“Brishtësia e kalendarit” përkthyer nga Irma Kurti


“Brishtësia e kalendarit” përkthyer nga Irma Kurti

Nëse do të më duhej të zgjidhja mes Përjetësisë dhe Ty,
nuk do të hezitoja të vendosja për asnjë çast.
Unë do të kaloja në rrugën e vizatuar nga hapat e tu
në rërën e plazhit tonë
me erën që fytyrën ta përkëdhel
dhe e mpin buzëqeshjen tënde të fshehtë.
Nëse do të më duhej të zgjidhja, siç e di mirë edhe ti,
unë do të rrija me buzët rebele
që trupin tënd e prekin veç për një moment
dhe do t’i dorëzohesha kënaqësisë kalimtare
të gurëve që ndëshkohen nga rrjedha e ujit.
Nëse do të më duhej të zgjidhja,
do të rrija me drithërimën e lëkurës tënde,
ndërsa tok me muzgun ne perëndojmë
dhe nata mendimet i eliminon
në parmakun e lodhur të hënës së re.
Nëse do të më duhej të zgjidhja, pa dyshim,
unë do të qëndroja me ditët e tua që brishtësinë
e kalendarit nuk e mohojnë asnjëherë.

RAMÓN MARTÍNEZ LÓPEZ, Spanjë (1975)

Marrë prej librit: “Përjetësia u formësua nga buzët e saj”

Edicioni Valparaíso, SHBA

Përktheu në shqip: IRMA KURTI

Piktura nga José María Sánchez Aranda