Pjesë nga tregimi :”HIJET E NATËS”
Ajo ecte brenda murit të pakapërcyeshëm krijuar brenda vetes, teksa nata pikturonte në konturet e saj vezullimin e fundit të muzgut në horizont.
Imagjinata e acaruar përplaste mendimet si zgjatime hijesh nën dritën e dobët të dhomës, e nata ngjante me një melakoli të trishtuar që s’ kishte mbarim.
Jashtë dëgjoheshin zëra të largët nga një kafene ku të dehurit si xhindë pëlcisnin marrazi duke përfolur tryezave të boshatisura që ngjanin me skelete të deformuara prej kohës.
Pija si një narkozë, thithej epshëm prej trurit, ndërsa shpirti porsi barometër fizik e psiqik i degdiste drej së panjohurës.
Disa shkëndija shprese hapnin kutinë e kujtesës, larguar psherëtima e rrënkime nën trysninë e madhe të egos, shtrirë si një velenxë e zezë muzgut ku hëna e harruar thyhej në mes prej marazi.
Ajo, nën dritë yjesh, merte ca ngjyrime të bardha e pak nga pak shuhej me gri të përhimët.
Kabare të mbyllura, asaj ore të vonë.
Ishin takat e larta të një siluete të shkaravitur gruaje që vinin si goditje varesh të lodhura kovaçanësh.
Një ushtarak në udhëkryq, përpiqej ti shmangej vështrimit të saj të çakorduar, teksa gjurmët e fundit të natës binin në kurthet e qepallave të rënduara.
Horizonti i kuqëremtë në ar, kishte shtrirë krahë hapësirave boshe të derës, duke fshirë hijet e natës mureve të lyera në krem.
Dukej, trysnitë e mëdha shpirtërore ishin kthyer në forcën e misterit jetik.
Ndjeshmëria e shpirtit për të arritur të vëtetën e madhe luhatej si prozhektor, ndërmjet gëzimit e qetësisë.
Virusi i dashurisë të pakushtëzuar ishte shpërbërë në molekula të vogla të padukshme.
Ajo ndodhej larg urës që lidhte respektin me dashurinë e patundur.
Vetëm kur qetësisia shpirtërore pushtoi mençurinë, ajo u çua parë veten në pasqyrë.
Lëshoi kaçurelat e verdhë mbi shpatullat e bardha të lëmuara si mermer dhe buzëqeshi me një dashuri ëngjëllore që doli nga brenda vetes.
Kyçi në sirtarin e fundit të komodinës shpirtin e plagosur dhe hapur derën e lumturisë tha;
Ëndrat, janë për të varfrit në mendime.
Me një ndjeshmëri të brendshme ngriti shpatullat lart e me vështrimin që kish hyrë në zemër të diellit, puthte udhën e suksesit që shfaqej para saj me trajektore labirinthesh të shndrritshme.
Diku, mes të bukurës e së pakapshmes qëndronte fshehur sekreti i dashurisë së saj,..
Brixhilda Dede @2023
