Buqetë lirikash-Lefter Shomo


VË NË LËVIZJE JETËN..

Një jetë e mefshtë , pa emocion
Shkon e rëndomtë, në vyshkje
Vjen dashuria e gjallëron;
Ashtu si filmin, e vë në lëvizje.

DHIMBJE KUJTIMESH..

Thellë, skutave të nostalgjisë
Shpesh kridhem n’ ëndërrime
Ia prek gjithë telat dashursë,
Vibron dhimbje kujtimesh.

GONXHE DËSHIRASH.

Dhuron aromë kur buzëqesh
Si trëndafil i prillit
Gonxhe dëshirash t’ zjarrta ndez
Në buzët e bandillit.

ATA QË NDAVA LOTË..

M’ ata që piva, qesha dje,
I kam harruar sot..
Por do kujtoj gjersa të vdes
Ata që ndamë lotë.

SI POEZIA IME

Çdo pemë pa u ngutur çel
Prej sythash degë e fletë..
Si poezia ime kur shpreh
Pulsin e saj në jetë.

PA NA TROKITUR..

Ne dashuri me ngulm e zjarr
Kërkojmë si dritën, jetën
Ajo vjen vetë si një behar
Pa na trokitur derën.

EJA ME MUA

Eja me mua bukuri
Të të lakmojnë trimat
Që bota të të ketë zili
Dhe lulet në lëndina.

FJALËT TONA

Fjalët tona më t’ bukura ,të mënçme
Rrinë si anjje mbytur thellë
Strukur rrinë, të pathëna ,në heshtje
Si filizat brenda farës mbështjellë.

NGURROJ..

Kam ndrojtje, sa e kam vështirë
Ta bëj tundimin lutje
Një frymë larg meje ti të rrish
Ngurroj të t’ jap një puthje..

BUJARE..

Ngjet dashuria me argjendari
Plot me stoli e salltanete
Që fal gjithçka me bujari
E s’ mban asgjë për vete.