Buqetë lirikash-Lefter Shomo


KRAHËT E TU

S’ ma shton as bukurinë sjell

Veshja e shtrenjtë e modës

Hyjneshë bëhem kur më vesh

Mes krahëve të ngrohtë.

PREHËRI IM

Në zemrën time dhele mbaj

Ndjenja që diellin zbresin

Formojmë prehër të stërmadh

Që botën e mbështjellin.

MENDIMI

Mendimi qënka një fëmijë

Llastuar , nazeshumë

Ninulla i këndoj njëmijë

Ai prapë më le pa gjumë.

VËSHTRIMI YT

Këdo vështron me ata sy

Si lule me reflekse

Në zemër indukton lulzim

Një kopsht me përkëdhelje.

KOHËNDALJE

Mos më pyet për ditë e muaj Kur asgjë më nuk mbaj mend

Kur ndodhem në krahët e tua

Dhe koha ndal e rri në vend.

MËSIME DETI

Dallgët e egra me furi

Më shkundën si tërmeti

Më dhanë mësime e dituri

Më thanë ç’ është deti.

NJË NGURRIM

Në sytë e tu pikpyetje shoh

Ngurrim që dhemb e djeg

Dhe frymën time e harxhoj

T’ i fryj, q ‘andej ta heq.

SODIS DETIN..

Sodis gjithçka, detin kundroj

Gjithçka ndryshon si dallga

Në breg të vetmit që s’ ndryshojnë

Jam unë dhe koordinatat.

MBI BUZËT E TUA

Aq gjallë, shprehës, madhështor

Peisazhin ma përshkruan

Sa për ta parë atë tentoj

Përmbi buzët e tua.

E ËNDËRROJNË..

Buzëqeshja jote qënka dritë

Të shumtë e lakmojnë

E mbajnë sysh, zemër e shpirt

Në gjumë e ëndërrojnë.

Lefter ShomoK/ b.l.03α.