Çatitë e Freiburgut


Albana Hodo

Duke parë çatitë e Freiburgut
Sa bukur rrinë në fqinjësi
Më ngjajnë me nikoqiret korçare
Kulmet e hijshme me kaq rregullsi..

Lart nga kjo pamje mrekullohesh
Si koha të vjetrën e do e s’e vret
Pemë kryeneçe derdhen mes çatish
Tinguj këmbanash sikur zbresin nga retë..

Më flet një tabelë mes vreshtit të gjelbër
“Këtu bëhet vera më e mirë e qytetit”
Dhe unë përhumbem dehur në mendime
Ç’shije të kish vallë pija e shtetit?!

Eh sa psherëtima më tundojnë
Nga kjo majë ku natyra ëmbël flet
Ku njeriu vrapon nëpër kohësi
Po qytetit trupin nuk ia vret!

About Post Author