Bukuroshja e Durrësit është mozaiku më i lashtë i zbuluar në Shqipëri dhe me vlera të rralla artistike -Seti Pezaku Vladi


Bukuroshja e Durrësit është mozaiku më i lashtë i zbuluar në Shqipëri dhe me vlera te rralla artistike.
-Seti Pezaku Vladi

Bukuroshja e Durrësit është mozaiku më i lashtë i zbuluar në Shqipëri dhe me vlera te rralla artistike.
Për herë të parë ky mozaik me dimensione 5.1m.×3m. që i përket gjysmës së dytë të shekullit IV para erës sonë u zbulua rastësisht në qendër të Durrësit gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në vitin 1916. Arkeologu i shquar austriak Camillo Prashnicher u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej. Prashnicher është i pari që e botoi fotografinë e mozaikut në një libër të tij arkeologjik për Shqipërinë duke e quajtur atë një kryevepër të artit figurativ.
Në qendër të dekoracionit është portreti i një gruaje,
ndoshta Aura, shoqëruesja e Artemides e cila qarkohet nga një dekoracion i pasur lulesh.
Më pas mozaiku u mbulua përsëri dhe humbi për 33 vjet. Këmbëngulja e arkeologut të shquar Vangjel Toçi risolli në dritë në vitin 1959 një nga monumentet më të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore gjatë antikitetit. Bashkëpunëtori i vjetër shkencor, Vangjel Toçi ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologët austriakë Schober dhe Prashnicher në fillim të shekullit të 20-të, lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit. Për fat të mire, falë këmbënguljes dhe aftësisë së tij profesionale, në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi e rizbuloi mozaikun 2300-vjeçar. Bashkëkohësit kujtojnë bisedat e gjata të arkeologut me të moshuarit e qytetit si dhe të dhënat e nxjerra prej tij nga libri i botuar në vitin 1920 nga arkeologët Shober dhe Prashniker. Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit.
Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra dhe ze një sipërfaqe afro 9 metër katrorë.
Në lashtësi, ky mozaik ka zbukuruar për një kohë të gjatë një banjë luksoze private të qytetit antik. Teknika e përdorur për krijimin e mozaikut është me gurë zalli natyrorë me ngjyra të ndryshme të ngjitura me njëra tjetrën me shumë mjeshtëri.
Mozaiku është i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

About Post Author


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.