Bilbil Murataj

Një gur rrëshqet
Me shpejtësi nga mali,
Gjarpërin e zë poshtë,
@
Të lutem, i thotë njeriut,
Hiqma këtë shkëmb,
Se më mori frymën,
S’di sa po më dhëmb
@
Gjarpëri i pabesë,
Sa nuk ka të dytë,
Shpejt e shpejt ju mblodh
Njeriut në grykë
@
Nuk e diti nderin,
Por, mbasi shpëtoi,
Nxire gjuhën, thotë,
Që të të kafshoj
@
Njeriu i thotë
Unë të bëra nder,
Ti do kishe ngordhur,
Do të më hedhësh vrer?
@
Jo, i thotë gjarpëri,
Kjo është botë me leqe,
Sepse çdo e mirë
Shpërblehet me të keqe …
@
Që të flasim shtruar,
Mos t’i biem vërdallë,
Të dy do të pyesim
Tri qënie të gjalla
@
Mirë, i thotë njeriu,
Si në faj i zënë,
Kështu qenka shkruar,
Kështu qenka thënë
@
Sikur një prej tyre
Të të japë të drejtë,
Do të të lëshoj,
Fare s’do të të prek
@
Kështu e vendosën
Edhe kështu bënë,
I pari përpara
U doli një qën
@
Do të të bëj një pyetje,
I thotë zvaraniku,
Unë e di për vete,
Po ta dëgjojë miku
@
Pyetja është e thjeshtë,
Nuk është e vështirë,
E mira me të keqen,
A e mira me të mirë?
@
E mira me të keqen,
Thotë qeni kopesë,
Dje të gjithë më donin,
Sot më lënë të vdes …
@
Sot s’më do njeri,
Fuqitë më kanë lënë,
S’i ruaj dot dhitë,
As kopenë me dhën
@
Tani na kanë ngelur
Edhe dy të tjerë,
Thotë gjarpëri i pabesë,
Me mllef e me vrer
@
Aty pak më poshtë,
Rrëzës së një fiku,
Një ka zverkun gjak
E kish nga tevliku
@
Zëri po i dridhej
Njeriut të mjerë,
Jo vetëm nga frika,
Por s’i diti nderë
@
Edhe ka balashi,
Fare pa menduar,
U dha një përgjigje
Jo fort të kulluar
@
Kur hiqja parmëndën,
S’ma kursenin tagjinë,
Ndërsa sot po ngordh
Këtu në lëndinë
@
Për punë më nuk jam,
Fuqitë më kanë lënë,
S’më jep njeri më,
Fare për të ngrënë
@
Edhe një, thotë gjarpëri,
Pastaj do të helmoj,
Po të dhanë të drejtë,
Unë do të të lëshoj
@
Shiko pak më poshtë,
Shiko pak më lart,
Përpara u doli
Dhelpra bishtgjatë
@
E paskan një hall,
Thotë dinakja dhelpër,
Do përdor dredhinë,
Si çdo herë tjetër
@
Të të bëjmë një pyetje,
Duam një të vërtetë,
Si shpërblehet e mira
Në këtë dreq jetë?
@
Pyetja është e lehtë,
S’është shumë e vështirë,
Çdo e mire që bën,
Shpërblehet me të mirë
@
Kështu e dëgjoi,
Kështu dhe veproi,
I ikën nga gryka,
Njeriun e lëshoi
@
Ti do më kesh mik,
Mike edhe unë,
Ndaj hape gojën,
Ç’nder kërkon nga unë?
@
Po, rrallë ndonjëherë,
Kur të jem pa ngrënë,
Të marr ndonjë pulë
Nga koteci tënd …
@
Të vish kur të duash,
Je mike e parë,
Të marrësh dhe gjelin,
Që ruaj për farë
@
Dhelpra e mësuar
Hileve të kësaj bote,
Ku do ta dish ti
Që jam mikja jote?
@
Do presësh pak bishtin,
Thuaj jam bishtprera,
Kur të më shohësh në krah,
Me çiften tek dera
@
Kështu e vendosën
Dhe kështu e lanë,
Dhelpra e bëri
Bishtin me nishan …
@
Një ditë të bukur,
Pa çelur dita mirë,
Tha po shkoj nga miku
Sot, si mysafire
@
Një zallamahi,
Krrra, krrra, krrra,
Del shpejt e shpejt miku
Me çiften në krah
@
Aman, mos më vra,
Jam dhelpra bishtprerë,
Unë të thashë që nderi
Shpërblehet me nder
@
Le të jesh bishtprera,
Punë e madhe fort,
E mira me të keqe,
Shpërblehet në botë …
@
Ajo që është thënë,
Është dhe e vërtetë,
E mira me të keqe
Shpërblehet në jetë …
@ Copyright 2023
Të gjitha të drejtat – autori
A