Budallenjtë jetojnë në burgjet e parajsës nga Arjan Rama


Në fakt, duket sikur ky titull i ngjan më shumë një maske veneciane të qëndisur metaforikisht për të nxitur kureshtjen e lexuesve të ngeshëm se sa një modeli të rreptë klasik se si formësohet një titull, por nuk është kështu. Për mua, budallallëku dhe idiotizmi njerëzor kanë qenë gjithmonë të lidhur ngushtë me fatin politik dhe kulturor të çdo shoqërie. Jo rastësisht, m’u kujtua opinioni i një të çmenduri të famshëm që thotë: “ndryshimi midis një budallai dhe një idioti është se i pari, nuk e kupton mirë të tashmen, dhe dëshiron të qëndrojë në të shkuarën, ndërsa i dyti, e kupton pak të shkuarën, por nuk dëshiron të qëndrojë në të tashmen. Të dy bashkë, nuk e kuptojnë dot të ardhmen!” Pra, duke parë përreth, ka shumë nga shqiptarët tanë të mirë, vëllezër të dashur, të llastuar, të përvuajtur, të shfytyruar, fisnikë, të përbashkuar nga gjaku i zemrës, nga lëngjet e trupit, nga fibrat e mishrave, nga dalldia magjike e nervave, nga impulset e trurit, nga ëndërrimet e bukura deri në shthurje që e kuptojnë pak (ose nuk duan ta kuptojnë!!!) realitetin e neveritshëm të kanibalizmit politik të demokracisë tonë hibride si një mushkë ngarkese në afsh, dhe për pasojë, parapëlqejnë të qëndrojnë të strehuar si lakuriqë nate në zgavrat e të shkuarës së tyre. Fatkeqësisht, thjesht, budallenj! Budallenj, sepse vazhdojnë të “fluturojnë” për t’u përshtatur me errësirën e injorancës ku e kanë zhytur shekujt e lavdisë së shkuar kalorsiake në vend se të forcojnë sytë për të parë shkëlqimin e dritës; budallenj, sepse vazhdojnë të “fluturojnë” për t’u përshtatur me heshtjen e kobshme të kurthit të dinjitetit zyrtar kombëtar ku e ka zhytur patriotizmit folklorik i së shkuarës, në vend se të mprehin veshët për të dëgjuar zërin e vetëdijes racionale; budallenj, sepse vazhdojnë të “fluturojnë” për t’u përshtatur me neurozën e idhujtarisë ku e kanë zhytur bajraktarizmi oriental, dhe autoritarizmi i skajshëm i patriarkëve të së shkuarës, në vend se të zhvillojnë instiktin magjepës të lirisë individuale e kështu me rradhë. Tani, lind pyetja se çfarë lidhje ka profilizimi i kësaj vëllazërie budallenjsh me parajsën apo ferrin si simbole identitare të ideologjisë fetare të Shpëtimit e cila bazohet në interpretimin teologjik të gjëndjes njerëzore? Nuk ka asnjë lidhje. Parajsa që unë përmend, është një përjetim laik dhe alegorik, një metaforë e zgjeruar e çdo sjelljeje qesharake dhe groteske të njerëzve ende të skllavëruar nga iluzionet e trishta të së shkuarës; e njerëzve të mbyllur si kafshë të rralla në kafazet ideologjikë e kanunorë të pushtetit fisnor; e heronjve fatkeqë që stuhitë gjeopolitike dhe mendësitë konvencionale të jetës autarkike- patriarkale i kanë shndrruar në silhueta mjerane. Shkurt, ëndërrimtarë të boshtë, mendje të krisura të organizuar në formacione gati paraushtarake që vijnë nga e shkuara për të shkuar asgjëkundi, budallenj të lumtur me paditurinë e territ të tyre të lashtë. Por nuk mjafton kaq. Parajsa që unë e përmend si habitati ku jetojnë të lumtur budallenjtë e mi, ka edhe burgjet e saj, institucionet e vuajtjes së dënimit, “penitentyari system”. Si është e mundur kjo? A mund të ketë burgje në parajsë, hekura e pranga të teknologjisë së lartë me sensorë të tipit Scottsdale për budallenjtë e lumtur? Jo, natyrisht që jo. Asnjë nga vizionet e parajsës, edhe ato më surreale nuk kanë burgje, sikurse asnjë nga vizionet e ferrit, edhe ato më surreale nuk kanë vegjetacione lirije, por… Por unë kam parasysh diçka tjetër, më të madhe, më rrënqethëse dhe më dëshpëruese, diçka që edhe vetë vëllezër-budallenjtë e mi nuk e perceptojnë dot, ndonëse janë krijesa me instikt të spikatur mbijetese ku eksperiencat dramatike të jetëve të tyra të përçara nga fati i kohrave perandorake kanë përsosur intuitën për të parashikuar dhëmbjet e mëdha të agonive historike shqiptare. Por kush është, pra, ajo gjëja tjetër? Është burgu, burgu si një egzistencë abstrakte, jo materiale, dhe njëherësh, burgu si një absurd, i paimagjinueshëm. Burgu që njeriu i paditur, i vetmuar, i frustruar, i përdorur, i shpëlarë trunisht, i poshtëruar, i manipuluar, i dhunuar, i ngre vetvetes. Pa mure, pa hekura, pa drynë, pa vargjet e trefishtë të telave brisk ose “koncertinë”, pa pengesa vdekjeprurëse hekuri, pa gardianë sadistë, pa sisteme sigurie dhe alarmi, pa reflektorë parabolikë të ndriçimit të skutave ku fshihet arratisja, pa “kaushët e izolimit” ku vdes shpresa, pa protokoll, pa administratë, pa kamera, pa.., pra, burgu që viktimat e të shkuarës, budallenjtë e lumtur të parajsës i ngrenë vetvetes. Është ai përbindëshi i vërtetë dhe i llahtarshëm që grryen trurin e mpirë të tyre. Vëllezërit e mi budallenj qëndrojnë të mbyllur në burgun që e kanë ndërtuar ata vetë, edhe pse jetojnë në parajsën e tyre butaforike. Ata ndjehen mirë nën vështrimin e verbër të errësirës që i rrethon; ata janë të kënaqur me skërmitjen e heshtjes ku janë zhytur; ata janë të lumtur me buzëqeshjen satanike të së shkuarës që i ka kaplluar kokë e këmbë. Pastaj, më vonë, vjen dita e “gjykimit të fundit”, dialogu me vetvetet e burgosura, deri në çastin e frikshëm kur ndjejnë në gjithë qënien e tyre, morrnicat e një pendese të ftohtë, të plagosur, të ligësht, e paaftë të zbusë sado pak zemërimin e Zotit të tyre të Ri, një zog qyqeje inatçor, hajdut, dhe dinak. Shqiponja e artë e maleve, dikur kërcënim fluturak mbi legjionet romake, venedikasit, bizantinët, minaretë islamike, këmbanoret e krishtera, dhe mbi gjithë skllavëritë e botës, tani është larguar përgjithmonë nga salla e flamurëve. Pavarësisht sa sipër, unë i dua shumë budallenjtë e mi, dhe nuk ka asnjë dyshim se kur të vdes, do të jenë pikërisht ata që do të vendosin një lule të freskët e një qiri pjate në mermerin e dystë të varrit tim, dhe jo këta të rinjtë e sotëm, aksesorë të brishtë, interesantë, egocentrikë, dhe nervozë në paradat e “high fashion” të politikës evropiane po aq sa edhe në interieret luksozë të prostituimit mediatik. Zoti i faltë!

About Post Author