij, në vendin e dashur e të përvuajtur?

Do të përballej sërish me zinxhirët e diktaturës, apo më në fund do të frymonte lirinë e ëndërruar?

2.

Prof. Dr. Hazbi Shehu shkruan:Enriku gjendjen e tij shpirtërore e shprehte ne art. Ai ishte i sinqerte dhe i ndershëm. Bukuria me e madhe qëndronte ne thjeshtësinë e tij. Ai nuk fliste kurrë për veten. Regjimi “simpatik” komunist e dogji Enrikun jo vetëm si trup, por dhe si shpirt. Nga shtypja lind veç turpi dhe shkatërrimi. Nuk djeg flaka aq shume kur ne kashte bie zjarr; se sa djeg ahu i njeriut qe ja bën jetën varr. Me mire me pranga dhe me miq se sa ne kopshte me lule dhe me armiq. “Njerëzve foli ëmbël dhe jo me thumb”, thoshte Enriku, “dhe atë qe do paqen mos e prit me plumb. Ruaju nga gjembat, mblidh lule, se ato janë te pastra dhe nuk kane djallëzi, por vetëm dashuri.” Kur e burgosen ai nuk kundërshtoi, as nuk pyeti, vetëm zgjati duart dhe ata i vunë prangat.

I dashur Enrik, ty të burgosen se karikaturat e tua përhapnin dashuri midis njerëzve. Ato ishin te gatuara me shpirt, me tru, me zemër dhe shprehnin jetën e popullit, punën dhe vuajtjet e tij. Njerëzit duke i analizuar qeshnin, kënaqeshin dhe shpreheshin “është i talentuar ky djalë”. Nuk mund te duronte Enver Hoxha dy rryma, dy burime. Populli duhet te studionte vetëm udhëzimet e partisë dhe veprat e tij dhe si rrjedhoje autori i këtyre karikaturave duhej eliminuar. Enriku punonte ne Institutin Gjeologjik te Naftes ne projektimet e puseve te naftës. Kështu shkaku për ta dënuar ishte i qarte dhe i besueshëm. Ata donin te burgosnin shpirtin e Enrikut, mendimet e tij dhe jo trupin. Po a burgosen mendimet?! Karikaturat ishin shpërndarë ne te gjithe Shqiperine. Ato ishin futur thelle ne trurin e njerëzve. A varrosen mendimet kur shprehin shpirtin e gjalle te popullit?! Te gjithë udhëheqësit qe i ka dashur populli kane mbetur ne zemrën dhe kujtesën e tij, si Skenderbeu,

Ismail Qemali, etj….

3.

Më 6 gusht 1967, gazeta letrare-artistike “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, solli për herë të parë një shkrim që fliste për talentin dhe shpërthimin krijues të një artisti të ri, Enriko Veizi.

Artikulli, i shoqëruar me një karikaturë të autorit, ishte shkruar nga karikaturisti i njohur Zef Bumçi.

“Sot në fushën e karikaturës militojnë me dhjetëra artistë, të cilët me krijimet e tyre japin një kontribut të çmuar në zhvillimin e këtij arti aq të dashur për masat tona punonjëse,” shkruante Bumçi.

Duke vazhduar, ai theksonte: “Një ndër të rinjtë që i është kushtuar me pasion këtij arti, vitet e fundit, është edhe inxhinieri gjeofizik që punon në Patos, Enriko Veizi. Në kuadrin e 25-vjetorit të ditës së shtypit tonë popullor, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve hapi në sallën e klubit të saj një ekspozitë me karikaturat e tij.”

Ky shkrim nuk ishte thjesht një njoftim, ishte një dëshmi e parë publike për një zë të ri në artin e karikaturës shqiptare. Ishte si një fener që ndriçonte rrugën e një artisti, i cili në heshtje, mes përditshmërisë së një inxhinieri, kishte gjetur strehë dhe liri në penën e tij satirike.

4.

Zef Bumci duke vlerësuar artin e tij në fushën e veçantë të karikaturës përveç klisheve të zakonshme për artin e kohës ,thotë:

…” Në punimet e Eriko Veizit të bie meniëherë në sv thjeshtësia, qartësia dhe mbi të giitha përmbajtja e shëndoshe ideo-politike.Ai punon midis punëtorëve naftëtarë, njeh mire shpirtin revolucionar të popullit dhe duke zbatuar vijën e partisë në art, ka vënë në shënjestër bartësit e mbeturinave, zakoneve prapanike, ka stigmatizuar të metat dhe fenomenet negative që dëmtojnë shoqërinë tonë socialiste, ka goditur e satirizuar armiqtë tanë të cdo kallëpi.Në interpretimin e ngjarjeve ndërkombëtare, ai me mprehtësi godet drejt në

Shenjë në mënyrë: markste-leniniste« ashtu sic na mëson Partia. Nga pikëpamja artistike, karikaturisti Enriko Veizi , që nga koha « fillimit të tij e deri më sot, duke botuar punimet në revistën:” Hosteni”, në gazeta dhe revista të tiera, ka here mjaft përparime. Kjo të jep të kuptosh, se përveç pasionit, ai ka edhe vullnetin për studim. Këtu do të ishte me vend t’i vinim në dukje, që të largohej nga ndonjë formë gjoja e veçantë që është përdorur në artin e karikaturës më parë, siç është p.sh. paraqitja e duarve të njerëzve me tre gishtërinj e ndonjë formë tjetër, në mënyrë që vërtet të përcaktoj definitivisht stilin e tij kreit origjinal, tërheqës dhe elegant.Ekspozita ka shumë punime të mira. Qoftë për sa i përket problemeve shoqërore, siç janë p.sh një karikaturë për dembelin kur ha e kur punon apo ndonje karikature për autokritikën etj, qoftë ato me probleme ndërkombëtare si p.sh. një karikaturë e Xhonsonit në kafaz me bishat, e tjera, përfundon artikulli i të mirënjohurit në këtë fushë, Zef Bumci për një talent që po lindte në këtë fushë.

5.

Piktori, Qemal Agaj te gazeta :”Albanian free press” në intervistën dhënë A.Aliut thotë:

..Ishin vitet 1976-1977, ku pas valës së arrestimeve dhe burgosjeve, në industrinë e naftës, nisi spastrimi nga “armiqtë” dhe“sabotatorët”. Ishte koha kur partia “fabrikonte grupe armiqësore”. Mua, si me biografi të keqe, më njoftuan se duhej të largohesha nga Patosi. Pa dyshim nuk e prita mirë; ku të shkoja, pa punë, pa shtëpi, ndërkohë kisha familje dhe djalin tre vjeç, pa harruar këtu mbiemrin tim, që në Vlorë tingëllonte si kambanë alarmi. Por kur mendoja se mjaft drejtues dhe inxhinierë të njohur, si Lipe Nashi, Koço Plaku, Beqir Aliaj, Niko Koçobashi, Petraq Xhaçka dhe njeriu që aq shumë admiroja, Enriko Veizi, u arrestuan dhe u burgosën, ishte e turpshme të ligështohesha. Nuk mund të harroj çastin, kur për të diskretituar këta “sabotatorë”, i sollën me pranga në sallën kryesore të këtij pallati me më se 600 vende. Njoftimi ishte bërë disa ditë më parë. Një hije mortore kishte rënë mbi qytet. Te dera kryesore, midis shpatullave te njerëzve, vura re në podium të arrestuarit, të shpërfytyruar, me pranga në duar. Kur përfaqësuesi i (ç)drejtësisë filloi të shqiptonte emrat, britma e një të porosituri trushplarë, “në litar’’, u shoqërua nga dhjetëra të tjera. Nuk dëgjohej gjë tjetër veç një turmë që thërriste: “Në litar, në litar…”. M’u duk sikur do të shpërthente salla. Rrëqethëse..

6.

Enriko Veizi nuk ishte thjesht një karikaturist.iIhte një zë që dinte të thoshte shumë gjëra me pak viza.Edhe pse jeta e tij tokësore mbaroi, arti mbetet dëshmi e shpirtit të lirë që nuk e mposhtën as vitet e vështira, as koha e padrejtë. Ai i përket brezit që vuajti shumë, por la pas një trashëgimi të pavdekshme.

Në fund, pyetja mbetet e hapur. Çfarë i jep më shumë jetë një artisti koha në të cilën jeton apo arti që lë pas?

Në rastin e Enriko Veizit, koha mund të ketë qenë e vështirë, por arti i tij e kalon kohën, duke e bërë të pavdekshëm.

Ai iku, por arti i tij mbetën. Qeshjet e hidhura që solli, guximi për të thënë të pathënën, shndërrohen sot në kujtim dhe në homazh. Dhe ndërsa brezi i tij shuhet, arti i tij mbetet, si një kujtesë se shpirti nuk mund të burgoset kurrë.

-Në foto karikatura origjinale e E.Veizit.